13 arrestime të reja nga Specialja, dhe provat shtesë kundër ish-krerëve të UÇK-së/ Po iu rëndohet gjykimi!

Politika

13 arrestime të reja nga Specialja, dhe provat shtesë kundër ish-krerëve të UÇK-së/ Po iu rëndohet gjykimi!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 maj 2022 Në ora: 12:26
Ish-krerët e UÇK-së në Hagë - Foto ilustrim "Bota sot"

Gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë është vetëm duke u vështirësuar. Së fundi, Specialja i ka vendosur edhe dy anekse shtesë të mbushura me akuza të ndryshme, të cilat pritet ta rëndojnë edhe më shumë procesin gjyqësor në Hagë.

Më shumë se 30 faqe të reja do t’i shtohen aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Fshatrat Budakovë dhe Semetisht gjenden në komunën e Suharekës. Në këto dy zona, Prokuroria e Hagës po pretendon se ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Këto pretendime i kanë shtuar në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e re e plotësuar në rastin e krerëve të UÇK-së është dorëzuar më 28 prill. Përveç fshatrave të Suharekës, krime lufte pretendohet se janë kryer edhe në një konvikt në Gjilan.

Deri te ky plotësim i aktakuzës, kishte ardhur pasi gjyqtari i procedurës paraprake, më 23 dhjetor 2021 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të shtuar akuza të reja ndaj krerëve të UÇK-së. Mbrojtja e Thaçit dhe Veselit u ankuan për këtë synim të Prokurorisë, por Gjykata e Apelit në Speciale i hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes.

Këto akuza të reja vijnë në kohën kur avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, kanë pasur ankesa të shumta për vonesat në proces. Pas këtij plotësimi të aktakuzës, mbrojtjes do t’i duhet kohë për hetime të tjera, shpalosjen e materialeve nga Prokuroria, por edhe punë në terren në lokacionet e reja që janë shtuar në aktakuzë.

Në ndërkohë janë paralajmëruar arrestime të reja, së paku të 13 vetave, të cilët sipas disa raportimeve mund të gjenden në burgun e Hagës, në fund të këtij muaji. Nuk është e qartë nëse arrestimet e reja mund të kenë lidhje me provat shtesë apo me hetime për raste të tjera apo edhe për ato për të cilat është i akuzuar grupi në Hagë, në krye me Thaçin.

Musliu: Zgjatja e procesit gjyqësor, bëhet më e rëndë nga fakti se ata mbahen në paraburgim dhe nuk mbrohen në liri

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në prononcimin e tij për gaztën “Bota sot” foli për akuzat shtesë në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Ai bëri me dije se nuk bëhet fjalë për një aktakuzë të re të ndarë nga ajo ekzistuesja, por është një plotësim i aktakuzës aktuale, gjithnjë në kuadër të pretendimeve për vrasje, tortura, etj.

“Ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ia ka dorëzuar Gjykatës Speciale edhe një dispozitiv të ri në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, për pretendime shtesë që kanë ndodhur në Gjilan dhe Suharekë. Duhet theksuar se nuk bëhet fjalë për një aktakuzë të re të ndarë nga ajo ekzistuesja, por është një plotësim i aktakuzës aktuale, gjithnjë në kuadër të pretendimeve për vrasje, burgosje arbitrare, keqtrajtime, tortura etj.

Këto plotësime të aktakuzës i kishte propozuar Prokurori Special, që gjyqtari i procedurës paraprake i kishte aprovuar, edhe përkundër faktit se mbrojtja e të akuzuarve, kishte ushtruar ankesë, Gjykata e Apelit e Gjykatës Speciale, i ka refuzuar ato si të pabaza”, deklaroi juristi.

Musliu bëri të qartë se Prokuroria Speciale ka të drejtë të intervenojë në aktakuzat dhe të shtojë akuza të reja, pasi këtë ia lejon edhe Rregullorja për punën e Dhomave të Specializuara.

“Tani, shtrohet pyetja se, a lejohen intervenimet shtesë në aktakuzë dhe se a kanë bazë juridike këto ndërhyrje përmes plotësimeve të aktakuzës, tanimë të konfirmuar ? Po, sepse nga aspekti procedurial-juridik, sipas Rregullores për punën e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Prokuroria Speciale disponon të drejtën, të bëjë plotësime dhe ndryshime të aktakuzës pothuajse në të gjitha fazat e procesit gjyqësor, respektivisht sikurse para, ashtu edhe pas konfirmimit të aktakuzës. Kjo nga fakti se bëhet fjalë për një Institucion Special të Drejtësisë, suis generis, andaj edhe procedurat janë të veçanta dhe specifike, edhe pse kjo Gjykatë konsiderohet se është nën juridiksionin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, juristi foli për ndikimet që këto akuza shtesë do të kenë në gjykimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

Krahas kësaj, ai njoftoi se kjo do të ndikojë në zgjatjen e procesit gjyqësor dhe si i tillë do të bëhet më i rëndë, pasi të akuzuarit mbahen në paraburgim dhe nuk mbrohen në liri.

“Po ashtu, domosdoshmërisht shtrohet edhe pyetja tjetër, se çfarë implikime mund të ketë ky aneks i ri, apo këto plotësime shtesë të aktakuzës, në procesin gjyqësor!? Nga aspekti procedural, po, sepse kjo do të ndikojë në shtrirjen kohore të procesit gjyqësor, rrjedhimisht do të ketë seanca të reja, nxjerrje të provave, hetime shtesë për mbrojtjen, dëshmitarë të rinj, respektivisht bëhet fjalë edhe për 30 faqe shtesë që i shtohen aktakuzës, të cilat kërkojnë kohë për t’u trajtuar, e që shtojnë vëllimin e aktakuzës.

Po ashtu, për të akuzuarit, zgjatja e procesit gjyqësor, bëhet më e rëndë nga fakti se ata mbahen në paraburgim dhe nuk mbrohen në liri, kurse kërkesat për lirimin nga paraburgimi vazhdimisht refuzohen nga gjykata. Ka paralajmërime serioze se në ditët apo javët në vijim, do të ketë arrestime të reja nga radhët e ish-udhëheqësve të UÇK-ës, që edhe më shumë do të ndikojë në zgjatjen e procesit gjyqësor”, shpjegoi Musliu.

“Ky proces do të zgjatë disa vite, mbase minimumi pesë vite”

Tutje, ai potencoi se i gjithë ky proces po ndodhë për shkak të një vendimmarrje të gabuar, kur Kuvendi i Kosovës miratoi themelimin e kësaj gjykate.

Juristi beson se kjo gjykatë u formua, pasi ish-pushtetarët e kaluar dështuan t’i procedojnë para drejtësisë së Kosovës, të gjithë ata që ishin të implikuar në vrasjet politike, para, gjatë dhe pas luftës.

“Gjykata Speciale dhe gjithçka që ndodh rreth saj, janë pasoja të rënda të një vendimmarrje të gabuar, kur Kuvendi i Kosovës miratoi dhe mundësoi themelimin e kësaj gjykate, e që aktorët kryesor janë pikërisht të akuzuarit që gjinden në paraburgim në Hagë.

Kjo nga fakti se institucionet e Kosovës, në krye të të cilave ishin edhe të akuzuarit e Hagës, nuk patën kurajo dhe vullnet politik, t’i procedojnë para drejtësisë së Kosovës, të gjithë ata që ishin të implikuar në vrasjet politike, para, gjatë dhe pas luftës, por përkundrazi, ata kapën prokurorinë dhe gjyqësorin, respektivisht drejtësinë në përgjithësi, frikësonin dëshmitarët, prishnin provat madje edhe likuidonin dëshmitarë, u zhytën në korrupsion dhe krim të organizuar”, tha ndër të tjera ai.

Gjithashtu, Musliu përmendi faktin se ndërkombëtarët insistuan në themelimin e Speciales me qëllim që të zbulohen vrasjet politike.

“Prandaj faktori ndërkombëtar ia imponoi Kosovës themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, me qëllim që të zbulohen aktorët dhe porositësit e vrasjeve politike. Tani kjo gjykatë, që ata vet e themeluan, i akuzon si ndërmarrje e përbashkët kriminale duke i ngarkuar me pretendimet se të akuzuarit kanë pasur si qëllim parësor, që përmes metodave të frikësimit, të ushtrimit të dhunës dhe eliminimin e kundërligjshëm të kundërshtarëve politik, të ushtrojnë kontrollin në gjithë territorin e Kosovës, për t’i arritur qëllimet e tyre finale”, vlerësoi juristi.

Në fund, ai paralajmëroi se procesi në Hagë do të zgjasë minimum pesë vite, pasi ende nuk ka filluar procesi i mirëfilltë i gjykimit.

“Procesi gjyqësor i ish krerëve të UÇK-së, ende gjendet në procedurën paraprake, rrjedhimisht procesi i mirëfilltë i gjykimit ende nuk ka filluar, prandaj edhe supozohet se ky proces do të zgjatë disa vite, mbase minimumi pesë vite. Kjo edhe nga fakti se Gjykata Speciale ka disa instanca të vendosjes, me ç 'rast të akuzuarit mund t’i ankimojnë aktgjykimet e Gjykatës, që domosdoshmërisht do ta zgjatë procesin gjyqësor”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Kelmendi: Procedura paraprake në Gjykatën Speciale në Hagë është tepër e gjatë

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi zgjerimin e aktakuzës nda ish-krerëve të UÇK-së.

Fillimisht, ai u shpreh se deri tani kemi vetëm fazën parapërgatitore të seancave gjyqësore dhe akuzat e reja do ta zgjasin edhe më shumë procedurën.

“Në Gjykatën Speciale tash e më shumë se 15 muaj kemi disa ish-udhëheqës të UÇK-së të arrestuar mbi bazën e akuzave të bëra nga Prokuroria Speciale në Den Hagë. Deri tash kemi vetëm fazën parapërgatitore të seancave gjyqësore. Ende nuk ka filluar shqyrtimi kryesor. Kjo zgjatje nuk është e kuptueshme në aspektin njerëzor dhe nuk jep bazë për dënim. Kjo, për faktin se provat dhe dëshmitë, sipas mbrojtësve të të arrestuarve nuk përmbajnë fakte relevante për shqyrtim gjyqësor që me dënim përfundon. Për më shumë, provat dalin jo korrekte, të përgjithshme dhe me dëshmitarë jo relevantë. Kjo, gjithherë sipas mbrojtësve në procedurë”, deklaroi juristi.

Kelmendi tha se akuzat e reja erdhën në momentin kur pritej të hapej shqyrtimi kryesore dhe të përfundohej faza parapërgatitore.

Kësisoj, ai njoftoi se paraburgimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të zgjatet dhe procedura do të rikthehet në fillim.

“Në kohën kur pritej të hapej shqyrtimi kryesor, u bë edhe një akuzë. Me këtë akuzë kalon edhe një kohë e gjatë parapërgatitore, për të filluar shqyrtimi kryesor.

Akuza e re kërkon t’ju jepet mbrojtësve, mbrojtësit e të akuzuarve kërkojnë kohë për shqyrtimin e akuzës së re dhe të gjitha provave të paraqitura. E kjo kërkon kohë.

Tash gjendet procedura përsëri në fillim, në fazën parapërgatitore, e cila do të zgjatë mjaft.

Këtej nuk pritet të fillojë shqyrtimi kryesor, kjo do të zgjatet dhe të akuzuarit mbesin edhe më tej në paraburgim. Kuptohet se kjo nuk është e mirëpritur”, theksoi juristi.

Më tej, ai nxori një përfundim se fillimi i shqyrtimit kryesor të akuzave ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nuk do të fillojë njëherë dhe se nuk dihet ende koha se kur mund të përfundojë procesi në Hagë.

“Shqyrtimi kryesor duhet të fillojë brenda 6 muajve nga koha e paraqitjes së akuzës. Çdo kalim i këtij afati është i dëmshëm dhe tregon se prokuroritë nuk kanë fakte të provuara për dënim të të akuzuarve.

Mirëpo, kështu është gjendja, e cila nga mbrojtësit po kritikohet ashpër dhe vazhdimisht kërkohet lirimi i të akuzuarve për t’u mbrojtur në liri.

Si përfundim del:

Shqyrtimi kryesor nuk është afër për të filluar, do kohë përsëri procedura parapërgatitore. Pa këtë nuk fillon shqyrtimi kryesor.

Sa do të vazhdojë kjo fazë? Mbetet të shihet”, përmbylli Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat