Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike – si do të ndikojë seanca e thirrur nga opozita?

Politika

Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike – si do të ndikojë seanca e thirrur nga opozita?

Nga: A.M. Më: 23 janar 2022 Në ora: 21:55
Kuvendi i Kosovës.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka shkaktuar shumë debate të mëdha në vend.

Po ashtu, kjo gjë përplasi edhe pozitën dhe opozitën gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës.

Madje, partitë opozitare kanë paralajmëruar edhe organizim të protestave në rast të ndryshimit të tarifave të energjisë elektrike dhe rritjes së çmimit të rrymës.

Nesër në Kuvendin e Kosovës, do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme.

Kjo seancë ka një pikë të rendit të ditës me debat parlamentar për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi krizën energjetike dhe protestat e paralajmëruar për rritjen e çmimit të energjisë.

Fillimisht, ai përmendi faktin se kriza energjetike ka prekur edhe shumë vende tjera të botës, jo vetëm Kosovën, por që sipas tij kjo ka mundur të shmanget.

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Kriza energjetike ndërkombëtare e cila ka shkaktuar rritje enorme të çmimeve në tregun energjetik, për fat të keq e preku rëndë edhe Kosovën.

Për fat të keq, kjo krizë në Kosovë do të mund të shmangej, nëse gjërat do të planifikoheshin me mirë. Pra për ketë krizë në Kosovë, fajtore kryesore është Qeveria dhe menaxhmentet në sektorin përgjegjës energjetik”, deklaro analisti.

Sipas Duhanajt, qeveria ka dështuar në koordinimin e rezervave të energjisë elektrike për sezonin dimëror.

“Qeveria ka dështuar t'i koordinojë hapat përgatitor që kanë të bëjnë me rezervimet e energjisë energjetike në tregun energjetik për sezonin dimëror. Po ashtu, dështuan në servisimin me kohë në blloqet e KEK-ut, gjë që tregon se qeveria ka mungesë të theksuar të profesionalizmit në punë”, theksoi ai.

Më tej, analisti e cilësoi skandaloz vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, kjo për faktin se për ekonominë e familjeve të Kosovës janë shifra astronomike.

“Tani, kemi një propozim skandaloz për shtrenjtim të energjisë elektrike, që në fakt për qytetarët e varfër të Kosovës dhe gjendjen alarmante të tyre si pasojë e papunësisë, dhe inflacionit të madh, duken shifra astronomike dhe që tejkalojnë çdo logjikë të shëndoshë njerëzore”, nënvizoi ai.

Në fund, sa i përket seancës së thirrur nga partitë opozitare për rritjen e çmimit të energjisë, Duhanaj dyshon se do të mund të ndodhin ndryshime, pasi opozita është e varfër në numra.

“Për fat të keq, qeveria e cila erdhi në pushtet me sloganin "qeveria e shpresës" tani po dëshmon se është qeveri e mjerimit dhe e papërgjegjësisë, e cila duke shfrytëzuar fuqinë e votës, as që do t'ia di për gjendjen e qytetarëve të saj.

Opozita e ka thirrur seancën por që duke qenë e varfër nënumra, nuk besoj që mund të sjellë ndryshime të shpejta. Megjithatë, mendoj që nëse protesta e thirrur merr mbështetjen e duhur do të jetë fillimi i rikthimit të dinjitetit qytetarë në fokus, pasi që momentalisht është jashtë çfarëdo orbite qeverisëse”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat