Enveri, Xhemaili, Bekimi, Bardhyli e Popova janë pasqyra e drejtësisë së munguar / Liria e medias në Kosovë vazhdon të jetë e kërcënuar

Politika

Enveri, Xhemaili, Bekimi, Bardhyli e Popova janë pasqyra e drejtësisë së munguar / Liria e medias në Kosovë vazhdon të jetë e kërcënuar

Mimozë Lakna  Nga Mimozë Lakna  Më 3 maj 2022 Në ora: 19:01
Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti

Me aktivitete të ndryshme të martën në Kosovë u shënua Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit.

Si edhe çdo vit tjetër tre maji në Kosovë u shënua nën organizimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Këtë herë, kjo organizatë zgjodhi moton “Mediat nuk janë armiku” duke e ndërlidhur me faktin se në Kosovë ndodhë shumë rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha theksoi se fuqia politike duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.

"Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare", vijoi ai.

Por, pavarësisht thirrjeve të parvjetshme të AGK-së për media të lira e të pavarura, vendi ynë vazhdon të jetë një terren i vështirë për gazetarët dhe punën e tyre.

Fatkeqësisht, janë të rralla ose nuk ekzistojnë fare rastet kur kjo organizatë përmend gazetarët e vrarë të gazetës “Bota sot”, të ndonjë gazetari tjetër, apo edhe kërcënimet që i merr në vazhdimësi gazeta.

Liria e medias është cenuar në vazhdimësi, ku nuk kanë munguar rrahjet, kërcënimet e vrasjet e gazetarëve.

Gazeta kombëtare “Bota sot” ka qenë media më e atakuar nga grupet e caktuara të interesit apo politike, të cilave aq shumë u pengonte e vërteta që shkruhej e thuhej sa që nuk kursyen jetët e gazetarëve.

Kështu, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit “Bota sot” kujton gazetarët dhe bashkëpunëtorët e saj të vrarë gjatë dhe pasluftës. Po ashtu, kujtohet edhe atentati me bombë ndaj anëtarëve të redaksisë së gazetës “Bota sot” në tetor të vitit 2002 në Cyrih të Zvicrës.

Faktin që këto vrasje të gazetarëve të “Bota sot” dhe të ndonjë mediumi tjetër nuk u zbardhën janë evidentuar edhe në raportin e fundit të organizatës së gazetarëve “Reporterët pa kufij”.

“Derisa asnjë gazetar nuk është vrarë që nga viti 2005, vrasjet dhe zhdukjet e gazetarëve para dhe pas luftës në Kosovë (1998-2005) mbesin të padënuara. Gazetarët që hulumtojnë për trafikimin me drogë dhe ndotjen e ajrit u janë ekspozuar sulmeve fizike dhe raportimet e tyre janë ndal nga rrjetet kriminale. Përderisa sulmet hetohen nga policia dhe nga zyra e prokurorit, gjykatat dështojnë t’u japin verdikt atyre”, thuhet në një raport të organizatës Reporterët Pa kufij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

Për këto ngjarje kemi biseduar me Idriz Morinën, kryeredaktori i gazetës “Bota sot” si dhe me analistin Nexhat Haziri.

Morina: Këto vrasje dhe atentate zbulonin motive të tjera

Image
Kryeredaktori i gazetës “Bota sot”, Idriz Morina

Kryeredaktori i gazetës “Bota sot”, Idriz Morina fillimisht kujton plagosjen e ish nënkryetarit të LDK-së dhe profesorit, Sabri Hamiti.

“Isha student, dhe një ngjarje që më goditi thuajse deri në tronditje, ishte plagosja e Sabri Hamitit, veçse figurë publike, ishte profesori im në studimet e letërsisë. Më shumë se nga një raport student-profesor, e njihja nga studimet e tija. Me librat e tij kritik ishte përfaqësuesi kryesor i studimeve letrare bashkëkohore, shumë aktiv dhe shumë prodhimtar. Nëpërmjet tij, kisha njohur më mirë letërsinë shqipe, po ashtu më nga afër edhe shpirtin e patriotëve të mëdhenj, si Fishta, Lasgushi e deri tek Teki Dervishi, me të cilin kisha rastin të punoja gjatë, si ndihmës i tij, në “Bota sot” në përgatitjen e gazetës. Unë isha i trazuar jo vetëm pse u godit një profesor shumë i famshëm asokohe, me të cilin nuk kisha njohje personale fare, përveç se aq sa ofronin ligjëratat, por edhe si një krizë që mund të prodhonte pasoja të rënda, por edhe shumë gjatë për shqiptarët. Fatkeqësisht kjo krizë rezultoi shumë më e gjatë seç mund ta kishte parashikuar kushdo”, kujton Morina.

Ai thekson se atentati ndaj profesor Hamitit, vrasjet e kolonelit Ahmet Krasniqi dhe vrasja e ish drejtorit të Qendrës Informative të Kosovës (QIK), Enver Maloku ndriçuan konfliktin e thellë politik që po zhvillohej brenda Kosovës ato vite.

“Atentati ndaj profesorit Hamiti, pastaj ndaj ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, vrasja e Enver Malokut, edhe pse kishte informacione për mospajtime në organizimin politik dhe të luftës, ndriçoi konfliktin e thellë, dhe për mua, gabimin e pafalshëm, që nuk mund të buronin nga injoranca veprimet e tilla, madje as nga urrejtja. Pra, këto vrasje dhe atentate zbulonin motive të tjera, sipas meje, kushdo që vriste shqiptarë në luftë, vështirë se mund të ishte patriot.

Lufta përfundoi, dhe urrejtjen politike tashmë kisha mundësi ta ndjeja më nga afër. Kisha filluar punën e gazetarit në “Bota sot”. Edhe ne kishim filluar të ishim, si media të kërcënuar dhe cak i sulmeve. Thjesht duhej të punonim në heshtje dhe qetësi, veçmas disa nga ne që vazhdonim të ishim kritik ndaj këtyre qasjeve të rrezikshme për lirinë, të drejtën apo barazinë dhe vet projektin për shtetin e Kosovës”, shpjegon Morina.

U vranë, Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti dhe redaksia e “Bota sot” u kërcënua me bombë

Ai kujton vrasjen Xhemail Mustafës, redaktor i gazetës “Bota sot” dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova.

“Gjatë kësaj kohe, ndodhën tri vrasje të miqve dhe njerëzve që njoha më nga afër. Xhemail Mustafën, me të cilin sapo kishim nisur njëlloj bashkëpunimi. E cila vrasje ishte e paralajmëruar. Si në shumë raste të tjera, i nxirrnin tellallët ‘shesheve’ dhe lokaleve, ta përhapnin lajmin se filan fisteku është vrarë. Ka edhe të tjerë për të cilët është bërë ‘lajmi’ asisoji dhe që për fat nuk është bërë ekzekutimi. Kjo i mbështetë pohimet se lista për ekzekutim ishte e gjatë, dhe me shumë gjasë rifreskohej”, shprehet Morina.

Po ashtu, Morina tregon se në vitin 2001 u vra Bekim Kastrati, korrespodent në Skenderaj i “Bota sot”. Më pas në vitin 2005 u vra edhe gazetari Bardhyl Ajeti, për të cilët Morina thotë veç tejrash ishin viktima të mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, mosndëshkimit të dhunës.

“Për aq kohë sa punoi ai (Bekimi) e shprehte rrezikun që ishte i kërcënuar, por në mungesë të shtetit ligjor, meqë UNMIK-u nuk ishte i interesuar të ndëshkonte në kohë të dyshuarit e vrasjeve dhe të dhunës së vazhdueshme politike, ra viktimë.

Vrasjet ndaj gazetarëve, kolegëve dhe miqve tanë nuk do të ndaleshin. Më 2005 u vra edhe Bardhyl Ajeti, një gazetar shumë popullor i “Bota sot”, po ashtu viktimë e mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, mosndëshkimit të dhunës”, potencon ai.

Që nga atëherë, kryeredaktori i “Bota sot”, Idriz Morina tregon se nuk ka asnjë veprim për ndëshkimin e autorëve të vrasjeve, dhe asnjë proces gjyqësor, siç e evidenton edhe Raporti i “Reporterëve pa kufij”.

“Madje nuk e dimë, nëse për dy vrasjet e kolegëve tanë do të merret gjykata speciale, meqë sipas mandatit aktual ajo kufizohet deri në ngjarjet e 31 dhjetorit të vitit 2000”, thekson ai.

Më tej, ai kujton se si shteti zviceran ka dënuar të paktën një person përgjegjës për ngjarjen kur në gazetën “Bota sot” ishte dërguar një bombë me anë të postës, e që vetëm fati deshi që ajo të mos shpërthente.

“Për të evidentuar dallueshmërinë e shtetit ligjor, po kujtojmë këtu se për një porosi bombë në vitin 2002, që mund të vriste në një rreze 9 metra, që për fat nuk shpërtheu, dërguar në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Cyrih, shteti zviceran, ia ka dalur që të paktën një person përgjegjës ta nxjerrë para drejtësisë, dhe ta dënojë”, thekson ai.

Morina: Për vite të tëra, mund të them se kam pasur shumë kërcënime me jetë dhe shumëfish më shumë të natyrave të tjera

Morina shton se edhe personalisht ishte ndër gazetarët e parë të kërcënuar drejtpërdrejt, në një konferencë shtypi të PDK-së, që fal faktit se kishte shumë gazetarë të huaj, dhe gjindshmërisë do të shpëtonte me një sulm të lehtë, por paralajmërues.

“Ishte momenti i shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të para lokale, dhe PDK-ja, nuk donte ta njihte humbjen e thellë, LDK-ja zyrtarisht kishte marrë mbi 56% të votave, pyetjet e mia që ia rrëzonin tezat e manipulimit të zgjedhjeve ishin të papranueshme”, kujton ai.

Kryeredaktori i gazetës “Bota sot” shton se ndër vite është përballur me kërcënime të shumta të cilat i ka lajmëruar edhe në organet e rendit, por që reagimi profesional i këtyre të fundit në të shumtën e herëve ka munguar.

“Për vite të tëra, mund të them se kam pasur shumë kërcënime me jetë dhe shumëfish më shumë të natyrave të tjera, disa prej tyre të lajmëruara edhe në polici, por përveç një rasti (arrestim), asnjë tjetër nuk ka pasur reagim profesional, pa asnjë shtyrje drejt drejtësisë. Që nga nëntori kur e kam rimarr detyrën, kam pasur edhe dy raste kërcënimi të drejtpërdrejt me jetë apo vrasje, njëri madje nga një grup, është i vazhdueshëm, dhe sa e di unë, deri më sot pa asnjë masë, pavarësisht denoncimit. Pjesë e rastit të dytë (të kërcënimit) ishte edhe botuesi Xhevdet Mazrekaj”, thekson ai.

Për Idriz Morinën, ajo, që bie në sy është se reagimet aktuale nga drejtësia në raport me gazetën “Bota sot” janë thuajse skandaloze.

Mos-reagimi institucional

Për më keq, sipas tij janë të ngjashme edhe reagimet e organizatave që mbrojnë gazetarët apo kujdesen për mos shkeljen e lirive personale nga mediat.

“Janë buzë diskriminimit ndaj nesh.

Madje për kërcënimet me jetë ndaj nesh nuk reagojnë as institucionet, as ndonjë parti si LDK-ja, që viktimat politike ishin kryesisht të saja, dhe madje as ndonjë shoqatë e vetë viktimave! Thjesht vazhdojmë thuajse të jemi të vetmuar në kërkimin e drejtësisë për viktimat e dhunës politike.

P.sh. çdo herë që u kemi dërguar informacione, prej vitesh, për kërcënime janë përcjellur krejt ndryshe nga reagimet për raste edhe më të lehta të mediave dhe gazetarëve të tjerë. Njoftimet në publik për ne bëheshin si të dyshimta, madje edhe si në rastin e nëntorit, kur rasti qe regjistruar si kanosje, pra si një nga veprat më të rrezikshme, që kanë të bëjnë me jetën. Madje ne mund të kemi qenë për ta një regjistrim statistikor”, potencon ai.

Morina thotë se edhe sot, kur shkruajmë për vrasje politike, nga organizime të atilla, jemi subjekt i cenueshëm nga politikanë me padi apo edhe nga vetë institucioni që duhet të mbrojë gazetarinë.

“Kjo shpjegohet edhe nga fakti se shumica e mediave janë media të kontrolluara nga ish-politika, dhe me këtë edhe një numër i madh gazetarësh, nga grupe të interesit e biznesit që e kanë dëmtuar ardhmërinë e këtij vendi, dhe neve na kanë parë si një media të padëshirueshme, si opozitë të fortë, edhe ndaj proceseve politike, por veçanërisht sepse nuk kemi reshtur së kërkuari drejtësi për viktimat e dhunës politike, si të ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, gazetarëve dhe intelektualëve, Enver Maloku, Xhemail Mustafa etj., por edhe për kolegët tanë, Bekimin e Bardhylin, sikurse edhe për të tjerë si për gazetarin Shefki Popova”, përfundoi ai.

Haziri: Institucionet e drejtësisë neglizhuan rastet e kërcënimeve dhe vrasjeve të gazetarëve

Image
Analisti Nexhat Haziri

Kurse, analisti Nexhat Haziri ka potencuar se liria e medias është një nga parimet kryesore të bazamentit të demokracisë, emancipimit dhe zhvillimit të një shoqërie.

Ai thekson se Kosova nuk është treguar si vend shumë miqësor për zhvillimin e medias dhe respektimin e lirisë së tyre.

“Çdo cenim ndaj kësaj lirie, është cenim ndaj demokracisë dhe rrezikon të ardhmen e shoqërisë. Në këtë aspekt Kosova nuk është treguar si vend shumë miqësor për zhvillimin e medias dhe respektimin e lirisë së mediave duke u radhitur si vend gjysmë i lirë në raportet e organizatave ndërkombëtare që bëjnë monitorimin e punës dhe lirisë së mediave. Edhe raporti i fundit i Freedom Hause, e rangoi Kosovën si vend gjysmë i lirë sa i përket lirisë së mediave, me tendencë të përkeqësimit si rezultat i presioneve, linçimit, ndërhyrjeve dhe sulmeve ndaj medias dhe gazetarëve nga qeveria, deputetët dhe grupet e tjera të interesit”, thotë Haziri.

Ai ka kujtuar se ka shume raste të kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve, për të cilat institucionet e drejtësisë kanë qenë neglizhente, për arsye të ndikimit të tyre nga politika dhe grupet para-politike.

“Kjo gjë që ka bërë që këto raste të mos zbardhen dhe autorët e tyre të mbesin të pandëshkuar dhe në anën tjetër të trimëruar për ta vazhduar betejën e tyre kundër lirisë së mediave dhe punës së pavarur të gazetarëve”, thotë Haziri.

Pa zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve liria e medias në Kosovë do të vazhdoj të jetë e kërcënuar

Me këtë rast ai kujtoi kolegët e vrarë gjatë dhe pasluftës duke thënë se pa zbardhjen e vrasjeve të tyre dhe dënimin e kriminelëve, liria e medias në Kosovë do të vazhdoj të jetë e kërcënuar.

“Dhe në fund me rastin e ditës së lirisë së mediave, dua ti përkujtoj gazetarët e vrarë që nga Enver Maloku, Afrim Maliqi, Xhemajl Mustafa, Ismajl Berbatovci, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, e të tjerët, dhe në të njëjtën ditë t’ua rikujtoj institucioneve të drejtësisë se pa zbardhjen e vrasjeve të tyre dhe dënimin e kriminelëve, liria e medias në Kosovë do të vazhdoj të jetë e kërcënuar. Mos ndëshkimi i këtyre krimeve krijon hapësirë dhe motiv për përsëritjen e tyre. Cenimi i lirisë së mediave, është cenim i demokracisë dhe rrezik për të ardhmen e vendit”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat