Zgjedhja e Abazoviqit gëzoi Kurtin, ndërsa pikëlloi Ramën e Vuҫiqin

Politika

Zgjedhja e Abazoviqit gëzoi Kurtin, ndërsa pikëlloi Ramën e Vuҫiqin

Hava Orana Xhukollia Nga Hava Orana Xhukollia Më 5 maj 2022 Në ora: 08:10
Albin Kurti dhe Dritan Abazoviç

Pak ditë më parë shqiptari Dritan Abazoviq është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi. Kështu ai është bërë si kryeministri i tretë në Ballkan. Për zgjedhjen e tij ai ka marrë urime edhe nga krerët e shtetit të Kosovës e njerëz tjerë të politikës.

Kryeministri Kurti ka uruar Abazoviqin duke thënë se mezi pret bashkëpunimin me të në rajon.

”E përgëzoj nga zemra Dritan Abazoviqin, kryeministrin e Malit të Zi, nga komuniteti shqiptar. Mezi pres të punojmë së bashku, ngushtë, për të adresuar sfidat e shumta me të cilat përballemi në rajon”, kishte shkruar Kurti.

Kurti me këtë ka konfirmuar se pret një raport të mirë me kryeministrin e tretë shqiptarë në Ballkan, derisa raportet me homologun nga Shqipëria mund të mos jenë shumë të mira. Edi Rama duket të ketë një afërsi më të madhe me presidentin serb, Aleksandër Vuҫiq.

Njohësit e ҫështjeve politike kanë komentuar raportin e mundshëm ndërmjet dy kryeministrave.

Mehazi: Ideologjitë proserbe të dy shteteve do të detyrojnë që dy kryeministrat Kurti dhe Abazoviqi ta përkrahin njëri-tjetrin

Image
Profesori universitar Sulejman Mehazi

Kështu, profesori universitar Sulejman Mehazi ka komentuar këtë raport duke thënë se zgjedhja e Dritan Abazoviqit në krye të qeverisë së Malit të Zi ka gëzuar të gjithë qytetarët shqiptarë, kurse më së shumti ka gëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Urimi i Kurtit drejtuar homologut të tij Dritan Abazoviqit nuk është vetëm një urim formal për kryeministrin e ri të Malit të Zi, por ideologjikisht, politikisht diçka më shumë për bashkëpunime e interesa më të thella, politike, ekonomike e strategjike shtetërore. Ideologjitë proserbe të dy shteteve do të detyrojnë që dy kryeministrat, Dritan Abazoviqi i Malit të Zi dhe Albin Kurti i Kosovës patjetërsisht e domosdosmërisht të jenë në përkrahje të njëri tjetrit kundër rreziqeve serbe”, thotë ai.

Profesor Mehazi thotë se posti i lartë i Dritan Abazoviqit në Mal të Zi ka ushqyer pamasë kryeministrin Albin Kurti, ndërsa në anën tjetër ka pikëlluar projektuesit e “Ballkanit të hapur”, Vuçiqin dhe Edi Ramën.

“Tani më Albin Kurti nuk do jetë i vetmuar kundër “Ballkanit të hapur” të Ramës, ai tani do ketë përkrahjen e madhe nga Dritan Abazoviqi i Malit të Zi. Kështu që tre kryeministrat shqiptar të tre shteteve ballkanike do jenë të ndarë në dy tabore: tabori antiserb kundër Ballkanit të hapur do jetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviqi, kurse në taborin serb të Vuçiqit do jetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Problemi i rrezikshëm serb si në Mal të Zi, si në Kosovë do të detyrojë që dy kryeministrat e Malit të Zi dhe të Kosovës të bashkëpunojnë, kundër projekteve proserbe të Ramës dhe Vuçiqit. Ideologjia e veprimeve politike antiserbe do të detyrojë bashkëpunimin e Abazoviqit me Kurtit, kundër Edi Ramës e Vuçiqit”, vlerëson ai.

Maxharraj: Mund të kemi shumë kryeministra shqiptar në rajon që edhe mund të mos jenë të hairit

Image
Profesori dhe njohësi i ҫështjeve politike, Binak Maxharraj

Ndërkaq, profesori dhe njohësi i ҫështjeve politike, Binak Maxharraj thotë se posa të ndodhë diçka te ne shqiptarët në vend të analizave të thukëta, ne nga euforia më shumë e përdorim folklorizmin. Këtë e lidh me atë se këto ditë në Mal të Zi për herë të parë për kryeministër u zgjodh një shqiptar Dritan Abazoviçi.

“U përhapë lajmi me shpejtësi, por edhe me eufori se tashti ne shqiptarët në Ballkanin Perëndimor kemi tre kryeministra, atë të Shqipërisë Edi Ramën, të Kosovës dhe tani të Malit të Zi Dritan Abazoviçin, kurse siç po thonë në rrugë qenka të vijë për kryeministri shqiptar edhe në Maqedoninë e Veriut dhe se tashti gjëja na frikësohen të gjithë e sidomos serbët, etj. etj. Por, nuk është numri, ai i cili paraqet vlerat, numri është veç numër, nuk i përcakton standardet e ndërtimit të shtetit, avancimin e reformave të ndryshme zhvillimore në një vend. Kryeministri duhet ta udhëheq vendin me dinjitet të plotë, duhet t’i respektoi ligjet dhe kushtetutën e vendit, sovranitetin dhe pavarësinë e tij. Mund të kemi shumë kryeministra shqiptar në rajon që edhe mund të mos jenë të hairit, mund të kemi edhe vetëm një kryeministër që t’ia shohim hairin në avancimin e çështjes shqiptare, e cila në këto vise është nëpërkëmbë vazhdimisht nga të huajt, nga armiqtë tanë”, vlerëson Maxharraj.

Ai në këtë rast merr shembull tre kryeministrat shqiptarë në Kosovë, Hashim Thaҫin, Isa Mustafën e Ramush Haradinajn, por që thotë se nuk kontribuuan, por e shkatërruan shtetin.

“Kështu për shembull ne në Kosovë patëm tre kryeministra me radhë Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn etj., por që nuk ua pamë hairin fare, ata më shumë u angazhuan në shkatërrimin sesa në shtetndërtimin e vendit, u morën me hajni dhe plaҫkitje, e shkatërruan trashëgimin ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore, bën privatizime duke i dhënë gati falas asetet e rëndësishme ekonomike, tentuan edhe ta qesin Kosovën në pazare me armikun shekullor Serbinë, por shkuan edhe aq larg sa që edhe e cenuan sovranitetin territorial duke ia dhënë Çakorrin me 8200 hektarë tokë Malit të Zi, që kurrë në histori nuk ishte i tyre”, vlerëson ai.

Maxharraj thotë se në Kosovë për herë të parë e kemi një kryeministër, Albin Kurtin i cili erdhi në pushtet me votë, i cili më shumë ishte si një referendum popullor ku së bashku me Vjosa Osmanin tani Presidente, i morën mbi 50% të votave duke i lënë në opozitë partitë e korruptuara.

“Udhëheqësit e rinj të Kosovës janë persona të zgjedhur nga populli të pakorruptuar, të cilët para votuesit kanë marrë obligime të mëdha në drejtimin e shtetit, në luftimin e korrupsionit, në ç’kapjen e shtetit nga kupola e krimit të organizuar, në rritjen e imazhit të thyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare, etj. të cilën gjë janë duke e bërë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë ai.

Ai thotë se nga ana tjetër në Shqipëri kemi një kryeministër Edi Ramën, i cili me manipulime votash fiton mandatin për të tretën herë.

“Është njeri matrapaz i korruptuar që lidhje nuk ka se si qeveriset vendi. Si pasojë e kësaj Shqipëria veç është zbrazë, njerëzit po ikin. Por, ajo se çfarë është më e dhimbshmja për këtë kryeministër është ajo se po krijon përçarje midis liderëve shqiptarë në rajon, kryeministër, i cili kryekëput është i orientuar dhe i miqësuar me Serbinë, e cila deri dje na ka grirë, vrarë e pjekë, kryeministër, i cili krijon marrëdhënie me Serbinë në dëm të Kosovës, kryeministër i cili përmes “Ballkanit të hapur” tenton t’i krijoj hapësirë hegjemoniste Serbisë në rajon deri në det”, thekson ai.

Maxharraj thotë se zgjedhja e Dritan Abazoviçit, kësaj figure kontraverse për kryeministër të Malit të Zi, është një lajm i mirë për rajonin, të cilin duhet përshëndetur anipse fuqia e tij në një shtet sllav është e vogël, por Abazoviçi ka kapacitet intelektual dhe shkencor për të udhëheq me Malin e Zi, anipse u zgjodh për kryeministër nga grupi, i cili i ka vetëm katër deputetë.

“Zgjedhja e Dritan Abazoviçit për kryeministër të Malit të Zi erdhi si shkak i përplasjes së tij me partinë e Frontit Popullor serb, e cila nuk ishte e gatshme t’i hyjë reformave proevropiane, por orientimin e kishte kah Rusia dhe Serbia për këtë shkak edhe pati probleme të mëdha në bashkëqeverisje, i cili së bashku me partinë e Gjukanoviqit, kërkoi votëbesimin e qeverisë, e cila nuk e mori votëbesimin edhe u rrëzua. Me të marrë të detyrës së re të kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviqi theksoi në veçanti se detyrë e parë e tij është të krijojë kushte për ringjalljen e shtetit, të zhvillojë reforma në të gjitha fushat si në ekonomi dhe në arsim, të ketë një qeveri proevropinane, për heqjen e ndikimit ruso-serb nga Mali i Zi, kur dihet se ky shtet veç është në Aleancën perëndimore në NATO, por Abazoviqi duhet më shumë t’i kushtojë kujdes të drejtave të shqiptarëve, që të mos anashkalohen si deri më tani, çfarë ka ndikuar që shqiptarët me shumicë janë larguar nga ky vend, çfarë tregon edhe fakti se Malësia e Madhe gati se është zhveshë nga shqiptarët”, vlerëson profesor Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat