Afërsia e Abdixhikut me Ramën e Haxhiun/ Çfarë po përgatisin në prapavijë – analistët zbulojnë prapaskenat!

Politika

Afërsia e Abdixhikut me Ramën e Haxhiun/ Çfarë po përgatisin në prapavijë – analistët zbulojnë prapaskenat!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 prill 2022 Në ora: 19:31
Lumir Abdixhiku dhe Edi Rama

Zgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, solli entuziazëm të madh te elektorati i kësaj partie politike.

Largimi i ‘gardës së vjetër’ nga kryesia e LDK-së, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, u pa si shpresë e reformimit të thellë të këtij subjekti.

Humbja e Lutfi Hazirit dhe fitorja e Lumir Abdixhikut në garën për të parin e partisë, treguan qartë se anëtarët e LDK-së kishin vendosur që t’i japin një frymë të re partisë që ata e përfaqësojnë.

Megjithëse, në fillim zgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së u prit mirë, tani kanë filluar të ndryshojnë gjërat.

Veçanërisht rezultati shumë i mirë, madje më i miri në krahasim me partitë tjera në garën për zgjedhjet lokale, duke u bërë partia e parë, tani me qeverisje në 10 komuna, pasi fituesi si kandidat i pavarur, kryetari i Obiliqit, iu bashkua LDK-së, pak kohë më parë, dhe me qeverisjen në Prishtinë, ajo është partia me pushtetin më të konsoliduar në nivel lokal.

Por, një vizitë e tij e papritur në Shqipëri, madje me një pjesë të konsideruar të stafit, ka shtruar dilemën, se në çfarë formacionesh elitare apo grupore bën pjesë, Lumiri!

Nga respekti për fitore, diskutimi për motivet

Së pari afërsia e treguar me vizitën tek kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vlerësohet edhe si një mik i ngushtë i president serb, Aleksandër Vuçiqi ka filluar të shihet jo vetëm me skepticizëm, por me dyshime më të thella se në anën e kujt ndodhet Lumiri.

Po ashtu Edi Rama vetëlavdërohet për projektin “Ballkani i hapur”, i cili është kundërshtuar madje edhe nga vetë LDK-ja, dhe po vlerësohet se synimi i tij është përmbushja e interesave serbe, po edhe ruse.

Në kujtesën e opinionit ka mbetur, si njollë edhe një takim i tij, para se të zgjidhej kryetar, me Baton Haxhiun, një figurë shumë e dyshimtë, në aspektin kombëtar dhe i përmendur në Hagë nga Millosheviçi, si ‘një njeri i tyre’.

Madje, edhe bashkëpunimi i afërt Abdixhiku-Rama, po thuhet të ketë paraprijës apo ndërmjetës Baton Haxhiun.

Derisa dihen raportet e ngushta në mes të Haxhiut dhe Ramës, lindin dyshimet se në zgjedhjen e Abdixhikut në krye të LDK-së kanë pasur ‘dorë’ Rama dhe Haxhiu.

Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot” komentuan trekëndëshin Abdixhiku-Rama-Haxhiu dhe prapavijat e bashkëpunimit të tyre.

Bytyçi: Abdixhiku i kapërceu ‘vijat e kuq’!

Image
Profesori Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se Abdixhiku fillimisht u prit mirë në krye të LDK-së, mirëpo që më pas duke dashur të hiqet si lider “modern” i kapërceu disa vija të kuqe.

“Ardhja e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës u prit mirë për dy arsye: Së pari se ai ishte shfaqur si kundërshtar i Isa Mustafës dhe zhgënjimi me ish-kryetarin zgjoi shpresa me ardhjen e kryetarit të ri. Së dyti, sepse mendohej se Abdixhiku ka një lloj marrëdhënieje më të mirë me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin. Në rastin e dytë mbështetësit e LDK-së shpresonin në bashkimin e Lëvizjes Guxo me Lidhjen Demokratike.

Por, më pas zoti Abdixhiku, duke dashur të hiqet si lider “modern” i kapërceu disa vija të kuqe. Filloi të bashkëpunojë me Edi Ramën. Dmth me perversitetin!”, deklaroi ai.

Rrjedhimisht, Bytyçi përmendi faktin se i gjithë ky bashkëpunim po vjen nga premtimi i Ramës për ngritjen e përmendores së Rugovës në Tiranë.

“Ky bashkëpunim dhe sidomos takimi i fundit u shit si “shërbim ndaj Lidhjes Demokratike” për shkak se paska marrë premtimin që presidentit Rugova t’i ngrihej përmendore në Tiranë.

Gjithkush natyrshëm bën pyetjen: Pse Edi Rama e bllokoi këtë gjatë këtyre 1—16 viteve si kryetar i Bashkisë dhe si kryeministër i vendit dhe tani paska ndërruar mendje?! Ka edhe një pikëpyetje tjetër: Pse Lulzim Basha nuk e realizoi në katër vitet e qeverisjes së tij të kryeqytetit? Për Lulin nuk mendoj njësoj si për Ramën në këtë rast. Por, pikëpyetja qëndron”, theksoi profesori.

Dyshimet për bashkëpunimin Rama-Abdixhikut, sipas modelit Rama-Basha

Madje, ai hodhi dyshime se bashkëpunimi midis Ramës dhe Abdixhikut është në të njëjtin model siç ishte bashkëpunimi Rama-Basha, ku në mes tyre duhet të jetë Sorosi!

“Çfarë magjie përdori Lumir Abdixhiku që t’ia ndërrojë mendjen Edi Ramës, gjithnjë nëse ia ka ndërruar! Rrethanat dhe pozicionet nuk kanë ndryshuar! Rexhep Qosja është nxitësi i vendimeve anti-Rugovë të Edi Ramës. Dhe Qosja jeton edhe sot, madje është bërë shumë aktiv. Atëherë pse ndryshoi? Dyshimet shkojnë te bashkëpunimi midis Ramës dhe Abdixhikut në të njëjtin model siç ishte bashkëpunimi Rama-Basha! Në mes tyre duhet të jetë Sorosi! Por, Abdixhiku ka përparësi, sepse me Sorosin në krah shfaqen edhe Albin Kurti e Vjosa Osmani! Jo në formatin dhe në cilësinë servile të Hashim Thaçit, por ama ata shpesh bëhen bashkë.

Nëse Abdixhiku gjendet në sofrën e Soros, ne nuk e dimë se çfarë kreditesh ka e do të ketë. Por, një gjë e dimë se kjo lidhje e çon në varësi të Edi Ramës. Pra, nuk është monumenti ose busti i Rugovës në Tiranë shkaku i kësaj lidhjeje. Pa diskutim që kjo lidhje është në favor të Edi Ramës dhe strategjisë së tij për ta përçarë edhe më tej skenën politike të Kosovës”, nënvizoi Bytyçi.

Takimet e Abdixhikut me Ramën e Batonin hapin dyert e takimeve me presidentin e Serbisë!

Tutje, profesori përmendi edhe takimet e Lumir Abdixhikut me Baton Haxhiun. Ai tha se takimet e Abdixhikut me Ramën e Batonin hapin dyert e takimeve me presidentin e Serbisë.

“Informacionet na thonë se zoti Abdixhiku është takuar më herët edhe me Baton Haxhiun. Ku është Batoni është Edi Rama dhe ku është Batoni e Edi, është edhe Aleksandër Vuçiqi. Ndoshta disa politikanë shqiptarë e shohin me interes të bëhen pjesë e kësaj sofre. Batoni është udhërrëfyesi. Pa udhëzimet e tij nuk shkohet deri te Rama. Ndërsa kur mbërrin te Rama të hapet dera të shkosh edhe te Vuçiqi.

Jam i sigurt se takimet e Abdixhikut me Ramën e Batonin hapin dyert e takimeve me presidentin e Serbisë. Dikush mund të thotë: Po ç 'lidhje ka kjo? Po, ka lidhje. Në zgjedhjet lokale LDK doli parti e parë. Ka indicie se opozita, sigurisht me mbështetjen e Listës Srpska, do të bëjë shumicën në zgjedhjet e ardhshme pas tri vitesh. Abdixhiku në këto parti zë vendin e parë. Pra ai do të jetë kryeministër. Atëherë dikush duhet të punojë me këtë politikan që t’i afrojë qëndrimet me Ramën dhe Vuçiqin. Ky person është Baton Haxhiu. Të njëjtën gjë ka bërë Batoni me shumë politikanë në Kosovë dhe në Shqipëri”, vlerësoi ai.

Në fund, Bytyçi potencoi se Rama, Vuçiqi dhe Batoni janë të gatshëm t’ia bëjnë përmendoren Rugovës, vetëm që ta përfitojnë Abdixhikun për nbështetje të politikave serb.

Ai e sqaroi se këto janë disa hipoteza të tij, që lidhen me luhatjet në qëndrimet e kryetarit të LDK-së.

“Monumenti apo busti i Rugovës janë thjesht sebepi. Edi Rama, Vuçiqi, Batoni me ta, janë gati t’ia ngrenë një përmendore Ibrahim Rugovës që ta fitojnë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në favor të politikave serbe në Ballkan. Kjo duket edhe nga qëndrimet asnjanëse të kreut të Lidhjes së Demokratike ndaj Open Balkan.

Këto që thashë janë hipoteza. Nuk janë dëshmi krejt të sakta. Por që shoh një luhatje në qëndrimet e zotit Abdixhiku, kjo është aksiomatike. Nuk është hamendësim. Sinqerisht nuk do të doja t’i bija në qafë kreut aktual të LDK-së. Por, edhe nëse e teproj, do të doja që ai t’i marrë këto si këshilla të vlefshme. Do isha i lumtur që të gaboj në këto parashtrime që përmenda”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Zeqiraj: Baton Haxhiu, edhe pse duket "kartë e djegur", ai po faktorizohet në Shqipëri

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” komentoi takimet e Abdixhikut me Ramën e Haxhiun.

Fillimisht, ai tha se Bato Haxhiu tentoi të denigroj figurën e Presidentit Rugova, prandaj kjo do duhej të mjaftonte që anëtarët e LDK-së të mos takohen me atë.

“Thonë se politika është art i së mundshmes. Por, edhe politika duhet të këtë një dozë morali. Baton Haxhiu, edhe pse duket "kartë e djegur", ai nuk dorëzohet. Largohet nga Kosova, si i konsumuar, politikisht e moralisht, por faktorizohet në Shqipëri. Komandantët e zunë "me pelë për dore" Batonin, në flirtim me Stanishiçin, ministër i Brendshëm i Millosheviçit.

Në këmbim të jetës, ai mori disa detyra. E para, nga ato ishte fyerja dhe denigrimi publik i Presidentit Rugova. Dhe, Batoni e bëri pakursyeshëm. Ai nuk ka kërkuar falje as sot e kësaj dite. Kjo mjafton që kuadrot e LDK-së, nuk duhet të koketojnë, qoftë edhe për një kafe me Baton Haxhiun”, deklaroi publicisti.

Krahas kësaj, Zeqiraj rikujtoi kohën kur Rugova u kidnapua nga forcat serbe të urdhëruara nga Millosheviçi, dhe u dërgua në Beograd, ku më pas shpërthyen akuzat nga presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani.

“Kur Presidenti Rugova u kidnapua në Rezidencën e tij, në Prishtinë dhe u dërgua në Beograd te Millosheviçi, presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, e akuzoi për tradhti. Disa "komandantë" pa ushtarë, pa hyrë fare në betejë në Kosovë, e përsëritën, madje zellshëm, fyerjen e Mejdanit. Nuk ishte, thjeshtë, punë inati, që Rugova i anashkaloi, deri në harresë, krerët social-komunistë të Tiranës zyrtare. Dhe, mirë bëri, sepse ata, me ideologjinë e tyre të mykur "alla enveriane", zgjodhën sojin e tyre, Hashimin me lukuninë e tij”, theksoi ai.

Zhbërja e pluralizmit politik në Shqipëri dhe kthimi në monizmin e dekadave më parë, është përgjegjësi e Edvin Ramës

Gjithashtu, publicisti thotë se në Shqipëri u formua banda puçiste e LPK-së, ku më pas u themelua edhe SHIK-u.

Ai vlerëson se përçarja dhe diferencimi i popullit, është krim i Ramës, me shokë, të cilët e mbështetën soji i tij në Prishtinë

“E dhimbshme, por krejt e vërtetë, Tirana zyrtare instruktoi bandën puçiste të LPK-së, për ta marrë pushtetin me dhunë. Themeluan SHIK-un, kompozuan Qeverinë e Përkohshme të Hashimit, me emërues të përbashkët: krimin e organizuar, përkatësisht, vrasje e listuar politike, gjatë dhe pasluftës, të oficerëve luftëbërës të FARK-ut, kuadrot e veprimtarët e LDK-së të Presidentit Rugova dhe kuadrot e hershëm të LPK-së.

Zhbërja e pluralizmit politik në Shqipëri dhe kthimi në monizmin e dekadave më parë, është përgjegjësi e Edvin Ramës, me bandën e social-komunistëve të tij. Përçarja dhe diferencimi i popullit, është krim i Ramës, me shokë, të cilin e mbështetën soji i tyre në Prishtinë, por, edhe disa ndërkombëtarë, duke shkelur parimet elementare të demokracisë. Në këto rrethana të autokracizmit dhe anakronizmit, për epokën plurale e digjitale”, nënvizoi Zeqiraj.

Ndërsa, takimet e Edi Ramës dhe Lumir Abdixhikut, ai i sheh si të tepërta dhe të panevojshme.

“Rrjedhimisht, edhe vizita e shtatorit të vitet të kaluar, e Ramës në Prishtinë, si dhe vizita e marsit të këtij viti, e Abdixhikut në Tiranë, mendoj se ishin të panevojshme, të tepërta. Bojkoti i LDK-së, karshi Ramës, do të ishte solidarizim me shqiptarët opozitarë në Shqipëri, të fyer dhe të përbuzur, nga anarkisti, aventurieri e super-narcisti, Edi Rama.

Abdixhiku udhëtoi në Tiranë, së bashku me disa anëtarë të Kryesisë të LDK-së. Rama e pasqyroi takimin në Facebook:

"...kishim një bashkëbisedim shumë të hapur e miqësor me kryetarin reformator të LDK-së, Lumir Abdixhikun me delegacionin nga Prishtina"”, potencoi publicisti.

Më tej, Zeqiraj i kundërshtoi deklaratat se Abdixhikun e kanë ndihmuar Rama dhe Haxhiu për të ardhur në krye të LDK-së, Ai vlerëson se ato janë vetëm përfolje të gardës së vjetër të LDK-së.

“Disa analistë kanë dhënë opinionet e tyre, se Baton Haxhiu dhe Edvin Rama, një tandem për punë të liga, dyshohen se kanë ndihmuar në ardhjen e Lumir Abdixhikut, në krye të LDK-së, duke u nisur nga një ndejë e ngrohtë e Lumirit me Batonin, në një lokal në Prishtinë, si dhe vizitën dhe ngrohtësinë e pritjes dhe takimit Rama-Abdixhiku, në Tiranë. Kjo ka rrjedhur nga përfoljet e disave nga garda e vjetër, të mbetur jashtë Kryesisë, në Kuvendin e 10-të Zgjedhor të LDK-së. Edhe PAN-istët e bënë detyrën e tyre, me qëllim të nxirjes sa më shumë të kryetarit reformator”, thotë ai.

Në fund, publicisti shpjegoi se Abdixhiku u zgjodh kryetar i LDK-së, pasi për shumë vite LDK-ja ishte bërë patericë e PDK-së dhe anëtarësia ishte e lodhur nga kjo politikëbërje.

“Personalisht, kam qenë delegat, nga Dega e LDK-së në Gjermani, në 4 (katër) Kuvendet e fundit të LDK-së, në Prishtinë, përfshirë edhe Kuvendin e 10-të Zgjedhor, ku Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i LDK-së, me praninë e 350 delegatëve. Për shumë vite, LDK-ja qe bërë patericë e PDK-së, duke e mbajtur në pushtet atë dhe duke kulmuar me zgjedhjen e Hashimit president. Anëtarësia ishte mërzitur e lodhur me zgjedhjet fiktive, aklamative, duke e ricikluar një klan, që u akuzua për opozitarizëm në pafundësi”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat