Serbia vazhdon të armatoset – vlerësohet tendencë e dështuar, një përpjekje për faktorizim

Politika

Serbia vazhdon të armatoset – vlerësohet tendencë e dështuar, një përpjekje për faktorizim

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 3 maj 2022 Në ora: 08:27
Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiq

Serbia të shtunën e ka promovuar edhe zyrtarisht një pjesë të armatimit që e ka pranuar javë më parë. Në një demonstrim të përbashkët të forcave ajrore, tokësore dhe sistemeve raketore, shteti serb e shfaqi para syrit të publikut armatimin që ka ardhur tash së fundi, dhe gjithë arsenalin e veçantë të blerë më kohë më parë.

Pas konfliktit në Ukrainë, dhe tensionimit të situatës në Ballkan, Serbia ka vendosur që të vazhdojë me rritjen e trysnisë në rajon dhe të kërkojë blerje të armatimit nga shteti i Kinës, por edhe disa aeroplan lufte nga Franca, e cila porosi do t’i vie më vonë. Veprimet e tilla kanë ngjallur reagime të shumta edhe në disa nga shtetet e rajonit, të cilat thonë se ndihen të kërcënuara nga veprimet e fundit të Serbisë.

Historikisht shteti serb, ka qenë akteri kryesor i luftërave dhe gjenocideve në Ballkan, përfshirë luftërat e fundit nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Kosova, në tri vendet e fundit shkaktoi edhe gjenocid.

Serbia pa neutralitet

Për shkak të armatosjeve të vazhdueshme të saja, veçmas pas blerjes së fundit, kanë reaguar edhe SHBA-ja dhe BE-ja duke vënë në pah, se ajo po ecën kundër rrjedhës, dhe se armatimet e ndryshme, janë të gabueshme, pasi vendet e NATO-s, kanë thuajse armatim të njëjtë, kjo edhe për të përshkruar kursin politik që po e ndjek Serbia, pra kundër unitetit perëndimor.

Në një situatë të tillë, është krejtësisht normale që të shtrohet pyetja: Nga kush po frikësohet Serbia dhe a është vërtetë e kërcënuar që të rrisë sasinë e armatimit?

Pyetje kjo që ka qarkulluar dhe ende vazhdon të jetë temë e debateve të ndryshme.

Njohësi i çështjeve politike dhe ligjëruesi universitar, Milazim Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Serbia nuk po e respekton neutralitetin dhe çdo herë e më shumë po anon ka shtetet si Rusia dhe Kina.

Image
Milazim Krasniqi

Serbia e ka të rregulluar mirë statutin e neutralitetit, sa i përket pozicionit të saj karshi NATO-s dhe shteteve që nuk janë pjesë e saj, por deri sot ne vetëm neutralitet nuk kemi parë nga kjo e fundit. Pozicionimi krah Rusisë dhe Kinës tash së fundmi me blerjen e armëve, janë tregues se shteti serb, vazhdon të jetë i orientuar nga Lindja dhe jo nga Perëndimi”, thotë Krasniqi.

Sipas tij Serbia e ka për qëllim që të krijojë destabilitet në rajon dhe se nuk është e kërcënuar nga asnjë shtet.

“Serbia është humbëse e katër luftërave, kjo ka shkaktuar edhe dëme të shumta në aspektin ushtarak. Intervenimi i NATO-s ia ka shkatërruar shumë armë dhe deponi. Në aspektin e sigurisë, nuk ka arsye të mendohet se Serbia ka qenë e frikësuar apo e kërcënuar nga vendet e rajonit, e që do mund të shërbente si arsyetim për këtë investim shtesë në forcimin e ushtrisë. Qëllimi i saj i vetëm është që ta krijojë një situatë të tensionuar, por që fatmirësisht nuk do të ketë ndonjë efekt të madh sepse fuqia e Serbisë karshi NATO-s është thuajse inekzistente”, thotë Krasniqi.

Serbia kundër Perëndimit, me armët ruso-kineze

Ligjëruesi Milazim Krasniqi për më tepër ka shtuar se një Serbi e armatosur i konvenon më së shumti Rusisë sepse historikisht shteti i Serbisë ka qenë një dorë e zgjatur e Rusisë në Ballkan.

Ndërsa, analisti politik, Avni Zogiani, thotë se Serbia është duke e shfrytëzuar mungesën e seriozitetit në Ballkan, por edhe për të fuqizuar pozitën e saj në rajon.

Image
Avni Zogiani

Serbia dhe Vuçiqi janë duke e shfrytëzuar mungesën e seriozitetit të politikanëve tjerë në Ballkan dhe po krijon vëmendje e besa edhe po ngritet ndikimi i saj në arenën ndërkombëtare. Politikanët shqiptar dhe sidomos Kryeministri i Shqipërisë i kanë krijuar Vuçiqit hapësirë manovrimi duke qenë se nuk gjykohet destruktiviteti i Serbisë si shtet dhe liderit të saj kërcënues”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij Evropa e di shumë mirë faktin se Serbia po e destabilizon rajonin përmes kërcënimeve, por për BE-në është shumë me rëndësi kur një shtet investon në ushtri, se sa sikurse në Kosovë, ku politikanët investojnë në jetën private nga buxheti shtetëror.

Në anën tjetër shtetet perëndimore sigurisht se e dinë dhe e njohin raportin aktual të forcave dhe për ta gjithmonë do të jetë më i rëndësishëm një shtet që investon në ushtri se sa një që investon në vila për politikanë. Kjo është gjë që duket dhe se natyrisht një gjë që ka fort ndikim tek pesha që Perëndimi u jep shteteve në rajon”, shprehet Zogiani.

Ai e përmend edhe fjalimin e Sali Berishës në Konventën e Partisë Demokratike, ku tha se Serbia po i shton përpjekjet për destabilizimin e Kosovës, por që sipas Zogianit janë vetëm fjalime boshe nga opozita, e që pushteti po i ndryshon edhe politikanët kur po vijnë në pushtet.

E dëgjuam Sali Berishën që në Konventën e PD-së tha se Serbia në përpjekjet e saj për destabilizimin e Kosovës do të përballet me Shqipërinë. Fatkeqësia është se politikanët shqiptarë flasin kështu vetëm kur janë në opozitë. Sapo vijnë në pushtet të gjithë sillen njëjtë, ulen deri në servilizëm, nuk bëjnë gjë për forcimin e ushtrisë dhe cenojnë sundimit e ligjit. Me pak fjalë, asnjë rëndësi nuk do të kishte pse Serbia i blen katër raketa nga Kina, po të kishte një Shqipëri që funksionon, po të mos kishte politikan kurdo që më shumë e kanë përqendrimin tek pasurimi për një kohë të shkurtër, se mbrojtjen e çështjes shqiptare”, thotë Zogiani.

Serbia me ‘dramën’ kineze

Drizan Shala, eksperti i çështjeve të sigurisë, ka thënë se kjo qasje e Serbisë tregon për orientimin e saj, pavarësisht se në fillim të konfliktit ishte në një situatë jo të favorshme.

Image
Drizan Shala

Në lidhje me blerjen e armatimit nga ana e Serbisë gjatë viteve 2015 deri më tani dhe ushtrimet e ndryshme fushore ushtarake ku në të kanë marr pjesë edhe ushtritë ruse dhe bjelloruse, kjo tregon për rolin dhe rrugën të cilën nuk e ka ndërruar Serbia, që si aleat kryesor ta ketë Rusinë në rend të parë dhe Kinën në rend të dytë. Por, e gjithë kjo procedurë ndërvite i ka ndihmuar Serbisë që nëpërmjet orientimit prorus të ketë impakt edhe në qëndrimin e BE-se që ta josh Serbinë për t’u anëtarësuar në BE dhe në mekanizmat tjerë, për të cilët Serbia nuk është e interesuar, por i mban si pezull gjithë proceset stabilizuese në rajonin e Ballkanit”, tha Shala.

Sipas Shalës aleanca tashmë mes Serbisë dhe Kinës, mund të ketë edhe ndikim në rrjedhën e aktiviteteve në rajon.

Pra, këtu kemi tani një gjeostrategji serbe të përmasave ndërkombëtare me impakt të drejtpërdrejt rajonal si dhe ndryshim të gjeopolitikes ndërkombëtare për rajonin nga ndërhyrja e Kinës në këtë mes duke suportuar Serbinë me mundësi më të larta ushtarake, e deri te hapja e një qendre stërvitjeje ushtarake kineze në bazën e trajnimeve ushtarake në Beograd. Dhe ky veprim do të ndryshonte rrjedhjen për rajonin për një periudhë afatgjate”, është shprehur, Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat