Kush do t’i hetojë vrasjet politike pas vitit 2000?! / Vrasjet e porositura nga ata që ishin kundër demokracisë në Kosovë

Politika

Kush do t’i hetojë vrasjet politike pas vitit 2000?! / Vrasjet e porositura nga ata që ishin kundër demokracisë në Kosovë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 maj 2022 Në ora: 11:07
Foto ilustrim- vrasjet politike

Gjykata Speciale tashmë po akuzon disa ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për disa krime që kanë ndodhur në periudhën gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Por, mandati i gjykatës speciale është kufizuar, sipas ligjeve për themelimin e saj, nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Brenda kësaj periudhe kanë ndodhur shumë krime në Kosovë, dhe mjaft shumë vrasje politike.

Por, janë me dhjetëra vrasje politike, të zyrtarëve të LDK-së, kolonelit Tahir Zemaj (2004), por edhe të gazetarëve, si të Bekim Kastratit (2001) dhe Bardhyl Ajetit (2005), të vrarë pra në kohën, që kjo gjykatë aktualisht nuk ka mandat, dhe nuk ka siguri se mund t’i hetojë e gjykojë ato raste.

Një nga ata ishte viktimë e dhunës politike edhe ish-kryetari i Klinës, Ismet Rraci, i vrarë më 23 prill të vitit 2001, pra më pak se katër muaj nga koha e mandatuar e gjykatës speciale.

Rraci, ka qenë edhe kryetar i degës së LDK-së, ndërsa vetëm disa muaj më parë i kishte fituar zgjedhjet lokale, madje bindshëm, për kryetar të Komunës së Klinës. Ai ishte vrarë pranë banesës së tij deri sa po shkonte në punë.

Për vrasjen e Rracit ka folur duke i vlerësuar ata që kishin porositur vrasjen, asokohe vetëm kryetar i LDK-së Ibrahim Rugova, si njerëz apo grupim që ishin kundër shtetit ligjor dhe demokracisë.

“Vrasja e Ismet Rracit është vrasja më e rëndë për të gjithë ne, pas vrasjes së Xhemajl Mustafës, në nëntor të vitit të kaluar. Njëherësh, kjo është vrasje e drejtuar kundër pushtetit demokratik të dalë nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Kjo vrasje bëhet nga ata që nuk e duan vendosjen e rendit demokratik në Kosovë”, kishte deklaruar Rugova.

Ndërsa, gjykata speciale sa herë që është pyetur për krimet për të cilat do të trajtoj, nga ajo kemi përgjigjen se do të trajtoj krimet brenda asaj periudhe të përcaktuar, 1998-2000.

Këto vrasje edhe dy dekada pas nuk janë hetuar ende, ndërsa familjarët shprehen se shpresat i kanë vetëm tek Gjykata Speciale.

Krasniqi: Të hetohen të gjitha vrasjet, por së pari duhet Gjykata Speciale me i hetu dhe me i burgos kriminelët e Milosheviҫit

Lidhur me këto vrasje, ka folur një nga ish luftëtarët e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, Sefedin Krasniqi. Ai thotë se duhet të hetohen të gjitha vrasjet, por fillimisht duhet të hetohen dhe burgosen kriminelët e Millosheviҫit.

Image
Sefedin Krasniqi

“Dëshiroj që të hetohen të gjitha vrasjet, por së pari duhet Gjykata Speciale me i hetu dhe me i burgos kriminelët e Millosheviҫit tani këtu në Kosovë”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq sa i përket kësaj ҫështje, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se formimi i gjykatës speciale me seli në Hagë, për formimin e të cilës u dakorduan të gjitha strukturat që e udhëhiqnin shtetin në atë kohë duke filluar nga Kryetari, Kryeministri dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht që pati edhe kundërshtues të formimit të saj, si LVV-ja dhe disa deputetë të partive të tjera në numra të vegjël.

Image
Hajrullah Tërnava

Megjithatë gjykata speciale u formua me mjaft dyshime, sikur që tani po vërehet e po dihet se kush ka me qenë i përfshirë në atë gjyq, e më së shumti tani u burgosën ata që ishin më të zëshmit për krijimin e asaj gjykate. Është për tu habitur se si bash ata më të mëdhenjtë e shtetit bënin presion në deputetët se kush nuk e voton këtë gjykatë, ata janë tradhtarët e popullit. Deri më tani janë të përfshirë tetë (7) persona që janë duke u gjykuar në Hagë, dhe tash po bëhet mbi një vit e gjysmë dhe sipas të gjitha gjasave kjo gjykatë do të ketë funksionimin e saj edhe më të gjatë se sa është paramenduar, sepse ditë e për ditë po përmendet se së shpejti do të burgosen edhe persona të tjerë që janë si të dyshuar të atij gjyqi dhe në numra më të mëdhenjë se ata që gjenden të burgosur.

Deri më tani në gjykatë janë zhvilluar procedura hetimore ndaj të dyshuarve, që janë tani të paraburgosur, për disa vrasje që janë bërë në Kosovë, gjatë luftës dhe pas saj, ndaj disa personaliteteve të kombit shqiptarë, e që janë të njohur për opinionin kosovarë, e kryesisht që ishin aktivistë të LDK-së, ky gjykim është duke u zhvilluar në Hagë, por konsiderohet si gjyq i Kosovës e që gjykatësit, prokurorët dhe të tjerët janë të huaj, dhe të gjitha pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve-dyshuarve ua bartin institucionet-shteti i Kosovës”, thotë Tërnava.

Tërnava: Qëllimi i speciales është të zbardhen vrasjet enigmatike

Ai thotë më tutje se, deri në përfundimin e mandatit të kësja gjykate do të jenë të përfshirë të gjithë ata që dyshohet se kanë marrë pjesë për organizimin apo likuidimin e atyre personave në fjalë, që tani kjo gjykatë po merret me këto raste të tyre, e që nuk është numër i vogël i viktimave. Përshtypjet janë se ky gjyq do të zgjatë një kohë të konsiderueshme disavjeҫare.

“Në bazë të kësaj ҫfarë u tha deri më tani konstatohet se të gjitha rastet e vrasjeve politike të kohërave të gjatë dhe të pasluftës do të hetohen dhe do të dënohen nga gjykata speciale. Qëllimi i kësaj gjykate është që t’i dënojë ata vepërkryes dhe të zbardhen këto vrasje enigmatike njëherë e përgjithmonë”, thotë ai.

Sipas tij, edhe pse ishin në administrim të Kosovës dhe të drejtësisë, për një kohë të gjatë UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk i zbardhën vrasjet politike, sepse në ato kohëra ishte një konstatim se në këtë vend të dalë nga lufta, nuk kishte mundësi që strukturat juridike që ishin në formim e sipër, të arrinin që t’i zbardhnin ato vrasje të shumta që ishin bërë.

Mangësia e atij gjykimi sipas shumë vlerësimeve që janë bërë deri më tani, ishte pse mos të gjykohen në po këtë gjyq edhe vrasësit serbë që kanë kryer vepra të rënda të vrasjeve në shumë territore të Kosovës, e që mund të thuhet se kanë bërë edhe gjenocide sikur që janë të njohura ato vende në territoret e Kosovës, ku janë vrarë me qindra persona, dhe lufta që është bërë në Kosovë dhe vrasjet e kryera e kanë gjenezën në Kosovë, prandaj është e pakuptimtë pse në këtë gjyq mos të dënohen serbët që ishin edhe shkaktarë të kësaj lufte që u bë në Kosovë, dhe i kryen të gjitha ato vrasje mizore deri në gjenocid.

Hetimi i të gjitha vrasjeve gjatë dhe të pasluftës ndaj aktivistëve të partisë së LDK-së si dhe të disa shqiptarëve tjerë të vrarë nga shqiptarët është kompetencë e gjykatës speciale në Hagë. Në të ardhmen kur të pastrohen mirë institucionet e drejtësisë, dhe në to të punësohen njerëz me dinjitet dhe të shkolluar me përvojë të konsiderueshme juridike, në ato kohëra mund të merren me vepra të kryera të kësaj natyre, edhe Prokuroria Speciale e Kosovës që është në zhvillim e sipër”, vlerëson eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat