Një “kalë Troje” nga Serbia brenda territorit të Kosovës?/ Vjen porosia për Kurtin e Osmanin para nënshkrimit të marrëveshjes finale

Politika

Një “kalë Troje” nga Serbia brenda territorit të Kosovës?/ Vjen porosia për Kurtin e Osmanin para nënshkrimit të marrëveshjes finale

Nga: A.SH Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 14:12
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Tre ditë në Kosovë kanë qëndruar për vizitë përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai nga BE-ja, Miroslav Lajçak.

Ata të dy së bashku kanë takuar krerët e shtetit dhe të partive politike në Kosovë, përfshirë ata serb, ku temë diskutimi kanë qenë, dialogu mes Kosovës e Serbisë, formimi i asociacionit, liberalizimi i vizave etj.

Mesazhet kryesore të tyre ishin, se Kosova është shtet i pavarur e sovran, të cilës nuk mund t’i cenohet territori ose që të krijohen organizime të dyshimta, që mund të çojnë në bosnjëzimin e Kosovës. Por, po ashtu edhe emisari amerikan Escobar edhe ai i BE-së, Lajçak, ritheksuan qëndrimin e tyre fillestar, se marrëveshjet e nënshkruara duhet zbatuar, pa treguar për publikun nëse po mendonin në formën e asociacionit antikushtetues ose jo. Po ashtu ata bën thirrje që Kosova duhet të ketë një plan apo projekt të saj.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak vënë në diskutim çështjen e asociacionit, duke u përpjekur ta bindin kryeministrin dhe presidenten për një gjë të tillë.

“Çështja e Asosacionit është vënë në rend dite të diskutimit publik. Këtë çeshtje e risolli në vëmendje i deleguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe ndërmjetësi në dialogun e monitoruar nga BE, Miroslav Lajcak. Tri ditë në Prishtinë ata të dy u përpoqën të bindin presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti se "Nuk duhet të kenë frikë nga asosacioni i Komunave Serbe në Kosovë"! Ata po na thonë se ky asosacion nuk do të jetë i dëmshëm për autoritetin dhe funksionalitetin e shtetit. Po na thonë se as vetë Amerika dhe Europa nuk janë dakord që të vihet në vështirësi shteti dhe institucionet e vendit. Dhe këtë duhet ta besojmë. Unë e besoj se shumica dërmuese e politikanëve europianë dhe amerikanë nuk e duan krijimin e një Republike Srpska në Kosovë. Pra, janë për një shtet dhe për institucione funksionale. Sepse çdo vendimmarrje për të krijuar shtet paralel, e paralizon përparimin dhe zhvillimin si dhe konsolidimin e Kosovës si shtet e si shoqëri”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse kryeministri dhe presidentja po hezitojnë t’i thonë po një projekti, nuk do të thotë që është refuzim, por meditim.

Ai thotë se Kosova është nën presionin e formulës sipas së cilës "duhet me dhënë diçka në këmbim të marrëveshjes për njohje me Serbinë", e që sipas tij, ka dy paqartësi në këtë mes.

Image
Profesori Enver Bytyçi

 

“Megjithatë unë shoh se kryeministri dhe presidentja e Kosovës po hezitojnë t'i thonë po një projekti për krijimin e asosacionit në Kosovë. Hezitimi nuk është refuzim. Por është meditim. Meditimi në këtë rast shërben për të mundësuar arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kosova është nën presionin e formulës sipas së cilës "Duhet me dhënë diçka në këmbim të marrëveshjes për njohje me Serbinë"! Por për mua ka dy paqartësi: Së pari çfarë do të japësh? Do të japësh shtetin dhe shtetësinë për "pavarësinë"?! Siç dëshironte ta jepte Hashim Thaçi nën regjinë e Aleksandër Vuçiq dhe me ndihmën e Edi Ramës?! Apo do të japësh liri dhe të drejta demokratike për serbët, në funksion të forcimit të shtetësisë dhe institucioneve në Kosovë?! Nëse jep shtetin pë pavarësinë, atëherë ke humb jo vetëm pavarësinë, por edhe lirinë. E shqiptarët në skllavëri ishin edhe para luftës në Kosovë. Atëherë për çfarë arsye u sakrifikuan me mijëra jetë njerëzish dhe dëme të tjera katastrofale për ta fituar lirinë?! Prandaj ideja se duhet dhënë diçka për të fituar diçka, është mit i Serbisë, një mit që ka hy fatkeqësisht në mendjet e shqiptarëve kolaboracionistë në Kosovë e në Shqipëri. Kjo do të thotë se Beogradi me mjeshtri e ka fut djallin brenda të ashtuquajturve politikanë dhe analistë shqiptarë! Arritje më të madhe se kjo nuk do ta kishte ëndërruar as vetë kasapi I Ballkanit, Sllobodan Milosheviçi. Së dyti, autoriteteve të Kosovës u kërkohet një lloj dakordësie para se të japë garancitë Beogradi. D.m.th u thuhet udhëheqësve të Prishtinës "Pranoni ju asosacionin pa frikë, dhe në këmbim do ta keni njohjen"! Por, frika nuk ikën pse dikush thotë "Mos ki frikë"! Frika është diçka që lind bashkë me njeriun. Ndërkaq, askush nuk beson se Beogradi, pra Serbia do të pranojë njohjen de jure të shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj. Dhe nga ana tjetër, liderët serbë nuk do ta bëjnë këtë në asnjë rrethanë, nëse nuk arrijnë të krijojnë një "kalë Troje" brenda territorit të Kosovës. Këto që thashë më lart nuk janë deduksione, as ëndërra dhe fantazi. Janë realitete që i shohim çdo ditë në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Kosovës”, sqaron profesori.

Në fund ai deklaron se, Kosova nuk duhet të pranojë më të bëhet viktimë e presioneve në dobi të përfitimeve të Serbisë.

“Ok! Po pranojmë që t'i besojmë edhe zotit Escobar, edhe zotit Lajçak! Por firmat në një marrëveshjeje të mundshme midis dy vendeve do t'i hedhin përfaqësuesit legjitimë të Kosovës dhe Serbisë! Në këtë rast cili politikan i formatit jashtë Hashim Thaçit do të kishte besim te një firmë e pastër pro-shtetësisë së Kosovës nga liderët serbë?! Kjo nuk ka mundësi të ndodhë. Për këtë qëllim po përmend vetëm një fakt: Marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 në Uashington. Çfarë pike nga ajo marrëveshje ka realizuar Serbia dhe presidenti i saj?! Asnjë! Thjesht e përdor atë marrëveshje që Kosova të plotësojë detyrimet që i interesojnë Serbisë. Të njëjtën gjë bën edhe Lajçak kur kërkon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Dëshiron ta detyrojë për këtë Kosovën, por jo edhe Serbinë. Sipas atyre marrëveshjeve Serbia nuk duhet të instrumentalizojë serbët e veriut të Kosovës dhe serbët e tjerë në Kosovë. Duhet të respektojë kufijtë, doganat e shumëçka. Por nuk ndodh kjo. Kush po i kërkon llogari Serbisë për këto?! Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk duhet të pranojnë më të bëhen viktimë e presioneve në dobi të përfitimeve të Serbisë”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat