Planifikimi i 20 mijë ushtarëve rezervë / Mehaj të koordinohet me partnerin tonë strategjik ushtarak SHBA-të

Politika

Planifikimi i 20 mijë ushtarëve rezervë / Mehaj të koordinohet me partnerin tonë strategjik ushtarak SHBA-të

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 maj 2022 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Lufta që po vazhdon në Ukrainë, rreziqet që po krijon ajo për vendet tjera, kanë nxitur ide të reja për shtimin e sigurisë në Kosovë.

Situata në Ukrainë pothuajse ka përfshirë gjithë botën, e po ashtu edhe Kosovën.

Nga ana tjetër Serbia po armatoset dhe kërcënimet e vazhdueshme nga ajo kanë bërë që Ministria e Mbrojtjes në Kosovë të ndërmarr hapa sa i përket forcimit të ushtrisë.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka bërë të ditur se kjo ministri planifikon rekrutimin e rreth 20 mijë ushtarëve rezervë, në vitet e ardhshme.

Jemi duke e punuar konceptin për rezervë vullnetare, duhet t’i kemi rreth 20 mijë vetë që nevojiten për ta mbrojtur vendin, por edhe të stërviten”, ka thënë dje ministri Mehaj gjatë raportimit të tij bashkë me ushtarakët e lartë, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

Tërnava: Planifikimi i 20 mijë ushtarëve rezervë ndërlidhet me kërcënimet që po na bëhen në vazhdimësi

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një përgjigje për “Bota sot” thotë se vendi jonë duhet të jetë gati sepse situata është konfliktuoze mund të shndërrohet edhe në luftë mes Serbisë dhe Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

Situata e sigurisë e tanishme nga sulmi i Rusisë, dhe që ajo luftë po zgjat edhe më tutje, dhe ka frikë se mund edhe të përzgjerohet në territore tjera e sidomos në Ballkan, e kur dihet gjendja nga paslufta e Serbisë ndaj Kosovës, që kjo situatë konfliktuoze mund të shndërrohet edhe në luftë mes Serbisë dhe Kosovës, edhe që garancinë për sigurinë e territorit të Kosovës që nga paslufta e këndej e garanton KFOR-i, që llogaritet si pjesë e NATO-s, dhe që nga pavarësia e shpallur më 2008 edhe policia e Kosovës që i ushtron detyrat e saj në ruajtjen e sigurisë dhe ligjshmërisë në territorin e saj, si dhe formimi i ushtrisë si FSK që nga viti 2018, e cila stërvitet pandërprerë si nga eprorët e vendit dhe shpesh merr pjesë edhe në stërvitje të përbashkëta me forcat e NATO-s, si në vendin tonë ashtu edhe në shtetet tjera ku ftohet të merrë pjesë, dhe shpeshherë për stërvitjet e saj merr lëvdata dhe mirënjohje nga ndërkombëtarët dhe kur dihet se është mirë e armatosur me armët moderne”, thotë ai.

Sipas tij, rekrutimi i 20 mijë ushtarëve rezervë, tregon gatishmërinë e rinisë që të mobilizohen në ruajtjen e territorit të Kosovës, nëse sulmohet nga armiqtë e mundshëm.

Planifikimi i rekrutimit të 20 mijë ushtarëve rezervë, është një sprovë që e tregon gatishmërinë e rinisë të Kosovës, që të mobilizohen në ruajtjen e territorit të Kosovës, nëse sulmohet nga armiqtë e mundshëm sikur që ende i kemi të freskëta sulmet luftarake që na u bënë nga ana e Serbisë në vitin 1998-99, e kur atëherë nuk e kishim as ushtrinë e as policinë tonë, por populli ashtu me mundësitë e tij u organizua në mënyrat guerile dhe luftoi deri në çlirimin e vendit me fitoren e luftës”, deklaron ai.

Në fund, shton se mobilizimi në këtë numër mund të ndërlidhet edhe me kërcënimet që po na bëhen në vazhdimësi dhe që në të gjitha anët po mbretëron atmosferë lufte.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj duhej ta planifikonte një rekrutim të 20 mijë ushtarëve rezervë ashtu si e vlerëson ai, si i pari i FSK-së, kur në të gjitha anët po mbretëron një atmosferë luftarake, më në fund pse mos të mobilizohen të rinjtë dhe ta kuptojnë seriozitetin e situatës së luftës, dhe t’i kenë përvojat e tyre nga ato stërvitje që do t’i kenë, e të cilat do t’iu shërbejnë për një kohë të gjatë si përvojë që kur ta kërkojë vendi prapë të mobilizohen në ruajtjen e vendit tonë. Ky mobilizim në këtë numër mund të ndërlidhet edhe me kërcënimet që po na bëhen në vazhdimësi, por kjo përvojë e stërvitjeve do ta pasurojë dhe aftësojë rininë tonë me përvojat që do t’i arrijnë në stërvitjet që do t’i kenë për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, dhe ky mobilizim do t’iu shërbejë edhe më shumë shteteve agresive ndaj Kosovës si në preventivë, se Kosova e ka një rini të përgatitur mirë që në çdo kohë mund të mobilizohen për mbrojtjen e atdheut dhe territorit të saj, dhe ata që e sulmojnë shtetin e Kosovës duhet ta kuptojnë mirë se nëse sulmohet Kosova çfarë mund t‘i pret nga FSK-ja, policia, dhe të rinjtë e mobilizuar që janë të stërvitur dhe të armatosur në nivele të larta ushtarake”, përfundon Tërnava.

Shala: Mehaj të koordinohet me partnerët strategjik

Kurse eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se ky plan duhet të koordinohet me SHBA-në, e gjithashtu që numri nuk korrespondon me planin gjithëpërfshirës të transformimit nga FSK-ja në FAK.

Image
Drizan Shala

Propozim mendimi që të kemi rreth 20 mijë ushtarë rezervë, koncept ky i shprehur nga ana e ministrit të Mbrojtjes duhet të koordinohet me partnerin tonë strategjik ushtarak që janë SHBA-të, e jo të vendoset kokë më vete. Ky numër nuk korrespondon me planin gjithëpërfshirës të transformimit nga FSK në FAK, i cili bazohet në tri faza të saj dhe që pritet të përmbyllet sipas planifikimit 2029/2030”, thotë Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat