Përgojimi i Kurtit, “ma mbaj kopilin, sa t`i them ku ..ë”!/ Veteran pa pushkë nuk ka

Politika

Përgojimi i Kurtit, “ma mbaj kopilin, sa t`i them ku ..ë”!/ Veteran pa pushkë nuk ka

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 6 maj 2022 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Albini ishte pjesë aktive e UÇK-së. Kurti dhe Rugova kanë qenë më të ekspozuarit, më të rrezikuarit nga armiku, se sa ata që ishin në uniformë dhe armë në dorë. Por, veteran, pa pushkë, nuk ka. Rrjedhimisht, Albini mund të futet në kategori tjetër, jo më pak të lavdishme, madje, krejt të veçantë, por, veteran nuk është. Ai nuk e ka kërkuar një favor të tillë. Por, në bazë të kritereve paushallë, e kanë bërë veteran.

Ish-"mashqit" e Albinit, Dardan Molliqaj, me shokë e shoqe, me akuzat e sforcuara, si argatë të PAN-it, po​ e dëmtojnë vetën dhe partinë. PSD-ja, e themeluar nga një zonjë e nderuar, siç është Kaqusha Jashari, e cila, në përpalljen me kriminelin Millosheviç, i tha: "Zotëri, ju keni probleme psikike", Molliqaj me shokë e kanë degraduar partinë e saj, njësoj siç ka bërë klani i Isa Mustafës, me LDK-në e Rugovës. Ata fshehin, qëllimshëm, arsyen e tërheqjes zyrtare nga UÇK-ja të Albinit. Dhe, kjo flet, mjaftueshëm, për xhelozinë, smirën që kanë karshi tij. Albini nuk mund të vazhdonte, si pjesë zyrtare e UÇK-së, ngaqë rrezikonte shumë, sepse punonte në një zyrë me Demaçin, e cila më shumë ishte informative. Dhe, këtë ç` regjistrim, duhet t`ia kenë sugjeruar të tjerët. Dhe, ai ka vepruar drejt.

Realisht, ashtu si Presidenti Rugova, që ishte trim i mençur, i cili u dëshmua me themelimin e LDK-së, m​ë 22 dhjetor 1989, me krijimin e UÇK-së, më 28 Nëntor 1990 dhe të institucioneve paralele të Kosovës, si dhe qëndrimin me familje, përgjatë gjithë luftës në Kosovë, edhe Albin Kurti ishte trim e stoik. Këtë e ka dëshmuar me qëndrimin dinjitoz, përgjatë vuajtjes të një burgu të rëndë e maltretues, nga policia kriminale serbo-sllave. "Albini është më i guximshmi, më trimi dhe më punëtori, nga ne të tjerët", - ka deklaruar bashkë partiaku dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Tashmë, për këtë ka dhënë prova.

Përgojimi i Kurtit, "ma mbaj kopilin, sa t`i them kurvë"!

Ndër vite vazhdon përgojimi i Albin Kurtit, se "si pati guximin, duke qenë i burgosur, ta quaj Sllobodan Millosheviçin dhe regjimin e tij fashist"?! Përgjigja është e thjeshtë. Albini ka guximin intelektual, me bindjen në ndërgjegjen e tij, me parimin e lartë, se për fjalën e lirë, shprehjen e lirë, ia vlen të sakrifikohesh në çdo kohë e rrethanë.


Qëndrimi i Albin Kurtit në burgjet e Serbisë, më kujton heronjtë e burgjeve të Shqipërisë staliniste e fashiste të Enver Hoxhës. Kemi parë raste kur, përgjatë gjykimit, të akuzuarit viheshin para alternativës: Të pranojë diktaturën në këmbim të jetës apo ta refuzojnë atë. Dhe, me vetëdije shkonin në litar, plumb, vdekje, në emër të demokracisë.

Ku po gjykohej poeti Trifon Xhaxhika, akuza për të cilën i bëhej, parashikohej maksimumi i dënimit 10 vjet burg. Por, ai në një gjyq të hapur tha: "Partinë tuaj, pushtetin tuaj kriminal, po të më jepej mundësia, do ta gjuaja me top". Dhe, poeti, në shenjë të mohimit të diktaturës, në emër të lirisë, vetëdijshëm, sakrifikoi jetën, në lulën e rinisë. Poeti ndjenjatar, liridashës e parimor, Trifon Xhaxhika u ekzekutua dhe si masë rënduese e shtesë vuajtje për familjen, mbeti pa varr-prehje të trupit të tij.

Pra, akuzat, me dyshimin e pabazuar, të bëra për Albinin, lidhur me deklarimet trimoshe publike, duke qenë "në gojën e ujkut", i mbani për vete, sepse provat e gjertanishme, u shkojnë "për shtati". Albini nuk është cub me banda haraçiste e vrastare, si akuzuesit e tij PAN-istë, por ka guximin intelektual, si kupolë e trimërisë.

Albin Kurti nuk e ka forcën ke bandat vrastare të shqiptarëve të pafajshëm, për ta arritur pushtetin dhe pasurinë, me grabitje, uzurpime, haraç, privatizime, tenderime, dhe hajni të tjera zyrtare. Ai nuk e aprovoi "harresën" e Veriut të Mitrovicës, me qëllim të kontrabandës, shpenguese, të komandantëve, me krerët e komunitetit serb, siç e konfirmoi Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kontrabanda nënkupton palët në bashkëpunim. E gjithë ajo kontrabandë, edhe pse bëhej në errësirën e natës, në fakt, ishte e tëra legale, sepse protagonistët e saj ishin komandantët mujëshorë e fuqiplotë dhe krerët e "Listës Serbe", me seli në Veriun e Mitrovicës.

Protestat e përligjura të LVV dhe sabotimi i reformave nga PAN-i!

Opozita u është qasur kritikave të sforcuara e artificiale, në adresë të LVV. Në veçanti PAN-i, me politikën vrastare e hajnore, përgjatë tej dy dekadave, nuk po arrin të pajtohet me pozicionin opozitar, ku i ka caktuar vendin vota e lirë e popullit të Kosovës. Ajo kundërshton dhe bllokon çdo nismë reformatore të pozitës - LVV. Mjerisht, jo rrallë, krah i bëhet edhe LDK-ja, në veçanti, klani brenda saj, tashmë," i rënë nga fiku".

Me mendësinë diktatoriale, linçuese, edhe akuzuesit e Albinit, në mungesë të guximit të tyre, qofshin ata çobejë apo intelektualë, nuk arrijnë, ose më saktë, nuk duan ta pranojnë epërsinë absolute intelektuale e guximtare të Abin Kurtit. Anatema e opozitës së tanishme, për kundërshtitë e LVV, që nga hapi i parë në politikë, i është kthyer në bumerang vet asaj.

Sepse që nga protestat ke Ura e Ibrit, kundër tradhtisë të "komandantëve"; 6 (gjashtë) pikëshin e Baki Munit; Fusnotës; nënshkrimin e Asociacionit; nënshkrimin e Demarkacionit; e deri ke "zgjedhja" banditeske e Hashimit president, rezultuan të kenë qenë të drejta, në mbrojtje të tërësisë tokësore të Republikës së Kosovës.

Edhe granatimi i Kuvendit, nuk është asgjë, në krahasim me humbjen e 8.226 hektarëve tokë. Sepse, fundja, godina e Kuvendit është - tulla-llaç - dhe nuk mund të bëhet asnjë krahasim me tokën e humbur. Madje, sikur të kishin mbetur nën rrënojat e ndërtesës së Kuvendit, edhe ata që ngulmuan në votimin e Demarkacionit, (përjashto masën e deputetëve, të cilët votuan nën diktatin e eprorëve të tyre kriminelë, si rrjedhojë e mungesës totale të demokracisë së brendshme partiake), nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për Kosovën, (përjashto familjet e tyre), në krahasim me faljen e mijëra hektarëve tokë të Kosovës, Malit të Zi.

Hedhja e - gazit-lotsjellës-, në Sallën Kuvendore, ishte reaksion ekstrem, karshi provokimit enormë, që bënte pozita, jo vetëm ndaj opozitës, por edhe për të gjithë shqiptarët e përbotshëm. Sepse po falte tokë Malit të Zi; po e bënte hisedare Serbinë në Kosovë; si dhe po ua katapultonte një agjent, me dyshimin e bazuar për krime serike, në krye të shtetit! Në çdo rast, gjithë lavd e fodullëk, përsërisnin slloganin, sa rrënçethës, aq edhe neveritës: "I kemi kokorrat, i kemi numrat, i kemi votat, për ta kaluar Demarkacionin, Asociacionin, Hashimin president"! Dhe, me diktaturën e numrave, mburreshin "për t`i çuar proceset përpara"!

Dialogu, "dhuratë" e Hashimit, për t`i bishtnuar drejtësisë!

Dhe, habitëm kur dëgjoj se ende vazhdojnë seancat gjyqësore, kundër aktivistëve të LVV, në vend që të fillojnë proceset gjyqësore, kundër atyre, të cilët nënshkruan marrëveshjet fatale, me elemente të bollshme të tradhtisë Kombëtare. Se sa është përmasa e kësaj tradhtie, po sjellim një konstatim, mburresh, të kryeministrit të atëhershëm serb, Ivica Daçiq:

"Po të mos kishin qenë bisedimet në Bruksel, shumë procese do të ishin kryer në favor të Kosovës, dhe se integrimi i saj në organizata ndërkombëtare, do të mund të kishte përfunduar.

Po të mos kishim marrëveshjet e Brukselit, me siguri Kosova moti do e kishte rrumbullaksuar shtetin e saj dhe do ishte shtet i njohur ndërkombëtarisht".

Më çart nuk ka si të thuhet. Lëvizja Vetëvendosje ishte e vetme në mbrojtje të Republikës, kundër bisedimeve fatale, krejt të panevojshme. Hashimi dhe shelegia e tij, Edita, kryenegociatore, "bënin be e rrëfe", se "po bisedojmë vetëm për çështje teknike", ndërkohë që bisedonin për çështje rrast politike, konspirative!

Me protestat e saj, LVV, qoftë edhe të dhunshme, mbrohej integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, i cili u vu në ankand nga Hashim Thaçi, i shantazhuar nga Serbia dhe Gjykata e Hagës, për krimet monstrume, gjatë dhe pas luftës, kundër shqiptarëve të pafajshëm, si dhe Isa Mustafa, i shantazhuar nga Hashimi dhe SHIK-u i tij kriminal.

Realisht, në veprimet e saj, LVV, bëri, të paktën, 6 (gjashtë) faje:

1) Sulmi para Selisë të Qeverisë, ku u goditën për vdekje dy aktivistë, ngaqë policia ndërkombëtare ka -vija të kuqe-, në mbrojtjen e institucioneve;

2) Sulmi ndaj vilës së kryeministrit Mustafa, në Prapashticë;

3) Lëndimi i lehtë i ambasadorës amerikane Xhekebson, në një protestë të LVV;

4) Nxjerrja e dhunshme nga vetura e tij, e Shasivar Haxhiaj, i cili, po të mos ishte pjesë e një partie të krimit, do të ishte qytetar i parë i komunës të Istogut;

5) Hezitimi, për ta nënshkruar kontratën, për gazin amerikan, me arsyetimin se "na duhet kohë, për studimin e kësaj oferte";

6) Mohimi, deri në injorim, të Marrëveshjes të Uashingtonit, është faji i radhës. Pjesa politike, siç është klauzola për Liqenin e Ujmanit apo edhe ndonjë tjetër, që mund ta dëmtonte Kosovën, duhen parë ndaras dhe në koordinim me SHBA, të zgjidhën. Ndërsa ana ekonomike, sidomos Hekurudha dhe Autostrada, janë jetësisht të nevojshme, kur dihet se 57 % e popullsisë të Kosovës, jeton në Evropë dhe gjetkë në botë. Hekurudha, sidomos, do të kursente miliarda euro të mërgimtarëve si dhe do të kursente shumë jetë njerëzish, të humbura në aksidente komunikacioni.

Megjithatë, Albin Kurti dhe Vetëvendosja e tij, kanë reflektuar dukshëm. Thirrja për bashkim me shtetin-amë, Shqipërinë, në rrethanat aktuale, ishte thirrje për ndarjen e Kosovës! Këtë e kuptuan Albini dhe VV-ja e tij dhe e hoqën nga agjenda programore. Dhe, mirë bënë. Edhe reflektimi në marrëdhëniet me SHBA dhe BE-në, po japë rezultatet e para. Dhe, kjo kthesë pozitive e Albinit, rrjedhimisht, edhe e LVV, po i bënë xhelozë kuqaloshët PAN-istë, të cilët vetëm deklarativisht janë properëndimorë, ndërkohë që frymojnë në Lindje.

ADN-ja e PAN-it është LPK-ja, e cila protestonte në Evropë, kundër rrënimit të Murit të Berlinit! Sepse "bashkimi i dy Gjermanive, dobëson Bashkimin Sovjetik, rrjedhimisht, komunizmin", i justifikonte protestat e saj LPK-ja! Paradoks i trishtë, por, mjerisht, ndodhura të vërteta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat