Takimi Kurti-Vuçiq në Berlin/ Paralajmërimi: Tani është momenti ideal për Kosovën

Politika

Takimi Kurti-Vuçiq në Berlin/ Paralajmërimi: Tani është momenti ideal për Kosovën

Nga: P.R Më: 2 maj 2022 Në ora: 20:57
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë ftuar nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz në Berlin me 4 maj për takime bilaterale.

Kjo është konfirmuar nga zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner, e takim në të cilin do të marr pjesë edhe ndërmjetësuesi i BE-së për çështjen e dialogut, Miroslav Lajçak. Poashtu, ky takim është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në vizita të posaçme bilaterale në Berlin, më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz, edhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj për t’u takuar së pari me kancelarin, e pastaj edhe në një takim joformal me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Për vizitën e Kurtit dhe Vuçiqit në Berlin, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Gjermania është pjesë e civilizimit, ideologjisë dhe gjeopolitikës perëndimore por me lidhje të rëndësishme edhe me Rusinë. Serbia po ashtu lidhjet e saj nga civilizimi, ideologjia dhe gjeopolitika i ka me Rusinë por me interesa shumë të rëndësishme me perëndimin. Kjo e bënë Gjermaninë një ndërmjetës ideal për momentin. Përfundimi i krizave ndërkombëtare gjithmonë i shtynë fuqitë drejt ndarjeve gjeopolitike dhe në këtë listë bënë pjesë edhe rajoni jonë”, thotë Kuçi.

Sipas tij, tani është momenti ideal për Kosovën që të përfitoj sa më shumë në dialog.

“Në këto kompromise, është momenti ideal për Kosovën që të përfitoj sa më shumë dhe këtë gjë po e bënë SHBA-ja për ne bashkë me Gjermaninë. Ndoshta marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të hapë rrugën për zgjidhjen e luftës në Ukrainë dhe ndarjeve të reja gjeopolitike edhe në atë zonë”, thekson Kuçi për “Bota sot”.

Për fund, Kuçi thotë se Kurti, ashtu edhe Vuçiqi, janë nën presionin e vazhdueshëm të Bashkësisë ndërkombëtare.

“Pra, çështja e Kosovës dhe Serbisë më nuk është vetëm një problem dypalësh, por bënë pjesë në konturat e mëdha gjeopolitike ndërmjet fuqive të mëdha. Kjo na jep të kuptojmë që para presionit ndërkombëtar janë edhe Kurti dhe Vuçiqi”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Kujtojmë se nëse realizohet takimi ndërmjet dy liderëve, atëherë ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat