Shantazhet serbe kanë mbaruar / Kosova po del më e fuqishme në bisedime

Politika

Shantazhet serbe kanë mbaruar / Kosova po del më e fuqishme në bisedime

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 maj 2022 Në ora: 14:38
Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë Vuçiq, në një takim të përbashkët me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog Miroslva Lajçak, gjatë një darke në Berlin.

Të mërkurën e 4 majit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, priti në takim ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Kryeministri Kurti po ashtu u takua me presidentin e Serbisë Vuçiq, në një takim të përbashkët me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog Miroslva Lajçak, gjatë një darke në Berlin.

Në mes tjerash në takim është biseduar për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se marrëveshja përfundimtare midis dy vendeve do të duhet të përfshijë njohjen e dyanshme.

Derisa, qëndrimi i deritashëm zyrtar i Serbisë ishte se nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e Kosovës, ndërsa, sipas Kosovës, dialogu nuk ka kuptim nëse nuk përfundon me njohje reciproke.

Kancelari gjerman Sholc ia bëri të qartë Serbisë se njohja e Kosovës duhet të jetë pjesë e marrëveshjes, dhe se po ashtu mund të merren masa ndaj Serbisë, si për pengesat në dialog edhe për qëndrimet prorusisë, duke mos iu bashkuar sanksioneve për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Gjithashtu besohet se Serbia është kërcënuar edhe me suspendim nga procesi i anëtarësimit në BE, dhe janë përmendur edhe masa të tjera shtrënguese.

Duket se Kosova mund të nisë të marrë frymë pak më lirshëm, pasi trysnia po bie mbi Serbinë, dhe jo si deri tani, që binte kryesisht mbi Kosovën.

Mulliqi: Bisedimet do të marrin kahun pozitiv për Kosovën

Lidhur me këtë temë analisti, Skënder Mulliqi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se qeveritë e kaluara i bënë lëshime të njëpasnjëshme Serbisë.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, lëshimet qenë bërë dominante në bisedime.

Pala e Kosovës në bisedime duke filluar nga Grupi i Unitetit dhe deri të pushteti i ri, nuk ishin shumë në nivel të detyrës, se nënshkruan shumë marrëveshje në dëm të Kosovës, madje edhe aso marrëveshje ku u humb territori, dhe ku u prek edhe statusi politik i vendit. Këto pushtete nuk qëndruan fort në këmbë të veta duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme Serbisë. Lëshuan pe para një shteti që ende është me logjikë serbomadhe millosheviqiane, lëshuan pe para një shteti që shkaktoi gjenocid mbi shqiptarët.

Serbia u bë dominante në bisedime thua se ne ishim ata që e shkaktuam luftën dhe gjenocidin, e jo Serbia e Milloshiviqit. Aq më keq që Serbia nuk u paditë për gjenocid pranë TPI-së në Hagë. Nuk u kërkuan as dëmet e luftës, dhe asnjë fjalë për suksesionin që i takon edhe Kosovës. Pasojat e gjithë këtyre po dalin në shesh dhe po i vuajmë tash, kur po vazhdohet dialogu. Erdhëm në situatë jo të mirë politike me Asociacionin me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, thotë ai.

Bisedime pozitive për Kosovën

Tutje ai, shton se bisedimet do të marrin kah pozitiv për Kosovën.

Ai përmend edhe padinë që s’është dashur t’i bëhej Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Serbia e Vuçiqit po na kërcënon me luftë për ta bërë faktike atë. Takimi i fundit në Berlin midis Kurtit dhe Sholz-it dhe Lajqakut e Vuçiqit, kjo e para ka dhënë sinjale se bisedimet do të marrin kahun pozitiv për Kosovën. U hap një kaptinë e re dhe një shpresë se në finale të këtyre bisedimeve do të dalim faqebardhë. Në Berlin u shfaqën edhe dobësitë e pushteteve të kaluara, kur gazetarët gjermanë, Nicole Bastian dhe Mathias Brüggmann, ja kujtuan presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Berlin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 kishte vendosur se Pavarësia e Kosovës nuk ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare, pasi Serbia kishte kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Por, nuk mjafton kjo derisa Kosova nuk bëri padi për gjenocid siç e bën këtë gjë Bosnja dhe Kroacia. Mu për atë edhe Vuçiqi i dha vetës të drejtë të thotë: “Nuk ka pasur gjenocid në Kosovë dhe nuk ka asnjë vendim të vetëm gjykate që e sheh atë ndryshe”, nënvizon ai.

Në fund shton që nga takimi e këndej ne duhet të jemi të vëmendshëm, që të kërkojmë që pavarësia të ndodhë më herët, e jo të presim për fund të bisedimeve.

Ai thotë se edhe lufta në Ukrainë ka krijuar rrethanë tjetër të mirë për Kosovën, që të bëhet më lehtë pjesë e Këshillit të Evropës, dhe e NATO-s.

Serbia edhe pse ka kaluar shumë kohë, duhet domosdo të paditet për gjenocid, të kërkohen dëmet e luftës, dhe rreth 1630 të pagjetur në rënd të parë. Kurse e dyta, është së Kosova nuk bën ta vazhdojë dialogun me këtë shtet pa e pranuar ajo Pavarësinë e Kosovës. Serbia në pafundësi dëshiron të përfitojë në kohë, duke vazhduar ta shantazhojë faktorin ndërkombëtar. Pas invazionit të Rusisë në Ukrainë janë krijuar rrethana politike të volitshme për Kosovën, e kjo rrethanë duhet të shfrytëzohet mirë, duke bashkëpunuar mendoj unë shumë ngushtë së pari me Amerikën, si sponsorin kryesor të lirisë dhe të pavarësisë të Kosovës, por natyrisht të bashkëpunohet edhe me BE-në, por e cila ende nuk ka sipas meje përcaktim të qartë se si do të arrihet marrëveshja përfundimtare, për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Takimi në Berlin me ndërmjetësim të kancelarit gjerman, Sholz, ka krijuar favore për palën e Kosovës në bisedime. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm, që të kërkojmë që pavarësia të ndodhë më herët, e jo të presim për fund të bisedimeve, sekjo do të jetë e dëmshme dhe e pa riparueshme për Kosovën, kur dihet se Serbia është shtet që nuk e mban fjalën kurrë. Do të jetë e pashmangshme edhe tema e Asociacionit, e që nuk guxojmë të lejojmë implementimin e marrëveshjes të nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015 në Bruksel. Lufta në Ukrainë ka krijuar edhe një rrethanë tjetër të mirë për Kosovën, që të bëhemi më lehtë pjesë e Këshillit të Evropës, dhe pjesë e strukturës ushtarake të NATO-s, si ombrella për mbrojtje, ndaj çdo agresioni të mundshëm ushtarak të Rusisë dhe Serbisë. Se a do të këtë njohje nga Serbia vetëm mund të supozohet, e kjo do të varet nga konsistenca politike e Kosovës.

Burjani: Dihet politika gjermane liberale karshi Ballkanit Perëndimor

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani mendon se nuk kishte asgjë përparimtare në dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjendja është status quo, nuk ka asgjë që mund të konsideronim përparim në dialog në mes të Kosovës dhe të Serbisë, takimi dukej më shumë kuriozitet se sa diçka që të ndodhë shpejt dhe pozitivisht për palët, konfirmimet gjermane të politikës së jashtme për Ballkanin nuk janë diçka e re, dihet politika gjermane liberale karshi Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Sipas tij, takimi ishte i njëjtë po që nuk kishte zgjidhje.

Nuk shoh diçka të veçantë për të thënë së paku ajo që palët dhe nikoqiri i takimit ka thënë nuk shpresoj në ndonjë progres, kjo është lojë e njëjtë pa zgjidhje, por më shumë për të ofruar formalisht palëve përkrahje. Nuk po shoh klimë politike përfundimtare, që shkon në drejtim të normalizimit”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat