Biden mirëpret Osmanin dhe Kurtin, Vuçiq i padëshiruar në Shtëpinë e Bardhë

Politika

Biden mirëpret Osmanin dhe Kurtin, Vuçiq i padëshiruar në Shtëpinë e Bardhë

Nga: P.R Më: 11 prill 2022 Në ora: 11:12
Joe Biden

Profesor, doktor Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me fotografinë që ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq e publikoi me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Sipas tij, lobimi i Gjuriqit te ligjvënësit amerikanë ka dhënë frytet e veta.

“Marko Gjuriq shkoi ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një optimizëm të madh përfaqësimi të Serbisë në Uashington. Në fakt ai ka mundur që të krijojë një klimë të re të marrëdhënieve serbo-amerikane. Ai ka lobuar fort që sa më shumë senator e ligjvënës amerikanë të mbështesin politikat dhe strategjitë serbe në rajonin tonë. Ka bërë gjithçka që të penetrojë në Shtëpinë e Bardhë, derisa këto ditë hyri atje dhe takoi presidentin Biden. Sigurisht që ky është një sukses i Gjuriq”, thotë Bytyçi.

Ai thekson se vizita e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë ka dy anë.

“Po a është takimi i ambasadorit të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë një sukses apo mossukses i presidentit Aleksandër Vuçiq?! Unë besoj se kjo ngjarje ka dy anë. Për disa takimi i Marko Gjuriq me presidentin amerikan është kthesë në imazhin dhe marrëdhëniet serbo-amerikane. Dhe nuk mohohet se është sukses edhe i diplomacisë amerikane ky! Prandaj dhe takimin në fjalë e përshëndeti gjithashtu ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill! Megjithatë ka dhe një lexim tjetër. Presidenti i SHBA-ve tradicionalisht pret në zyrën ovale të tij kryetarë shtetesh dhe kryeministra të vendeve të tjera. Nuk pret ambasadorë. Në këtë këndvështrim vizitën e ambasadorit serb e shoh si sukses personal. Nëse SHBA-të do të prisnin në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Serbisë, atëherë do të thonim se marrëdhëniet SHBA-Serbi do të merrnin një kthesë historike. Por jo. Kjo nuk ka ndodhur dhe në kushtet e sotme nuk do të ndodhë”, shprehet profesor Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Asoc Enver Bytyçi

Ai thotë se Aleksandër Vuçiq vazhdon të jetë person i padëshiruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Sigurisht që Gjuriq ka lobuar edhe te Presidenti Biden që të ngrihen marrëdhëniet e dy vendeve në shkallë më të lartë. Kam përshtypjen se presidenti Vuçiq nuk është ende i dëshirueshëm në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë që vizitën e Gjuriq e shoh si një sinjal që i jepet Beogradit për t’u shkëputur nga ndikimi dhe aleanca me Rusinë. Ajo që po ndodh në Ukrainë ka edhe një arsye: Shërben dhe do të shërbejë që Serbia të përcaktohet përfundimisht me kë do të jetë – Me Rusinë e Vladimir Putin, apo me Evropën dhe SHBA-të?! Në këtë kuadër përdoren dhe mekanizma të tjerë si kjo vizita e Marko Gjuriq në Shtëpinë e Bardhë”, thekson Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, Serbia synon të mbajë qëndrim të dyfishtë.

“Dihet tashmë se presidenti i Serbisë mban një qëndrim të dyfishtë: Edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin. Ndërkaq një pjesë e madhe e politikanëve serbë janë kategorik që të mbajnë lidhjet historike me Moskën. Këta politikanë, ku bëjnë pjesë edhe kreu i parlamentit, Ivica Daçiq e ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, kundërshtojnë me forcë çdo mundësi që Serbia të shkëputë lidhjet me Rusinë. Kjo kategori politikanësh mbështeten nga 70 përqind e qytetarëve serbë”.

Por a është vizita e Gjuriqit në Shtëpinë e Bardhë alarm për Kosovën?

“Opozita u përpoq ta trajtojë si alarm e sidomos si “dështim” të qeverisë Kurti në marrëdhëniet me SHBA-të. Por nuk është kështu. Me këtë nuk dua të justifikoj ndonjë gabim të zotit Kurti në këto marrëdhënie. Ka mundur të dëshmojë më shumë fleksibilitet. Por entuziazmi i opozitës për ta fajësuar Kurtin është i papranueshëm dhe cinik. Derën e Shtëpisë së Bardhë për Serbinë dhe Aleksandër Vuçiq e hapën të tjerë. Janë Edi Rama dhe Hashim Thaçi dy më kryesorët. Por kanë rol për rehabilitimin e Serbisë edhe opozitarët e sotëm të Kosovës. Ta transferosh fajin tënd të albin Kurti është hipokrizi”, deklaron Bytyçi.

Ai shton se Kosova nuk duhet të bëhet “kurban” i asnjë kthese në politikën dhe diplomacinë serbe.

“Madje mendoj se afrimi i Serbisë me Perëndimin është interes i Kosovës dhe i shqiptarëve. Por ne nuk duhet të bëhemi kurban i kësaj kthese në politikën dhe diplomacinë serbe. Kjo është në dorën tonë. Një Serbi pro-perëndimore pa dëmtuar interesat shtetërore dhe territorial të Kosovës është interes yni! Shqiptarët duan të jetojnë në paqe. Por paqen e pengon njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Prandaj duhet këmbëngulur në këtë pikë pa bërë lëshime”.

Bytyçi kritikon edhe opozitën, e cila po e akuzon Kurtin për mos vizitën deri më tani në SHBA.

“Zoti Kurti nuk është përgjegjës pse dikush në Serbi viziton DASH ose Shtëpinë e Bardhë. Kjo është politikë e Uashingtonit. Këta që bëjnë përgjegjës Kurtin, më duken se mbajnë të njëjtat qëndrime si diktatori Hoxha, i cili donte t’i imponohej Kinës në politikën e jashtme. Është shumë e rëndësishme që kryeministri e presidentja e Kosovës t’i përmbahen parimeve të demokracisë në ushtrimin e qeverisjes dhe kjo do të bëjë që marrëdhëniet Kosovë-SHBA të ndërtohen bazuar jo vetëm në interesa gjeopolitike e gjeostrategjike, por edhe në vlera të përbashkëta. Nuk duhet të harrojmë se në këtë mënyrë këto lidhje bëhen të pacenueshme”, thekson Bytyçi.

Për fund, ai thotë se Biden shumë shpejt do t’i presë në takim Osmanin dhe Kurtin.

“Praktikisht unë besoj se në Shtëpinë e Bardhë nuk do të pritet ambasadori i Kosovës në Uashington, por vetë kryeministri Kurti e presidentja Osmani! Do të jetë presidenti Biden mikpritës i tyre. Dhe në këtë rast do të rikonfirmohet pandryshueshmëria e politikave strategjike të përbashkëta!”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat