Kosova e rrezikuar nga projektet serbo-ruse / Ushtria e Kosovës të armatoset

Politika

Kosova e rrezikuar nga projektet serbo-ruse / Ushtria e Kosovës të armatoset

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 prill 2022 Në ora: 12:13
Ushtria e Kosovës, FSK

Lufta e cila po zhvillohet në mes të Ukrainës dhe Rusisë, e ka alarmuar gjithë botën. Ky pushtim i Ukrainës nga Rusia, po përkrahet nga armiku i Kosovës.

Kjo përkrahje e Serbisë nuk është mirëpritur në Kosovë, pasi kjo e prish stabilitetin në Ballkan.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Republika e Kosovës është më e fortë politikisht e ushtarakisht.

“Ushtria jonë është furnizuar e vazhdon të furnizohet me armatim dhe pajisje moderne. Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aleatëve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Mehaj.

Po ashtu, ai në postimin e bërë para disa dite në Facebook, ka shkruar se pajisja e ushtrisë së Kosovës është garancia kryesore e sigurisë në vend.

“Investimi në ushtri është obligim i yni të cilin do ta përmbushim me çdo kusht. Forcimi dhe pajisja e ushtrisë sonë, është garancia kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në vend e në rajon”, ka shkruar ai.

Po ashtu, Ministri Mehaj ka dhënë një premtim për qytetarët e Kosovës.

“Ne kurrë nuk do të lejojmë më që populli ynë të përjetojë krimet, dëbimet, masakrat, dhunën, terrorin e gjenocidin që e kishte përjetuar gjatë luftës 1998-1999”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve të sigurisë në vend, kanë sugjeruar që Kosova të armatoset edhe më shumë. Sipas tyre, në Kosovë ka rrezik për ndonjë skenar serbo-rus.

Miftari: Ka rrezik për ndonjë skenar serbo-rus

Image
Naim Miftari

 

Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar deklaratën e ministrit Mehaj.

“Deklarata e ministritë të Mbrojtjes se Kosova është e armatosur mirë, nuk qëndron pasi Kosova nuk ka tanke, nuk ka mbrojtje kundërajrore, nuk ka artileri, nuk ka mbrojtje nga dronët, nuk ka së paku helikopter”, thotë ai.

Miftari thotë se Kosova në këtë periudhë është më e armatosur se në kohën e qeverive të kaluara.

Ministri Mehaj ka të drejtë të thotë se Kosova është e armatosur më mirë, nëse i krahason me qeveritë Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Hoti”, vlerëson ai.

Sipas Miftarajt, ka rrezik për ndonjë skenar serbo-rus.

“Momentalisht ka rrezik për ndonjë skenar serbo-rus, ku viktima do të ishin policët e Kosovës ose qytetarët serbë të pafajshëm që do të vriteshin nga strukturat e Beogradit, siç ishte rasti Panda në Pejë apo vrasja e Oliver Ivanoviçit ku do të tentohej tu vishen shqiptarëve”, thotë ai.

Më tej, ai shton se Kosova nuk duhet të bie pre e grackave të botës serbe.

“Por, Kosova nuk duhet me ra në grackat e botës serbe që pos Rusisë, rol po luan edhe Edi Rama me disa ish parti të pushtetit të Kosovës, që sot janë opozitë dhe që akoma nuk u është shuar shpresa që Kosova të ndahet një ditë, që Serbia ta merrte veriun dhe do t`i kishte edhe komunat serbe e manastiret e kishat në menaxhimin e saj”, shton ai.

Sa i përket sulmeve ushtarake, ish-luftëtari ka këtë mendim.

“Rrezik për sulmin e mundshëm ushtarak serb në Kosovë, tani për tani nuk ka, vetëm nëse nuk e ndihmon Serbinë ndaj shtet i rëndësishëm i NATO-s, si për shembull Franca si mik tradicional serbo-rus.

Kosova duhet të mbaj kontakte strategjike ushtarake me Britaninë, Amerikën, Izraelin dhe Gjermanin e shtetet mike tona”, theksoi Miftaraj.

Zeneli: Kosova nuk mund t`i rezistojë armikut

Image
Hasan Zeneli

 

Hasan Zeneli, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njohës i çështjeve të sigurisë, në një prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar deklaratën e Ministrit të Forcës.

“Ministri i Mbrojtjes, mund të jap mendimin e tij lidhur me armatimet dhe forcën që aktualisht e kemi por, ajo çka deklaroi z. ministër i Mbrojtjes është shumë larg realitetit”, thotë ai.

Më tej, Hasani i përmend disa nga mjetet ushtarake, të cilat duhet t`i posedojë ushtria e Kosovës.

“Ndoshta i nderuri ka pasur për qëllim ngritjen e moralit luftarak dhe t`i krijojë kënaqësi popullit të Kosovës, por realiteti qëndron krejt ndryshe.

Tash dy vite, derisa ishte dikush tjetër ministër i Mbrojtjes, pata kërkuar që Forca e Sigurisë të armatoset me mjete të sofistikuara luftarake siç janë dronët turk dhe sistemi reaktor kundër ajror.

Po ashtu edhe me mjete këmbësorie të teknologjisë së avancuar, siç janë raketahedhësit e krahut anti tank”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova nuk mund t`i rezistojë armikut.

“E dimë botërisht se ushtria jonë, nuk i posedon këto pajisje andaj, jemi fare të dobët që t`i rezistojmë një armiku që posedon me mijëra raketa tokë ajër dhe tokë -tokë me rreze të mesme veprimi”, vlerëson ai.

Në fund, Hasani thotë se në rast të fillimit të luftës me Kosovën, Serbia do të humbë shumë nga territoret, të cilat ia gllabëroi Dardanisë.

“Serbia e dinë se në rast të fillimit të luftës me ne, do të humbë shumë nga territoret, të cilat ia gllabëroi Dardanisë dhe duhet t`i kthej. Krejt kjo çka thamë më lartë e ka kokën në Rusi. Në qoftë se Rusia pushton shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik , atëherë NATO-ja konsiderohet humbëse dhe se lufta jonë mbrojtëse do të jetë e barabartë me humbjen e të gjitha territoreve që aktualisht i kemi”, përfundon Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat