“Kosova cak i sulmit”/ Vjen paralajmërimi: Ja kush po i ndihmon Serbisë dhe Rusisë për tensionimin e situatës në veri!

Politika

“Kosova cak i sulmit”/ Vjen paralajmërimi: Ja kush po i ndihmon Serbisë dhe Rusisë për tensionimin e situatës në veri!

Nga: A.M Më: 3 maj 2022 Në ora: 22:47
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Rusia nuk po ngopet vetëm me luftën në Ukrainë, presidenti i saj, Vladimir Putin po tenton që ta shtrijë agresionin e tij edhe më gjerë. 

E për këtë, shtetet më të rrezikuara janë ato të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. 

Në këtë aspiratë, Putinin po e ndihmon Vuçiqi, i cili po tenton në vazhdimësi ta destabilizojë situatën në Kosovë, veçanërisht në veri. 

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot” tha se lufta në Ukrainë ka trazuar sigurinë në gjithë botën, ku është rikthyer një fashizëm i egër. 

Megjithatë, ai beson se ushtria ukrainase po i bën ballë agresionit rus me ndihmën e shteteve Perëndimore. 

Image
Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj

“Në kohët e fundit situata në Evropën e civilizuar ka ndryshuar, ku edhe pas 70 viteve po lind përsëri fashizmi, një fashizëm i egër dhe barbarë, sikur ai hitlerian. Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në muajin e katërt. Përpara na dalin imazhe të masakrave të bishave të Karpateve ndaj popullit ukrainas dhe ushtrisë së saj heroike që me ndihmën e botës demokratike Perëndimore, po iu bën ballë armikut shumëfish më të armatosur bile edhe me armë bërthamore, me të cilat kërcënon herë pas herë se do t’i përdor”, deklaroi profesori. 

Sipas Maxharrajt, një luftë e tillë mund ta godasë edhe Ballkanin dhe shtetet e tij, ku më të rrezikuarat janë Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Krahas kësaj, ai përmendi edhe tendencën e Rusisë për të ndikuar në Ballkan dhe qëllimet e saj gjeo-strategjike. 

“Lufta e tillë e pabarabartë midis Rusisë dhe Ukrainës ka bërë që i gjithë rajoni të ndihet keq, sepse bisha e Karpatave po i kërcënon edhe vendet e tjera. Por, era e kësaj furtune, stuhie lufte është e mundur që ta godas edhe Ballkanin e brishtë Perëndimor. Rusia për shkak te interesave te saj gjeo-strategjike, synon që të ketë ndikim edhe në Ballkan për ta bërë prerjen midis Perëndimit dhe Lindjes. Dhe për këtë arsye ndikimi i Rusisë në këto vitet e tranzicionit në tërë hapësirën e Ballkanit Perëndimor është i pranishëm, ku prania e saj është vërejt dhe po vërehet në Bosnje e Hercegovinë, ku përmes Millorad Dodikut po tenton që ta ndaj Republikën Srpska nga tërësia territoriale e Bosnjës e Hercegovinës. Në Mal të Zi përmes Kishës po tenton të krijoj trazira, por edhe me spiunët e vetë po tenton ta destabilizoi këtë vend i cili tanimë është në NATO, siç ndodhi tentim grusht-shteti me 2016 kur sigurimet serb të dirigjuar nga Rusia kishin plan rrëzimin e  presidentit Milo Gjukaniviq”, theksoi ai. 

Mirëpo, profesori vlerësoi se Kosova është më e rrezikuar, pasi Serbia në bashkëpunim me Rusinë dhe ndihmën e Listës Serbisë po tensionon situatën në veri. 

Duke marrë parasysh se shteti serb nuk i ka vendosur sanksione shteti rus, ai kërkoi që Amerika dhe Bashkimi Evropian ta vendosin para një zgjidhje të detyruar Vuçiqin, pasi nuk mund të qëndrojë në dy karrige. 

“Por shumë më drastike është situata në Kosovë, ku Rusia përmes Serbisë dhe Aleksandër Vuçiq, hapur po vepron kundër Kosovës në veriun e saj përmes patericës së sajë Lista Srpska e cila më shumë njihet si organizatë terroriste e drejtuar nga Aleksandër Vuçiq dhe përkrahësit e spiunëve nga Rusia. Jo vetëm kaq, për t’i arritur aspiratat e veta në destabilizimin e Kosovës ajo po e ndihmon Serbinë me armatim të sofistikuar të të gjitha llojeve. Serbia e kriminelit dhe çetnikut Vuçiq e shpërfaqi fytyrën e vetë, kur ai haptas për luftën në Ukrainë u rreshtua kah Rusia e jo kah Perëndimi. Tani është koha që Amerika dhe BE të flasin qartë dhe shkurtë me Serbinë se më tutje nuk mund të qëndrojë në dy karrige, duhet të zgjedh definitivisht a do me Rusinë apo me vlerat demokratike perëndimore”, nënvizoi Maxharraj. 

Në vazhdim, ai paralajmëroi se Serbia po përdor rrugë jo institucionale për ta ndarë Kosovën, përmes veprimeve tendencioze në veri. Profesori, përmendi faktin se shteti serb dështoi t’i arrijë synimet përmes dialogut. 

“Rusia dhe Serbia kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, të krijojnë incidentet dhe veprime destabilizuese për të tensionuar rajonin sidomos atë në Bosnjë dhe në veri të Kosovës. Serbia qe sa vite po bisedon me Kosovën jo për interesa te serbëve në veri, sepse edhe ashtu i kanë më të lartat në rajon, por qëllimi i tyre është që të arrihet ajo se çka nuk mund të arrijë me dialog, pra me mjete tjera joinstitucionale ta ndaj veriun qoftë fizikisht ose përmes Asociacionit një etnik serb, që përfundimin e ka përsëri ndarjen e Kosovës”, shpjegoi ai. 

Në fund, profesori tha se është Lista Serbe ajo që po e ndihmon Serbinë dhe Rusinë në realizimin e qëllimeve të tyre. 

Po ashtu, ai potencoi se me çdo kusht po tentohet shkatërrimi i shtetit të Kosovës, qoftë edhe me luftë të armatosur. 

“Më ndihmën e Rusisë dhe spiunëve të saj të shpërndarë në rajon, Serbia qëllimin e saj nacional tenton ta realizojë përmes veglës së vetë, Lista Srpska e cila edhe është formuar si dorë e djathtë e Beogradit për realizimin e qëllimeve të saj. Dihet se Lista Srpska nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk i zbaton ligjet e saj, ajo vepron si në xhungël në veriun e Kosovës, pa kurrfarë ligjesh, vetëm përmes direktivave nga Beogradi dhe presidenti Vuçiq. Ata bëjnë vepra penale në  veri, bllokojnë rrugët, kërcënojnë me vrasje çdo herë kur Kosova tenton të ushtroi sovranitetin neë territorin e vetë, ata me urdhrin e Beogradit edhe sulmojnë me armë zjarri policët tanë, ata haptas shkojnë aq larg sa qe kërkojnë shkatërrimin e shtetit të Kosovës, qoftë edhe me luftë të armatosur”, përmbylli Binak Maxharraj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat