Eksperti i sigurisë: Mesazhet kërcënuese të Vuçiqit do të jenë më të ashpra në këto data!

Politika

Eksperti i sigurisë: Mesazhet kërcënuese të Vuçiqit do të jenë më të ashpra në këto data!

Nga: A.M. Më: 20 janar 2022 Në ora: 14:13
Aleksandar Vuçiq

Qeveria e Kosovës përmes miratimit të rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb i dha një ‘goditje’ të madhe Serbisë.

Kjo gjë nuk i pëlqeu presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kundërshtoi ashpër këtë rezolutë në miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Vuçiq tha se serbët nga Kosova “treguan se vota e tyre paraqet votë për Serbinë” dhe jo për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu, presidenti serb ‘kërcënoi’ duke deklaruar se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të mëdha”.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se këto kërcënime të Vuçiqit vijnë si pasojë e pamundësisë së praktikimit të politikave serbe.

Ai thotë se deklarata e presidentit serb “do të ketë pasoja” është fillimisht mesazh për BE-në dhe për popullin serb, kinse ai po lufton për të ashtuquajturën ‘Tokën e Shenjtë’.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

“Serbia si çdo herë ku nuk ka mundur të praktikojë në terren interesat e saj ka shfrytëzuar dhe përdorur kërcënime të tilla drejtuar institucioneve të Kosovës. Por, që mesazhi është për presion drejtuar BE-së si faktor që mund ta destabilizojë sigurinë në Kosove nëse ata nuk e mbështetin politikën dhe interesat serbe në Kosove dhe në anën tjetër një mesazh për faktorin e brendshëm të Serbisë që presidenti i juaj lufton për të ashtu quajturën "Tokën e Shenjt " siç ata e konsiderojnë Kosovën”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Madje, Shala paralajmëroi se deklarata të tilla kërcënuese të Vuçiqit do të dëgjojmë deri në prill, kur edhe priten të mbahen zgjedhjet nacionale serbe.

“Pra mesazhe të tilla deri në mbajtjen e zgjedhjeve nacionale në prill do i shohim në javët dhe muajt në vazhdim, me theks të veçantë do të jenë më të dukshme në mes datës 16 dhe 17 shkurt, kur Kosova e ka ditën e Shpalljes së Pavarësisë së vendit”, theksoi ai.

Në fund, eksperti i sigurisë kërkoi nga qeveria e vendit që veprimet e saj t’i marrë në bashkëpunim me ambasadën amerikanë, në mënyrë që të mos cenohen interesat e Kosovës.

“Qeveria duhet që të konsolidojë veprimet e saj me ambasadën amerikane duke mos cenuar në asnjë formë interesat dhe partneritetin tonë me ta në vitin 2022, që pritet të jetë vit me presione nga dyja palët në Bruksel dhe në terren”, përmbylli deklarimin Drizan Shala për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat