“Rama i premtoi Vuçiqit ndihmë për të marrë diçka në Kosovë në këmbim të njohjes”

Politika

“Rama i premtoi Vuçiqit ndihmë për të marrë diçka në Kosovë në këmbim të njohjes”

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 1 maj 2022 Në ora: 19:13
Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sërish ka shfrytëzuar rastin që të inkurajojë Kosovën për marrëveshje me Serbinë, thuajse Kosova është pengesë për marrëveshjen, dhe jo Serbia, që këmbëngul të mos e njoh Kosovën, për të përfituar, qoftë territor apo edhe status të veçantë për serbët etj.

Në konferencën përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerim Olivér Várhelyi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se ajo që po ndodhë në Ukrainë është një arsye më shumë për të intensifikuar përpjekjet për paqen përfundimtare në Ballkan.

Sipas tij, është në interesin e të dyja palëve që të bëjnë paqe.

“Ajo që po ndodh sot në Ukrainë nuk është një arsye më shumë për të menduar që do të kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan, por një arsye më shumë për të intensifikuar përpjekjet për paqen përfundimtare në Ballkan. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Paqja nuk bëhet me mikun, por me armikun e deridjeshëm, që nuk është miku i sotëm i Kosovës. As Serbia, as Kosova nuk do ikin, Kosova është një realitet që është aty dhe është në interesin e të dyja palëve që të bëjnë paqe”, theksoi Rama.

Mirëpo ai të enjten nuk e tha asnjë fjalë lidhur me atë se pse Serbia duhet ta pranojë marrëveshjen përfundimtare me Kosovën, pa kushte. Si duket i pari i ekzekutivit të Shqipërisë nuk ka guxim ta përmend heqjen e kushteve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bytyçi: Rama e ka marrë në mbrojtje aleatin e tij serb

E këtë sjellje të Ramës e ka komentuar për gazetën “Bota sot” njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, prof. dr. Enver Bytyçi.

Sipas tij, tipari themelor i Edi Ramës dhe retorikës së tij rreth Kosovës është të fajësojë për gjithçka politikën e Kosovës dhe të justifikojë veprimet provokative deri të dhunshme të mikut të tij në Beograd, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Image
Enver Bytyçi

Tashmë janë të njohura qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë, zotit Rama, rreth marrëdhënieve të tij me Serbinë dhe me Kosovën. Deklarata e tij me të cilën ai qortoi dje Kosovën për atë që ai e konsideron "bllokim të bisedimeve me Beogradin", është në të njëjtën linjë me të gjitha deklaratat e mëparshme të tij.

Tipari themelor i Edi Ramës dhe retorikës së tij rreth Kosovës është të fajësojë për gjithçka politikën i kosovare dhe të justifikojë veprimet provokative deri të dhunshme të mikut të tij në Beograd, presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Gjithmonë e ka marrë në mbrojtje aleatin e tij serb, edhe kur ai është dëshmuar si vazhdues i politikave të Milosheviçit. Nuk ka nguruar madje që politikën serbe ta reklamojë deri në Bruksel, Berlin, Paris e Uashington si politikë të moderuar, progresive e të paqes në rajon”, ka thënë profesori.

“Për Serbinë dhe zotin Rama ka dialog vetëm atëherë kur liderët e Kosovës janë të gatshëm të bëjnë lëshime e kompromise "të dhimbshme"”

Ai ka theksuar se Rama ka lënë gjithnjë të kuptohet se kinse problemi në konfliktin Kosovë-Serbi është qeveria e Kosovës.

Gjithnjë ato qeveri që nuk i janë bindur diktatit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të bashkëpunuar kundër Kosovës me qeveritë e Serbisë. Edhe në rastin e fundit ai bën paternalistin, kur i drejtohet qeverisë së zotit Kurti me qortim që "të angazhohet në bisedimet me Serbinë"! E ndërkohë është Serbia dhe miku i Edi Ramës, Vuçiq, ata që nuk e dëshirojnë dialogun dhe e kanë bllokuar atë.

Për Serbinë dhe zotin Rama ka dialog vetëm atëherë kur liderët e Kosovës janë të gatshëm të bëjnë lëshime e kompromise "të dhimbshme" siç i quante Thaçi! Ndryshe, nëse qeveria e Kosovës nuk bën lëshime dhe kjo pasohet me bllokimin e dialogut nga ana e Beogradit, atëherë kryeministri i Shqipërisë do të fajësojë gjithnjë palën shqiptare për këtë. Kjo është e tmerrshme ta dëshmosh diçka të tillë nga kreu i ekzekutivit të Shqipërisë”, ka thënë ai.

Sipas profesorit, për nëntë vite në krye të qeverisë shqiptare, por edhe në 11 vite më parë si kryebashkiak I Tiranës, d.m.th në 20 vite gjithsej, Edi Rama e ka dëshmuar njëmijë herë veten si pro-serb dhe anti-kosovar!

Megjithatë, ai potencon se ka politikanë e shqiptarë të Kosovës që e nderojnë dhe e respektojnë për lidhjet që Rama mban hapur e jo fshehtas me Beogradin!

Kjo do të thotë se në Kosovë ka jo pak bashkëpunëtorë të Serbisë. Sepse duhet të jesh i paguar nga Beogradi që të mbështetësh politikat anti-shqiptare, anti-kosovare dhe pro-serbe të kryeministrit të Shqipërisë.

Ai shqiptar, sidomos ai politikan shqiptar që nuk është peng në Beograd e te Stanishiqët nuk guxon të përkrahë dhe mbështetë qëndrimet dhe politikat e Edi Ramës. Sepse këto qëndrime janë plotësisht të lexueshme, të qarta, pa ndonjë kuperturë maskuese. Çfarë duhet të bëjë më shumë dikush që të jetë transparent në marrëdhëniet e tij me Serbinë?! Edi Rama puthet me Vuçiq dhe harxhon dhjetra milionë euro për lobing për denigrimin e kundërshtarëve politikë brenda vendit. Mblidhet dhe nënshkruan marrëveshje me Beogradin, për ta izoluar dhe denigruar Kosovën! Flet për Open Balkan si një lidhje për paqe dhe përçan skenën politike shqiptare në mënyrën më të përçudnuar”, është shprehur ai.

Ja pse Rama nuk guxon t'i kërkojë Serbisë që të nënshkruajë njohjen e Kosovës

Bytyçi vlerëson se Rama nuk guxon t'i kërkojë Serbisë që të nënshkruajë njohjen e Kosovës.

“Nuk guxon ta kritikojë atë për bllokimin e bisedimeve. Sepse ai i ka premtuar zotit Vuçiq se do ta ndihmojë atë "të marrë diçka në Kosovë në këmbim të njohjes". Territore, Jugosllavinë e Re, të shohim se çfarë do të dalë tjetër në tregun politik të matrapazllëqeve Rama-Vuçiq!

Por është e sigurt se humbja e Rusisë në Ukrainë do ta dobësojë rolin e Serbisë në rajon dhe do ta detyrojë edhe presidentin serb, edhe kryeministrin shqiptar të pranojnë realitetin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Është një situatë shumë e vështirë për qeverinë dhe institucionet e Kosovës kur ata shohin se si kreu i qeverisë shqiptare bashkëpunon me armiqtë e Kosovës kundër saj. Por si presidentja, edhe kryeministri Kurti do të duhet të qëndrojnë fort, pa pasur nevojë të konfrontohen publikisht”, ka theksuar ai.

“Treshe, me një agjendë të qartë, që favorizonte interesat serbe”

Ai ka potencuar se Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani duhet të veprojnë sikurse Presidenti historik Ibrahim Rugova duke injoruar Edi Rmaën si mik të Aleksandër Vuçiqit.

Rugova kishte konfliktet e tij me Tiranën. Madje ai pas luftës për shumë vite nuk pranoi ta vizitojë Shqipërinë. Por kurrë nuk fliste e nuk konfliktohej. Ai i realizonte qëllimet dhe objektivat politike të tij pro vendit të tij me mençuri dhe urtësi të jashtëzakonshme. Ai dinte t'i injoronte liderët e Tiranës, në veçanti mikun e Rexhep Qosjes, ish-presidentin Mejdani, megjithëse nuk mendoj se Mejdani ishte pro serb. Kurti dhe Osmani thjesht duhet ta injorojnë Edi Ramën, jo vetëm si mik të Qosjes, por para së gjithash si mik të Aleksandër Vuçiq. Injorimi e bën atë të ndihet keq!”, ka theksuar ai.

Kurse, Idriz Morina, kryeredaktor i gazetës kombëtare “Bota sot”, ka thënë se Edi Rama, fatkeqësisht për shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, ka krijuar një fuqi politike, që i ka krijuar në dukje stabilitet, për ta përmbyllur mandatin aktual.

Image
Idriz Morina

Po, për fatkeqësi të shqiptarëve, me aq sa kam mundur ta vëzhgojë dhe vlerësojë burimin e kësaj fuqie politike të tij, vjen nga elemente të dyshimta. Një pjesë e mendësisë politike në Shqipëri, është mbështetur gjithnjë në retorikë të fortë patriotike, por në rrënjë ajo ishte e komprometuar nga ideologji dhe formacione shërbimesh sllave, kryesisht me bazë në Beograd. Pas hapjes, pluralizmit në Shqipëri, një bazë tjetër vinte nga Athina.

Edhe vetë raporti i fundit i SHISH-it i konfirmon këto, ndikimet malinje në politikë, media, psikologjinë e qytetarëve etj. Ngjashëm i konfirmon edhe raporti i fundit i Freedom House”, vlerëson Morina.

Sipas tij, raportet e shpejta, që ai i krijoi me Serbinë, dhe veçmas me Putinin, shkuan përtej raporteve diplomatike, ndërsa, kur në mes të tyre ishte Thaçi, nëse ai nuk i ndërmjetësoi këto, u krijua një treshe, me një agjendë të qartë, që favorizonte interesat serbe.

Një pasqyrë e tillë, besoj se i përgjigjet, kësaj se çfarë po bën Rama aktualisht, dhe pse në të gjitha rastet që Serbia mund të akuzohej, për mbështetje të Rusisë, nga Qeveria e Shqipërisë dhe vetë ai, e bëri mbrojtjen e saj, si asnjë qeveri tjetër.

Këto gjëra nuk bëhen vetëm thjesht me ndikime diplomatike apo kulturore, ashtu siç është përfolur se marrëveshja për ndarje të Kosovës, i kishte pas financuesit e mëdhenj, burime të mëdha financiare ruso-serbe, edhe ky rol duhet parë në këtë kontekst”, është shprehur ai.

Morina ka theksuar se, figura e Ramës, mbështetja që e ka siguruar duhet parë edhe tek burimet financiare nga droga, si lëvizin ato, në ç‘ drejtim, dhe si përfitohen ‘miqësitë’, dhe si mbyllen skandalet!

Në këto relacione duhet parë edhe reagimin e fundit, për një marrëveshje të përshpejtuar, që nuk e njeh dhe nuk e respekton deri në fund - të drejtën sovrane të Kosovës, dhe nuk kërkon që kjo të jetë e përmbushur, nga e cila padiskutim del dy herë e fituar Serbia: Përfiton nga marrëveshja drejtpërdrejt, dhe herën e dytë, ‘marrëveshjen’ e detyrueshme e shet, si diplomaci perëndimore, si shkëputje nga marrëdhënia e ngushtë me Rusinë, dhe afrim me Perëndimin!”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat