Rankoviqët dhe Stanishiqët/ Ja çfarë fshihet pas akuzave të Haradinajt ndaj Kurtit

Politika

Rankoviqët dhe Stanishiqët/ Ja çfarë fshihet pas akuzave të Haradinajt ndaj Kurtit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 maj 2022 Në ora: 11:16
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj - Foto ilustrim "Bota sot"

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të jetë një nga udhëheqësit opozitar më të zëshëm dhe më kritik në Kuvend ndaj qeverisë Kurti.

Edhe në seancën e fundit parlamentar, Haradinaj hodhi akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, Kurti është i vetmi udhëheqës shtetëror që e ka refuzuar gazin amerikan.

Madje, Haradinaj konsideroi se rasti me ambasadorin Berisha ka treguar se Vetëvendosje mbron interesat e Stanishiqit e Rankoviqit, dy përfaqësuesve më gjakatar ndaj shqiptarëve, udhëheqës të shërbimeve sekrete të Jugosllavië dhe Serbisë.

”Jemi i vetmi vend që e kemi refuzuar gazin amerikan. Vetëvendosje në vazhdimësi e ka paralajmëruar Kosovën se mbron interesa të të tjerëve, tani po del direkt se LVV-ja mbron interesa të kompanisë ose të interesave të njerëzve të Stanishiqit e Rankoviqit. Në situatën e sigurisë jemi bashkë, na keni në krah, porsa për kursin politik të ndjekur për interesat e nipave të Jovica Stanishiqit e Aleksander Rankoviqit, jemi kundër”, ka thënë Haradinaj.

Analistët politikë, Gani Qarri dhe Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot” folën në lidhje me akuza e Haradinajt ndaj LVV-së dhe prapavijat e deklaratës së tij.

Mehazi: Haradinajt nuk i lejohet të përmend Rankoviqët brenda LVV-së pasi rankoviqizëm më të madh sesa dhënien e tokave Malit të Zi nuk ka

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se shumica e deklaratave politike të Haradinajt janë spektakle mediatike.

Ai u shpreh se Haradinajt nuk i lejohet t’i përmend rankoviqët brenda LVV-së pasi më rankoviqizëm sesa dhënia e tokave Malit të Zi nuk ka.

“Nëse dikujt prej politikanëve të Kosovës fort pak e thuajse aspak nuk i zënë besë, ai është, Ramush Haradinaj, deklaratat politike të tij për qytetarët e Kosovës më shumë janë spektakle mediatike humoristike. Zotëri Ramush Haradinaj ka humbur besimin që kur ia dha këndshëm Malit të Zi, Çakorrin dhe Zhlebin, kështu që akuzat e tij ndaj LVV-së janë sa për të folur diçka e asgjë më shumë, Haradinajt nuk i lejohet të përmend rankoviqët brenda LVV-së pasi më rankoviqizëm sesa dhënia e tokave Malit të Zi nuk ka”, deklaroi analisti.

Po ashtu, Mehazi vlerësoi se ndoshta Haradinaj pas humbjes së gjurmëve të Çakorrit dhe Zhlebit, ndoshta e ka ndërruar mendjen e shkëmbimeve të territoreve në veri.

“Kuptimi i kësaj deklarate është se kryetari i AAK-së mos ndoshta ka ndërruar mendjen e shkëmbimeve të territoreve me Serbin. Haradinaj do të humb gjurmët e Çakorrit dhe Zhlebit me copëtime të tjera të tokave të Kosovës me Serbinë, mos ndoshta Haradinaj do që LVV-ja t'ua dhurojë rankoviqëve pjesën e veriut, Leposaviqin, Zubin Potokun e Leshakun Serbisë, e të arsyetohet për Çakorrin”, theksoi ai.

Në fund, analisti potencoi se dëshira më e madhe e kreut të AAK-së është se Kurti t'ia dhurojë rankoviqëve të Serbisë veriun e Kosovës, si ia dhuroi ai Malit të Zi, Çakorrin”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

“Nëse Haradinaj përmend Rankoviqin e LVV-së që do ta copëtojë Kosovën, pse atëherë nuk e cek me emër e mbiemër se cili është Rankoviqi i LVV-së?, mos ndoshta mendon se Rankoviqi i LVV-së është Albin Kurti që t'ia fal Veriun Serbisë? për fat të keq shpifjet e Haradinajt nuk pranohet dhe nga një qytetar i thjeshtë i Kosovës e jo më nga qytetarët tjerë serioz. Dëshira e Ramush Haradinaj është, nëse ai ia dhuroi Malit të Zi, Çakorrin, Albin Kurti t'ia dhurojë rankoviqëve të Serbisë veriun e Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Qarri: Kosovës nuk i ka harruar kaq shpejt sjelljet e Haradinajt e Thaçit

Image
Analisti Gani Qarri

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarri tha se njeriu që mashtron, tradhton njëherë, ka mundësi shumë të mëdha që ta bëjë atë përsëri.

E sipas tij, kjo po ndodh me Haradinajn, i cili këtë e bën në mënyrën më të vrazhdët të mundshme.

Faktet kanë dëshmuar, se është në qenien e njeriut dhe vet natyrën dhe ligjet e saj, që personi i cili rren, mashtron apo tradhton njëherë, t’i përsëris edhe më me lehtësi, madje t’i kthej ato edhe në seri, në moto të veprimit dhe mënyrë të jetesës së tij.

Duket se kjo po ndodhë edhe me z. Haradinaj i cili edhe ka dhënë shembullin më eklatant se këtë di ta bëjë në mënyrën më të vrazhdët të mundshme, me faljen e Çakorrit, Kullës dhe Zhlebit, shtetit xhuxh të Malit të Zi, ndaj edhe pesha e fjalëve të tij, duhet të merret aq sa ato kanë "substancë", apo për aq sa përmbajtja e tyre, është vërtetuar ndonjëherë në vepër, gjë që për z. Haradinaj, nuk flet më së miri”, deklaroi ai.

Nisur nga kjo, Qarri në prononcimin e tij për “Bota sot” e kritikoi ashpër vendimin e Haradinajt për faljen e Çakorrit, me ç‘rast e përmendi edhe se si kreu i AAK-së me Hashim Thaçin dhe Rakiqin rrëzuan qeverinë Kurti 1.

“Madje duke pasur parasysh faktin famëkeq, se në Rrafsh të Dukagjinit ku sundon partia e tij, e veçanërisht në komunën e Gjakovës, nga AAK-ja, janë shpallur "heronj" edhe komandantët që në fundgushtin e vitit 1998, urdhëruan dorëzimin e armatimit të UÇK-së, dhe këtë akt të turpshëm të tradhtisë, sipas asaj që dëshmojnë anasit e mi, e festuan në shtëpi të vetë, duke ua prerë dashin "komandirëve" të policisë serbe, si kriminelit Miluitin Ptreshqeviq meqë flitet se me të, kishin arritur edhe marrëveshjen për dorëzimin e armatimit të UÇK-së, e i cili thuhet se ka marrë pjesë edhe në masakrën e Mejës me mbi 300 civil të vrarë, ndaj nga njerëz të tillë, duhet të distancohet Kosova sepse mund të pritet gjithçka.”

“Për aq më tepër duke ditur se Thaçi, Haradinaj & Co, me udhëheqësit e Listës serbe si Goran Rakiqi, e kanë rrëzuar edhe Qeverinë Kurti-1, për t`ia imponuar popullit të Kosovës, pa dëshirën e tij, një qeveri të kundërligjshme me kryeministër Hotin dhe zëvendëskryeministër të parë Goran Rakiqin, të cilët futën në fuqi edhe votën e deputetit të dënuar me vendim të prerë të gjykatës si Etem Arifi, më duket se këtu vlen plotësisht maksima popullore se; "Një katund që duket, nuk do kallauz", ndaj besoj se populli i Kosovës nuk i ka harruar kaq shpejtë sjelljet e tyre, ndaj as që ka nevojë të flitet, më shumë për njerëz të tillë”, theksoi analisti.

“Opozita duket se më tepër akuzojnë, kryeministrin dhe Qeverinë Kurti, për mbrojtjen po i bëjnë veriut të vendit tonë nga kriminelët serb”

Në vazhdim, ai thotë se Thaçi së bashku me Haradinajn i kanë paraprirë fushatës për ndarjen e Kosovës, ku ministrja e PAN-it, Dhurata Hoxha e pagoi një kompani franceze për promovimin e shkëmbimit të territoreve.

“Siç e di mbarë opinioni në vend e më gjerë, Thaçi, Haradinaj & Co, janë ata, të cilët i kanë parapri edhe fushatës për shuarjen e shtetësisë së Kosovës, madje përderisa Thaçi e quante veriun e vendit tonë, si tokë të Rankoviqit dhe më 25 korrik të vitit 2018, në forumin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Alpbach të Austrisë, kërkonte publikisht ndarjen e Kosovës, krahas kërkesës së Thaçit, këshilltarja e tij dhe ministrja për "integrim evropian" në qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, Dhurata Hoxha paguante firmën franceze "Majorelle PR & Events" me mbi 168 mijë euro para të taksapaguesve të varfër të Kosovës, për promovimin e ndarjes së Kosovës kudo në botë”, nënvizoi Qarri.

Krahas kësaj, analisti përmendi edhe marrëveshjet e Mustafës dhe Thaçit me serbët, të cilat ishin kundër shtetësisë së Kosovës.

E nisur nga këto argumente, ai beson se akuzat e opozitës ndaj VV-së janë më shumë për mbrojtjen e veriut, nga ndarja e tij.

“Shto kësaj edhe nënshkrimet e kundërligjshme nga Thaçi e Mustafa të marrëveshjes kuislinge për formimin e asociacionit kundër kushtetues, një etnik serb, dhe kërkesat e vazhdueshme publike të eksponentëve kryesor të PDK-së për faljen e veriut, nuk kanë se si të pushojnë përpjekjet e Serbisë, për gllabërimin e veriut të vendit tonë, e cila po dëshmohet katërçipërisht, se komandantët i ka aleatët kryesor, për ndarjen dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës.

Prandaj edhe akuzat më të reja të opozitës së kriminalizuar, se VV-ja po i organizon vet sulmet kundër policisë në veri, si dhe ato të Ramush Haradinajt drejtuar VV-së, se kinse ajo po e mbron Rankoviqin, gjegjësisht njerëzit (pasardhës) politik të tij dhe të Stanishiqit (që thuhet se kanë lidhje me shitjen e energjisë), duket se më tepër akuzojnë, kryeministrin dhe qeverinë Kurti, për mbrojtjen që po ia bëjnë veriut të vendit tonë nga kriminelët serb, të cilin, komandantët pas shitjes apo faljes së 8300 hektarëve tokë të Kosovës, Malit të Zi, duket se pazarin e radhës e kishin planifikuar, ta bënin me faljen e veriut të Kosovës, Serbisë hegjemoniste”, tha ndër të tjera ai.

Më tej, Qarri potencoi se e rankoviqët dhe stanishiqët kanë bashkëpunuar ndër vite Thaçi dhe ‘komandantët’ e tjerë.

“Ndërsa, sa u takon rankoviqistëve, e spiunëve të Stanishiqit dhe pjesëtarëve të BIA-së së Serbisë, me ta kanë koketuar në vijimësi vet "komandantët" duke filluar nga kuislingu Hashim Thaçi, i cili ndër vite, për këshilltarë të vetin si president i vendit, kishte hiq më pak se vet spiunin kryesor të Serbisë dhe Jovica Stanishiqit, Baton Haxhiun dhe pjesëtarin e dëshmuar të BIA-së së Serbisë Branisllav Nikoliqin.

Është e ditur publikisht se Thaçi dhe Haradinaj, koketonin hapur me kriminelët më të mëdhenj në veri të vendit që nga Zvonko Veselinoviqi e deri te Milan Radojçiqi, këtë të fundit vet z. Haradinaj e ka pritur (ndoshta jo vetëm një herë) edhe në zyrat e kryeministrisë së Kosovës”, vlerësoi analisti.

Në fund, ai me rastin e publikimit të raportit të “Freedom House” kërkoi që të miratohet ligji për konfiskim të pasurisë dhe të hetohen individët e përfshirë në korrupsion.

“Kështu që miratimi i ligjit për Byronëë ekonfiskimit të pasurive të paligjshme dhe ndjekjen e personave të involvuar në korrupsion e krim të organizuar, si dhe dëshmitë e publikuara së fundi nga organizata "Freedom House" ku akuzohen jashtëzakonisht rëndë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, duket se me rankoviqistët, Haradinaj aludon në deklaratat e kuislingut Thaçi, i cili veriun e vendit tonë, e quante dhuratë të Rankoviqit, i cili pas faljes së Çakorrit, Zhlebit dhe Kullës, shtetit xhuxh të Malit të Zi, tani është i gatshëm edhe për faljen e veriut dhe copëtimin e Kosovës, me shpresën se pasi të realizohen të gjitha këto falje të mëdha makabre, do të falet edhe ai dhe komandantët e tjerë të përfshirë në zhvatje, korrupsion e krim të organizuar dhe pazaret tradhtare me tokat e Kosovës”, përmbyllë mendimin Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat