“Ky është një akt i turpshëm, është alarm për Kosovën”/ Ja pse Skender Hyseni e Isa Mustafa nuk e durojnë Lumir Abdixhikun

Politika

“Ky është një akt i turpshëm, është alarm për Kosovën”/ Ja pse Skender Hyseni e Isa Mustafa nuk e durojnë Lumir Abdixhikun

Nga: N. Sh. Më: 20 janar 2022 Në ora: 22:48
Isa Mustafa dhe Skender Hyseni

Profesor dr. Enver Bytyçi e ka komentuar dhe analizuar reagimet për lejimin dhe moslejimin e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Profesori thekson se, mazhoranca, qeveria, presidentja ishin kundër zhvillimit të këtij referendumi në Kosovë, ndërsa disa figura të njohura për anësinë e tyre në favour të synimeve serbe për të testuar dhe provokuar sovranitetin e Kosovës.

Bytyçi thekson se, duhet kuptuar njëherë e mirë se çdo iniciativë e Beogradit në Kosovë nga organizimi i votimeve me qendra e kuti votimi për referendume e zgjedhje deri te Open Ballkani synojnë territorin e Kosovës, synojnë t’i dëshmojnë botës se Serbia është aksionere në politikën, në zhvillimet ekonomike, sociale e deri te territori i Kosovës.

“Pikërisht këtë skenar e regji e kanë kuptuar kundërshtarët e Serbisë, por nuk e kanë kuptuar ose nuk duan ta kuptojnë disa politikanë, gazetarë e figura publike, të cilët morën në mbrojtje kërkesën dhe “të drejtën” e Serbisë për zgjedhje e votime në Kosovë”, shprehet Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, në këto pozicionime Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zgjodhën të të krijojnë një kohezion logjik e racional në qëndrimet ndaj Serbisë.

“Është një hap pozitiv që kthen optimizmin te qytetarët e vendit. Në fakt Aleanca ka qenë gjithnjë më e qëndrueshme në pozicionin e saj atdhetar përballë Serbisë. Lidhja Demokratike ka shënuar kthesë të jashtëzakonshme nga qëndrimet e saj të kaluara. Por merita e LDK-së është se guxoi të sfidojë të shkuarën e hidhur të ish-liderëve të saj. Madje këta ish-ët edhe reaguan”, shton tutje ai.

Image
Profesor dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, ishte Skender Hyseni që u shfaq i revoltuar me vendimin e kryetarit Lumir Abdixhiku për ta mbështetur kryeministrin dhe presidenten në qëndrimet e tyre kundër mbajtjes së referendumit në Kosovë. 

“Nuk e duron Skenderi, as Isa një qëndrim të tillë për dy arsye: Së pari, sepse bllokimi i influencës serbe në Kosovë shkon në kundërshti me qëndrimet e kohës kur këta politikanë të dështuar drejtonin dialogun me Serbinë. Së dyti, sepse për ta është më mirë të bëhën lëshime ndaj Beogradit, sesa ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Në raportin midis Serbisë e Vuciqit nga njëra anë, si dhe kryeministrit dhe presidentes nga ana tjetër, Isa Mustafa, Skënder Hyseni e disa të tjerë në LDK, zgjedhin të parët. Kjo duket qartë. Dhe e gjitha besoj të jetë ego, inat, urrejtje personale e të mos ketë të bëjë me ndonjë axhendë serbe e anti-shqiptare!”, potencon profesori.

Bytyçi pohon se, Ramush Haradinaj e ka më të lehtë të marrë vendime.

“AAK është një parti e vogël, por homogjene, në të cilën ndikimi i kryetarit është absolut. Kështu ndodh zakonisht në partitë e vogla. Për më tepër se të dy figurat kryesore janë vëllezër. Prandaj nuk ka si të ndodhë që të ketë përplasje midis lidershipit dhe figurave politike të kësaj partie. Por duke e ndjekur veprimtarinë politike dhe kontributet e kësaj partie në qeverisje më lejohet të them se në pikëpamje atdhetare nuk mund të kontestohet. AAK takohet me PDK-në në disa aspekte të tjera, por jo në pazaret me Serbinë”, thotë ai.

Sipas tij, kjo marrëdhënie e re midis Lidhjes Demokratike dhe AAK-së me mazhorancën në këtë rast është ogur i mirë, është një shenjë se politika në Kosovë po ridimensionon qëndrime të përbashkëta kur është fjala për interesat e shtetit të Kosovës.

“Të dyja këto parti e dinin se pesë vendet e Quintit po bënin presion që qeveria të lejonte referendumin në Kosovë. Megjithatë nuk u ndikuan nga kjo dhe u bënë palë me refuzimin e kryeministrit dhe të presidentes. Kur kryeministri kërkoi që vendimi të votohej në parlament, ato u përgjigjën pozitivisht dhe votuan pro asaj rezolute. Vetëm një deputet abstenoi dhe kjo ishte e natyrshme, nëse shohim qëndrimet e lidershipit të kaluar të LDK-së”, thotë ai.

Profesori pohon se, Partia Demokratike mbajti të njëjtin qëndrim, si edhe Lista Srpska.

“Nuk mori pjesë as në votim, as në mbledhjen e kuvendit. Ky është një alarm për Kosovën. Eshtë një akt i turpshëm, jo i PDK-së, por i atyre politikanëve të saj që diktuan një qëndrim të tillë. Të shfaqesh si aleat i Aleksandër Vuçiqit është më shumë se e turpshme. Nuk i njohim ende kushtet, rrethanat e aq më pak njohim shkaqet e këtij qëndrimi. Por jam i bindur se Partia Demokratike do të paguajë një kosto për këtë!”, pohon profesori.

Ai thotë se, mesazhi më i mirë i gjithë kësaj që ka ndodhur ka të bëjë me një gjë krejt të thjeshtë: “Kur politika në Kosovë bëhet bashkë, gjithçka mund të bëjë në të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar! Kur përçahet rrezikun shtetësinë e territorin e saj”, përfundon prof. dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat