PDK e Lista Serbe ‘të bashkuar’ kundër Albin Kurtit!

Politika

PDK e Lista Serbe ‘të bashkuar’ kundër Albin Kurtit!

Nga: N. Sh. Më: 20 janar 2022 Në ora: 19:13
Lista serbe

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të shtunën, me 76 vota për e një abstenim ka miratuar rezolutën kundër organizimit të referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Kështu Kuvendi autorizon Qeverinë dhe institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues.

Rezoluta parashikon se është antikushtetuese të votohet për zgjedhjet apo referendumet e një shteti tjetër, në territorin sovran të Kosovës.

Për këtë rezolutë Qeveria mori mbështetjen e LDK-së dhe AAK-së, kundër referendumit serb.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, e bojkotoi seancën.

Njëjtë si PDK-ja, veproi edhe Lista Serbe, e cila gjatë seancës e braktisi sallën.

Bojkotimin e PDK-së dhe përkrahjen e LDK-së e AAK-së për Qeverinë Kurti për miratimin e rezolutës kundër referendumit serb e ka komentuar analisti politik Gani Qarri.

Ai potencon që, me votimin e rezolutës në Kuvend kundër mbajtjes së referendumit kundërkushtetues të Serbisë në Kosovë, pjesëmarrja e LDK-së dhe AAK-së, dëshmoi se ruajtja e rendit dhe ligjit, si dhe mbrojtja e sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, është prioritet dhe obligim i secilës parti dhe qytetar, pa dallim profesioni, bindjeje dhe orientimi politik.

Image
Gani Qarri

“Për aq më tepër, përkrahja masive që erdhi nga këto dy parti opozitare, dhënë rezolutës së Kuvendit të Kosovës, kundër mbajtjes së referendumit të kundërligjshëm të Serbisë në vendin tonë, dëshmoi se sidomos pas reformave të thella, shkarkimit të kryesisë së vjetër dhe ardhjes së Lumir Abdixhikut kryetari i ri në partinë dikur më të madhe në Kosovë si LDK, politika shqiptare në vend, ka filluar përfundimisht të kthjellet e shërohet nga ndikimi i rreptë i Beogradit dhe shantazhet e forcave të inkriminuara politike që donin dhe vijojnë të duan, t'i sakrifikojnë interesat e shqiptarëve, për hir të atyre të Serbisë dhe kriminelit Aleksandër Vuçiq”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai potencon se PDK-ja u funt në tandemin e ‘vëllazërim-bashkimit’ me Listën Serbe.

“Vetëm PDK, me vendimin e paprecedent të saj, që nuk ka ndodhur ndonjëherë, në këtë formë, qysh nga paslufta në Kosovë, dëshmoi katërçipërisht, se para interesave të Kosovës ajo edhe sot, si parti,  fillimisht është aleate me Aleksandër Vuçiqin dhe Serbinë hegjemoniste, ndaj dhe pa fije turpi, u nda nga të gjitha partitë tjera shqiptare dhe u fut në tandem vllazërim-bashkimi me "Listën srpska", për të bojkotuar bashkarisht m te, rezolutën e Kuvendit të Kosovës, kundër mbajtjes së referendumit të kundërligjshëm të Serbisë hegjemoniste në Kosovën e lirë dhe sovrane”, shton ai.

Sipas tij, duhet që organet e sigurisë në Kosovë të marrin hapat dhe të shikojnë prapavijën e PDK-së e cila nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Prandaj ky veprim i PDK-së, i llojit "sui-generis", si partia më e madhe opozitare në vend, e bënë të domosdoshme që AKI, prokuroria dhe të gjitha organet përkatëse të sigurisë shtetërore, përfundimisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm mbi prapavijën dhe arsyet e vendimit të fundit të paprecedent të PDK-së, e cila edhe pse, në aleancë të pa deklaruar me Listën "srpska" që është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë dhe dirigjohet drejtpërsëdrejti nga krimineli Aleksandër Vuçiq, bashkërisht bojkotuan rezolutën e Kosovës, për mbrojtjen e sovranitetit dhe të kushtetutshmërisë së saj, nga pretendimet territoriale të Serbisë”, thekson Qarri.

Siaps tij, duhet të hetohet kryesia e PDK-së që të vërtetohet se a janë me Kosovën apo me Vuçiqin.

“Kështu që, ky është momenti vendimtar, i cili kërkon të bëhet urgjentisht një hetim i hollësishëm i disa anëtarëve të veçantë të kryesisë së PDK-së, nëse jo, i të gjithë kryesisë së kësaj partie, në mënyrë që të vërtetohet se a janë ata, me Kosovën, apo me "arushën" e Karpateve ruse, Aleksandër Vuçiqin, i cili, si ish ministër i informatave në qeverinë e Millosheviqit mund të ketë në dorë shumë informata për secilin anëtar të kryesisë së PDK-së, ndaj dhe vazhdon ti shantazhoj ata deri në këtë shkallë, sa që edhe sot, ende të mos guxojnë të votojnë në Kuvendin e shtetit të vet të lirë, as edhe një rezolutë të vetme, kundër veprimeve të kundërligjshme të Serbisë okupatore, në shtetin e pavarur të Kosovës, pra të çliruar me luftë para mese 23 vitesh dhe të pavarësuar dhe shpallur shtet më vete, tash e mese 14 vite”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat