Situata kritike Rusi-Ukrainë, a po rrezikohet Kosova nga Serbia?/ Eksperti i sigurisë vjen me një kërkesë – përmend disa plane

Politika

Situata kritike Rusi-Ukrainë, a po rrezikohet Kosova nga Serbia?/ Eksperti i sigurisë vjen me një kërkesë – përmend disa plane

Nga: A.M. Më: 27 janar 2022 Në ora: 13:52
Ushtria e Kosovës

Rusia ka vendosur 100 mijë trupa ushtarake në kufirin e Ukrainës. Krahas kësaj, shteti rus ka paralajmëruar për një pushtim të shtetit ukrainas, ku kësisoj mund edhe të shpërthejë ndonjë luftë.  

Nga ky tensionim, thuhet se do ta preket edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, ashtu që, në momentin kur Rusia do të mësyjë Ukrainën; Serbia do të sulmojë Kosovën.   

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar tensionet Rusi-Ukrainë dhe ndikimin e tyre në raportet Kosovë-Serbi.  

Fillimisht, ai përmendi politikat e jashtme të Rusisë, derisa bëri ndërlidhje me politikat e proklamuara të Qeverisë së Beogradit.  

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

“Në lidhje me situatën në të cilën gjendet rajoni i ish-vendeve të BRSS tregon që Rusia ka rikthyer në politikën e saj të jashtme luftën e saj për territore, duke arsyetuar që çdo shtet në të cilin jetojnë qytetarët rusë, ata e kanë të drejtën që të marrin nën “pushtim” dhe kjo është ajo politika që është duke proklamuar qeveria e Beogradit përmes dy ministrave të linjës së sigurisë dhe mbrojtjes”, deklaroi ai.  

Shala paralajmëroi se në rast të përkeqësimit të situatës, fuqitë e mëdha do të reflektojnë në gjendjen e sigurisë në rajon.  

“Pra, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që në rast të përkeqësimit të situatave në rajon dhe ndryshimeve gjeostrategjike, fuqitë e mëdha SHBA, Kina, Rusia, Franca, Gjermania, Britania mund të reflektojnë në gjendjen e sigurisë në rajon, e cila mund të përkeqësohet për faktin që edhe vetë anëtarët e NATO-s kanë drojën e dërgimit të ushtrive të tyre në një konfrontim të drejtpërdrejt më ushtrinë e Rusisë dhe me shumë janë duke përdorur taktikën preventive, se sa veprimin e reagimit faktik në terren”, theksoi eksperti i sigurisë.  

Më tej, ai kërkoi nga institucionet e sigurisë në vend që të bëjnë plane konkrete, derisa kërkoi edhe fillimin e funksionimit të diplomacisë ushtarake.  

“Nga kjo situatë mund të themi që sektori i sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë të jetë vigjilent dhe të ketë plane konkrete të veprimit preventive, ndërsa në nivelin politik diplomacia ushtarake të fillon funksionin e saj e jo siç ishte deri më tani duke mos u aktivizuar fare”, potencoi Shala.  

Krahas kësaj, eksperti i sigurisë përmendi agjendën e ministrit të Mbrojtjes së shtetit serb për formimin e “Botës serbë’.  

“Sepse, siç dihet ministri i Mbrojtjes së Serbisë është duke zhvilluar takime me çdo shtet potencial të mundshëm në lidhje me agjendën e tyre të një “Bote serbe”, duke arsyetuar veprimet e mundshme në nivel operative dhe taktik në terren duke shfrytëzuar situatën në Bosnjë dhe Mal të Zi, si dhe ajo në Kosovë dhe procesit të saj të përmbylljes të statusit final ndërkombëtar”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat