Listat e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve/ Analisti kërkon hetime

Politika

Listat e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve/ Analisti kërkon hetime

Nga: A.M. Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 23:03
Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka publikuar raportet për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve përgjatë viteve.  

Nga përllogaritjet vjetore del se deputetët e Kuvendit të Kosovës për udhëtime kanë shpenzuar 1 milion e 158 mijë e 70 euro për periudhën 2011-2021. 

Analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi publikimin e listës së shpenzimeve të deputetëve. 

Ai u shpreh se jo vetëm kjo listë, por edhe listat tjera që mund të dalin do të shpërfaqin edhe më shumë keqpërdorimet. 

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Jo vetëm lista e cila u bë tashmë publike rreth shpenzimeve me derivate, por edhe shumë të tjera që mund të dalin, do të shpërfaqin lëshime të vazhdueshme, e besa edhe keqpërdorime. 

Në fakt shpenzimet për udhëtim e derivate, janë legjitime përderisa nuk keqpërdoren siç po del që janë keqpërdorur. Në fakt, kur kemi të bëjmë me shpenzimet, mendoj që ka hapësirë hetimesh gjithandej”, deklaroi analisti.

Më tej, Duhanaj tha se është për keqardhje se në çfarë gjendje kemi rënë si shoqëri dhe bëjmë akuza për gjithçka, përderisa edhe tolerojmë gjithçka. 

“Çfarë është edhe me shqetësuese, është se nomenklatura e re qeveritare e cila erdhi në pushtet përmes akuzave, po dëshmohet që nuk bëjnë përjashtim fare dhe se akuzat paskan qenë nga inati se nuk kanë mundur të keqpërdorin vetë. 

Është për keqardhje se në çfarë gjendje kemi rënë si shoqëri. Bëjmë akuza për gjithçka, përderisa edhe tolerojmë gjithçka”, theksoi ai. 

Në fund, analisti potencoi se pavarësisht këtyre keqpërdorimeve, deputetët do vazhdojnë të votohen nga qytetarët. 

“Edhe përkundër faktit që tashmë kanë dalë këto keqpërdorime, të njëjtit prapë do të votohen nga votuesit, siç janë votuar vazhdimisht, sepse në Kosovë një intelektual i ndershëm, dhe pa fuqi financiare nuk votohet dot. 

Votohen ata që kanë para, madje edhe partitë me shumë o mbështesin të njëjtit sepse ne si shoqëri jemi të tillë. Si u hetuan, si nuk u hetuan, gjendja duket që nuk do të vazhdojë asnjëherë”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat