Arrestimet masive të policëve, rezultat i aksioneve të luftës kundër krimit

Politika

Arrestimet masive të policëve, rezultat i aksioneve të luftës kundër krimit

Nga: A.Z Më: 10 prill 2022 Në ora: 15:03
Pamje nga aksioni

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria e Speciale kanë zhvilluar një aksion të koduar “Pika 2”, në pikat kufitare në Vermicë.

26 policë të tjerë kufitarë janë arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lidhur me këtë aksion, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se aksionet e tilla janë të drejta, madje sipas Kelmendit edhe e forcojnë shtetin ligjor.

Ai shtoi se edhe pse nuk dihet se a ka prova apo jo, konstatimin përfundimtar e jep gjykata.

“Aksionet e luftës kundër krimit janë domethënëse për shtetin ligjor. Në Kosovë kanë filluar edhe aksionet e arrestimit të njerëzve që punojnë në polici dhe të vetë policëve me akuza të dyshimta për vepra penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të kontrabandës. Nuk di se a ka prova për arrestime! Mirëpo, aksionet e tilla kundër çdo kujt që dyshohet për vepër penale, janë të drejta dhe ato forcojnë shtetin ligjor. Konstatimin përfundimtar e jep gjykata. Nëse ka prova për veprimtari kriminale bëhen edhe arrestimet, kuptohet jepen edhe dënimet. Këtej është ana pozitive e kapjes së njerëzve, pavarësisht nga pozita që ka në shoqëri”, theksoi ai.

Tutje shtoi se për arrestime duhet të ketë fakte, sepse sipas Kelmendit, pa fakte dhe pa prova nuk duhet lejuar të arrestohet askush, madje as të dënohet.

“Para ligjit kërkohet që të kemi njëjtësi ligjore. Në rrugën e tillë duhet patur kujdes pikërisht organet e luftës kundër krimit dhe kontrabandës. Ligji qëndron mbi keqpërdorimin e pozitës së shtetit, kontrabandës dhe veprave tjera penale. Nëse duhet për të treguar suksesin, nuk bëhen arrestime në kundërshtim me ligjin. Ligji nuk cakton masën e arrestit pse ka dyshime, por pse ka fakte për vepër penale. Pa fakte, prova dhe dëshmi nuk lejohet të arrestohet askush dhe as të dënohet. Shteti ligjor kërkon prova. Përndryshe, njeriu ka vlerë mbi vlerat. Shkurtë: Lufta kundër krimit dhe dukurive të sajë duhet të bëhet në bazë të ligjit”, potencoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat