Prishtina në 100 ditët e Përparim Ramës

Politika

Prishtina në 100 ditët e Përparim Ramës

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 13 prill 2022 Në ora: 18:34
Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama – dje ka shënuar 100 ditëshin në krye të udhëheqjes komunale. Për shumë arsye qeverisja e tij ka qenë nën hije, duke nisur ndoshta edhe prej faktit se ka shumë pak përvojë në skenën politike vendore.

Një arkitekt shqiptar i kthyer nga Londra, me një bagazh profesional, në verën e vitit 2021, prezantohet para Bibliotekës Kombëtare, nga kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Këtu filloi edhe zyrtarisht aventura e Përparim Ramës në skenën politike.

Matematikat nuk funksionuan

Në sy të opinionit publik, gara për Prishtinën ishte pothuajse e mbyllur ende pa u hapur. Për faktin e vetëm se, kandidati i Vetëvendosjes, Arben Vitia, vinte në fushatë si një favorit i padiskutueshëm. Punët intensive në kohën e pandemisë, kishin krijuar një profil të dashur për publikun dhe elektoratin e kryeqytetit.

Por, matematikat nuk funksionuan ashtu siç pritej, sepse Përparim Rama arriti që të dilte më i preferuar për votuesin e Prishtinës, pas zgjedhjeve të balotazhit, në vjeshtën e vitit të kaluar.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga marrja e mandatit, Rama ende nuk po mundet të lë gjurmë në pozitën e kryetarit. Opinioni publik në këto 100 ditë, nuk ka dëgjuar shumë për aktivitetet ose vendimet që janë marrur nga Komuna e Prishtinës. Një qeverisje e zbehur, pa energji dhe me shumë pak zhurmë.

Komuna e Prishtinës ballafaqohet me probleme të shumta, në mesin e tyre shumë edhe urgjente, e që kërkojnë trajtim të menjëhershëm.

Filmi i metrazhit të shkurtër, nën regjinë e Përparim Ramës, fillon me inspektimin e rrugëve, e sidomos asaj të famshmes “Muharrem Fejza”, e deri tek kërkesa ndaj qeverisë së Kosovës, për të ndihmuar Komunën e Prishtinës, sa i përket trajtimit të qenve endacak.

Gjatë ditës së djeshme, zyra për informim e Komunës ka nxjerrur një raport në lidhje me 100 ditëshin e punës, ku janë paraqitur aktivitetet dhe punët e mira sipas tyre.

Lidhur me këtë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analistit politik, Gazmir Raci thotë se qeverisja e Ramës nuk ka lënë shumë gjurmë në këto 3 muaj.

“Sipas raportit të publikuar dje nga kryetari i kryeqytetit, aty shihet se ai ka realizuar vetëm takime me qytetarë, me ministra, vizita në terren e mbi të gjitha 12 orë diskutime në Kuvendin Komunal”, thotë Raci.

Image
Gazmir Raci

Pritjet: nuk ka zgjidhje për problemet si ndërtimi ilegal, kaosi në trafik...

Sipas tij nuk ekziston ndonjë optimizëm se diçka mund të ndryshoj për të mirë në Prishtinë, nën udhëheqjen e Përparim Ramës.

“Në bazë të raportit dhe punës që e kemi shikuar në këto 100 ditë, nuk pres që Prishtina të gjejë zgjidhje për problemet e mëdha që ka me ndërtimin ilegal, kaosin në trafik, ajrin e ndotur dhe lloçin nëpër rrugët e qytetit”, shprehet Raci.

Në fund, Gazmir Raci e përmend edhe një shprehje të urtë, e që e ndërlidhë me Ramën si kryetar i Komunës së Prishtinës.

“Një fjalë e urtë thotë se “Dita e mirë shihet në mëngjes”.

Sa i përket raportit të publikuar, ka reaguar edhe Vetëvendosje, qendra e Prishtinës, ku në një komunikatë për media, kanë kritikuar punën e dobët të Ramës dhe neglizhencën e treguar gjatë këtyre 100 ditëve.

“Raporti ofendues i Komunës së Prishtinës. Asgjë nuk e shpërfaqë më mirë mospunën e qeverisjes së Komunës së Prishtinës se sa fletushkëza që të njëjtit sot e publikuan në rrjetet sociale dhe të cilën e paskan pagëzuar si “Raporti i Punës”.

Një paraqitje e tillë e punëve, ose më mirë të themi asaj që ata e quajnë “punë”, është ofendim i rëndë për qytetarët e Prishtinës.

Prezantimi i takimeve përgëzuese për pranimin e detyrës dhe intervistave televizive si të arritura apo punë të bëra nuk ka si quhet ndryshe përveç se ofendim për qytetarët.

Në ato 23 faqe, të mbushura me foto, nuk ka asgjë konkrete e më së shumti ka të pavërteta”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Vetëvendosjes.

Redaksia e gazetës “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, për të adresuar kritikat e opozitës, përfshirë drejtorët komunal, por ata nuk kanë pranuar të flasin specifikisht për këtë temë sepse sipas tyre krejt ajo se çka duhet thënë është e publikuar në raportin e ditës së djeshme.

Sigurisht se është pak herët të konkludojmë sa i përket Përparim Ramës dhe Prishtinës së tij të përjetimeve, por nëse nisemi nga indikacionet e para – kjo qeverisje e tij lë shumë për të dëshiruar dhe nëse vazhdon me energjinë e njëjtë të udhëheqjes, vështirë se pas 4 viteve, ai do ta ketë mundësinë që ta fitojë edhe një mandat tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat