Sulmet e partisë së Ramës kundër Rugovës dhe LDK-së/ Publicisti nga Gjermania vjen me rrëfimin e padëgjuar më parë

Politika

Sulmet e partisë së Ramës kundër Rugovës dhe LDK-së/ Publicisti nga Gjermania vjen me rrëfimin e padëgjuar më parë

Nga: A.M Më: 8 prill 2022 Në ora: 22:57
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Takimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka nxitur reagime të shumta në opinionin pubilk.

E në lidhje me raportet e LDK-së dhe Partisë Socialiste të Shiqpërisë (PS) ndër vite për gazetën “Bota sot” foli publicisti, njëherësh zëdhënës i Degës të LDK-së, në Gjermani, Idriz Zeqiraj.

Fillimisht, ai tha se marrëdhëniet LDK-PS ndër vite kanë qenë të ftohta dhe kjo lloj marrëdhënie daton që nga viti 1990.

“Lushnjarët tanë, kanë një shprehje-urtësi, për gjërat e ftohta, i krahasojnë me "buzët e gjyshit". Për shembull, "është bërë gjella buzë gjyshi", pra është ftohur.Diç e tillë mund të thuhet edhe për marrëdhëniet partiake, ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS). Ato kanë qenë dhe mbetën, tradicionalisht, "buzë gjyshi", pra, të ftohta. Dhe, arsyet janë, thellësisht, parimore. Dhe, kjo marrëdhënie daton që nga viti 1990 dhe vazhdon sot e kësaj dite. Kush thotë ndryshe, mashtron e gënjen, qëllimshëm e hipokrizisht”, deklaroi Zeqiraj.

Image
Publicisti, njëherësh zëdhënës i Degës të LDK-së, në Gjermani, Idriz Zeqiraj.

Zëdhënës i Degës të LDK-së, në Gjermani kujtoi pyetjen që redaksia e ‘Zërit të Amerikës’ drejtuar ish-presidentit Ibrahim Rugovës në lidhje me “Ballin Kombëtar” dhe përgjigjen e tij.

“Në vitin 1990, në fillet e pluralizmit partiak, Redaksia e "Zërit të Amerikës", përmes valëve telefonike, i bëri një pyetje bazike, kryetarit të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova: "Zoti Rugova, Qeveria komuniste e Shqipërisë, për gjysmë shekulli me radhë, e ka akuzuar "Ballin Kombëtar" si "kolaboracionist e tradhtar"! Çfarë është, realisht, për ju Organizata e "Ballit Kombëtar?"

Dr. Rugova: Veç tjerash, deklaroi: "Organizata e "Ballit Kombëtar" nuk ka qenë as kolaboracioniste dhe as tradhtare. Përkundrazi, ajo ka qenë Lëvizje Kombëtare, vazhdimësi e "Lidhjes së Prizrenit", me programin e "Dekalogut" të saj, e drejtuar nga djali krenar i Abdyl Frashërit, Mit`hati. "Balli Kombëtar" ishte një Lëvizje për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve, në Shqipërinë Etnike””, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zeqiraj u shpreh se nga kjo deklaratë e Rugovës filloi edhe trajtimi armiqësor i PS-së ndaj LDK-së.

“Kjo deklaratë parimore dhe historike, e Dr. Rugovës, daton plot 32 vjetë më parë. Që këtej fillon trajtimi armiqësor i LDK-së nga PSSH-ja, njësoj si qëndrimi ndaj "Ballit Kombëtar"! Veçse më një ndryshim të "vogël": Kriminelët komunistë shqiptarë, nën diktatin e emisarëve jugosllavë: Mugoshës dhe Popoviçit, i vranë, si "derrat e egër", ballistët, nacionalistët, atdhetarët shqiptarë, të rreshtuar në Organizatën kundra komuniste "Balli Kombëtar"”, shpjegoi publicisti.

Image
Presidenti Ibrahim Rugova

PS-ja e sotme, është trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e partisë moniste-komuniste shqiptare

Në vazhdim, ai potencoi se partia e Edi Ramësvazhdimisht ka fyer e denigruar figurën e presidentit Rugova dhe LDK-në.

Publicisti tha se kjo sjellje idioteske e hiç vëllazërore, i ka rrënjët në ideologjinë e saj të mykur sllaviste.

“Për rrjedhojë, PS-ja e sotme, është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e partisë moniste-komuniste shqiptare. Dhe, krerët e saj, në vijimësi, kanë fyer e denigruar Presidentin Rugova dhe LDK-në e tij. Kjo sjellje jo-miqësore, ka kontaminuar, helmuar edhe strukturat e PS-së. Kjo sjellje idioteske e hiç vëllazërore, i ka rrënjët në ideologjinë e saj të mykur sllaviste.

Distancimi dinjitoz i Ibrahim Rugovës, nga diktatori filosllav Enver Hoxha dhe partia e tij, i cili, luftën çlirimtare në Shqipëri, e konvertoi në luftë civile, qytetare, nën diktatin e emisarëve të Titos; anashkalimi, mos nderimi i Hoxhës, përkatësisht, varrit të tij ke monumenti "Nënë Shqipëri", në Tiranë”, vlerësoi Zeqiraj.

Image
Lumir Abdixhiku dhe Edi Rama

Më tej, publicisti përmendi edhe faktin se si kryeministri Rama me partinë e tij politike nuk kërkuan asnjëherë falje ndaj LDK-së, për sulmet e sinkronizuara, kundër saj, me ata të PAN-it në Kosovë.

“Rrjedhimisht, për derisa Edvin Rama, me PS-në e tij, nuk i kanë kërkuar asnjëherë falje LDK-së, për mbështetjen sabotuese të luftës, që i bënë krerët e LPK-së puçiste, fillimisht, në mërgatë, më vonë, edhe në Tiranë; urdhrin për largimin e oficerëve të FARK-ut, nga Shqipëria, pas dështimit të Marrëveshjes të Osllos, për bashkimin e faktorit ushtarak, për ndryshe do të vriteshin; për sulmet e sinkronizuara, kundër LDK-së, të agjit-propit shqiptar, me ata të PAN-it në Kosovë.

Dhe, para se gjithash, pa i kërkuar falje opozitës shqiptare, të përfaqësuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, si dhe shqiptarëve, të kudondodhur, për lëndimin e madh, mendor e shpirtëror, të tyre, baltosjen dhe përdhosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, i kërkuar për gjysmë shekulli radhazi dhe i fituar me gjak e sakrifica. Prandaj, as LDK-ja dhe as kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, nuk janë të autorizuar, ta rehabilitojnë as Edvin Ramën dhe as partinë e tij, PSSH-në, si mbeturinë e monizmit enverist”, theksoi ai.

Image
Lumir Abdixhiku

Në fund, Zeqiraj kërkoi nga dy shtetet shqiptare që t’i koordinojnë tregtitë dhe shkëmbimin e mallrave.

Ai konsideron se Kosova gjithherë ka prirë në këtë drejtim, por që tani, radhën e ka Shqipëria.

“Ndërkohë, është interes i dy shteteve shqiptare, ta koordinojnë tregtinë reciproke, shkëmbimin e mallrave, sepse kjo është në interes të popullit në Shqipëri dhe Kosovë. Por, ky koordinim dhe bashkëpunim, duhet të jetë në nivel të ministrive dhe të ekspertëve përkatës.

Barrierat burokratike dhe, pak më shumë, nuk guxojnë të jenë pengesë, për një bashkëpunim të sinqertë dhe vëllazëror. Kosova gjithherë ka prirë në këtë drejtim. Tani, radhën e ka Shqipëria. Dhe, këtë mund ta bëjnë vetëm burrështetasit, atdhetarë të devotshëm”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat