Mulliqi i reagon Skender Hysenit: Albin Kurti ia ka bërë me dije këtë gjë Aleksandër Vuçiqit

Politika

Mulliqi i reagon Skender Hysenit: Albin Kurti ia ka bërë me dije këtë gjë Aleksandër Vuçiqit

Nga: A.Z Më: 20 prill 2022 Në ora: 23:36
Kurti dhe Vuçiq

Ish-Koordinatori Nacional për Dialog, Skender Hyseni, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po vazhdon me gabime strategjike në dialog me Serbinë.

Sipas tij, mënyra se si kryeministri Albin Kurti po e zhvillon dialogun i shkon në favor Serbisë.

“Nuk është aspak e rëndësishme një “marrëveshje” për targat me Serbinë, u arrit, s’u arrit. Nuk ka asnjë vlerë, apo relevancë. Qeveria e Kosovës po vazhdon me gabime strategjike në dialog me Serbinë”. “Dhe, mënyra si e bën dialogun Kurti shkon tërësisht në favor të Serbisë, e cila e do ruajtjen e status-quos në raportet Kosovë-Serbi, duke bërë lojëra të tipit: “Hajde po improvizojmë diçka?”, tha ai.

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deklarata e Hyseni është jo serioze, sepse situatën deri këtu sipas Mulliqit e kanë pruar ish udhëheqësitë e dialogut.

Image
Skender Mulliqi

“Deklarimet e ish Koordinatorit Nacional për Dialog, Skënder Hysenit janë pa serioze, dhe të pa bazuara në argumente. Dialogu në favor të Serbisë ka shkuar kur Hyseni ka qenë koordinator dhe para tij. Aq shumë është favorizuar Serbia thua se Kosova ishte agresori e jo viktima. Deri këtu e kanë pruar situatën ish udhëheqësitë e dialogut me Serbinë. Skënder Hyseni e dinë mirë faktin se çfarë marrëveshje të dëmshme u formosën sa ishin ata në pushtet. Madje, edhe aso marrëveshje që preken statusin politik të Kosovës. Për shumë kohë nuk patëm prurje te reja të njohjeve, por patëm 17 çnjohje me lobimin e Serbisë, e organet tona mbeten duke bërë sehir. Kosova nuk arriti të bëhet pjesë e asnjë organizmi të rëndësishem ndërkombëtar, edhe këtë gjë e dinë mirë z.Hyseni që po mundohet në mënyrë demagogjike të ja hedhë fajin Albin Kurtit”, tha ai.

Mulliqi theksoi më tej se ende nuk është e ditur se pse Hyseni u caktua koordinator, madje ai thotë se duhet të ia përkujtojmë Hysenit se tani nuk po zhvillohen bisedimet siç zhvilloheshin në kohë e Mustafës pa kushte.

“Madje është shumë e paqartë për opinion se pse Hyseni u caktua koordinator pa asnjë nevojë për post të tillë? Gabimet e shumta në procesini e dialogimit me Serbinë bën që ky shtet dhe Vuçiqi të na i caktojnë edhe agjendat e bisedimeve. Mos të harrojë që t’ia përkujtojmë Hysenit se Kosova gjatë qeverisjes ku për kryministër ishte Isa Mustafa, zhvilluan bisedime me palën serbe pa asnjë kusht, gjë që nuk po ndodhë tash me Qeverinë Kurti. Ajo strategji e bisedimeve kurrë nuk do të përseritet më. Nuk ishin ato vetëm gabime strategjike siç thotë Hyseni për Kurtin, por ishin gabime trashanike të cilat po mos të ndërroheshin pushtetet kanë qenë fatale për të ardhmën e Kosovës. Nuk ka mundësi ky të flasë për dialog, se ka qenë aty vetem si dekor e asgjë më shumë. Kurti arriti që ta kthen kursin e bisedimeve për herë të parë, në favor të Kosovës”, shtoi ai.

Më tej potencoi se tani për here të pare Kurti ia ka bërë me dije Serbisë se Kosova është shtet i pavarur, pra janë të pavërteta deklaratat e Hysenit që Kurti nuk i ka mbajtur premtimet e tij elektorale.

“Nuk po pranon bisedime pa qenë të barabartë në tryezën e bisedimeve, siç shkuan paraardhësit e tij me duar në xhepa. Natyrisht se Kurti në deklarime edhe bënë kritika të qeverive të kaluara, se dëmi i shkaktuar në zhvillimin e dialogut nuk është i vogël. Qeveria dhe Kurti për herë të parë e kanë bërë me dije Serbinë së Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe se nuk zhvillohet asnjë bisedë më pak se kjo. Edhe fakti tjetër se në Kosovë ka korrupsion nuk mund të mohon askush pa i mohuar edhe të arriturat as për afër të nivelit të kërkuar. Është manipulim dhe jo e vërtetë e Hysenit, që Kurti sipas tij nuk ka arritur t’i mbanë premtimet elektorale, kur dihet se qeveria e re mirë i ka nisur punët në luftë ndaj të të gjitha dukurive negative në shoqëri. Me arrogancë dhe me mos transparencë të duhur politike mbahen në mend qeveritë e kaluara”, tha Mulliqi.

Tutje ai u shpreh se politika e Hysenit e bëri Kosovën të izoluar.

“Hyseni merr të drejtën të na flasë edhe për gjoja izolimin e Kosovës, e dinë mirë se kush e izolojë vendin për 20 vite radhazi, ku mbetëm pa lëvizje të lirë në Evropë, mbetëm shteti më i varfër dhe me largime masovike. Këto nuk i bëri Kurti, por bënë politikat e juve hileqare. Edhe Skënder Hyseni hynë në taborrin e atyre që me çdo kusht po e dëshirojnë me kthy pushtetin e humbur me votën plebishitare. Në një intevistë Hyseni flet edhe për luftën në Ukrainë, duke i quajtur deklarimet e Kurtit lidhur me këtë temë populiste. Kurti po mbron një kurs të drejtë karshi këtij agresioni rus, e ju zoti Hyseni dëshironi me “harru” se qeveritë e kaluara na lane Asociacioni me kompetenca ekzekutive te dera, e ku Serbia ka intensifikuar kërcënimet që me luftë të bënë faktike. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ia ka bërë me dije Vuçiqit se nuk do të pranon një Asociacion të tillë, që do të thotë ndarje e Kosovës mbi bazat etnike, e shumë çka tjetër pozitive për vendin”, theksoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat