Sa afër Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës është Kosova? A do ta ndihmojnë shtetet evropiane!

Politika

Sa afër Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës është Kosova? A do ta ndihmojnë shtetet evropiane!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 maj 2022 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Kosova po vazhdon dita ditës të bëjë hapa drejt anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare.

Qeveria nëpërmjet takimeve po ushtron diplomaci të shtuar për të rritur bashkëpunimin me shtetet evropiane në mënyrë që të përshpejtojë integrimin në organizatat ndërkombëtare, si në Këshillin e Evropës, në NATO, OSBE pse jo në një të ardhme të afërm të jetë anëtare e BE-së.

Së fundmi qeveria e Gjermanisë e ka konfirmuar se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Është deputeti gjerman, Knut Abraham, i cili tha se e ka pyetur ekzekutivin e tij nëse do ta mbështeste aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm dhe se përgjigjja ka qenë pozitive.

Abraham publikoi një letër, ku, mes tjerash, thuhet se Qeveria Federale e Gjermanisë “mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, përcjell “Bota sot”.

“Është e rëndësishme të qëndrojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës”, thuhet në letrën që e ka shpërndarë deputeti Abraham.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës më herët dhe në vazhdimësi thekson që është duke punuar që sa më shpejt të aplikojë për anëtarësim në këtë mekanizëm.

Mundësitë për anëtarësim u shtuan kur Këshilli i Evropës mori vendim për përjashtimin e Rusisë nga ky organizëm i rëndësishëm, dhe konkludohej se një vend vakant mund të përmbushet lehtë nga Kosova.

Një pengesë në këtë proces do të jetë Serbia, paralajmërim që e dha këtë javë presidenti i Serbisë Vuçiq, pas takimit të Berlinit, ku me ndërmjetësimin e qeverisë gjermane, u takua kryeministri Albin Kurti me presidentin serb.

Se sa janë gjasat për t’u pranuar në organizatat ndërkombëtare, për “Bota sot”, kanë folur njohësit e çështjeve ndërkombëtare.

Ata u shprehen se nëse shteti ynë vazhdon bashkëpunimet me shtetet mike të saj atëherë anëtarësimi mund të ndodhë shumë shpejt.

Voca: Me mbështetjen e Gjermanisë dhe të shteteve tjera partnere, Kosova mund të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës

Image
Doktori i shkencave dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i shkencave dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca.

Ai u shpreh se Këshilli i Evropës që nga krijimi i tij në vazhdimësi është organizatë kryesore që përfaqëson të drejtat e njeriut në Evropë.

“Lidhur me këto të drejta fundamentale, duhet theksuar një nuancë të veçantë duke patur parasysh se Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtat vlera themelore”, thotë profesori.

“Duke hartuar, zbatuar dhe monitoruar mbi 200 konventa, Këshilli i Evropës është përpjekur që nga krijimi i tij në vitin 1949 të mbështesë vlerat themelore të kontinentit tonë, vlera këto që edhe Kosova i ka përqafuar.

Këshilli i Evropës është organizata kryesore e të drejtave të njeriut në Evropë. Ai përfshin 46 shtete anëtare, 27 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian. Të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një traktat i krijuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Lidhur me këto të drejta fundamentale, duhet theksuar një nuancë të veçantë duke patur parasysh se Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtat vlera themelore, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, por janë entitete të veçanta që kryejnë role të ndryshme, por edhe plotësuese”, thotë ai.

Më tej, Voca thotë që gjasat që Kosova të bëhet anëtare këtë vit janë të mundshme gjithnjë në bashkëveprim me shtetet partnere të Kosovës.

“Këshilli i Evropës ka mbështetur Kosovën që nga paslufta për të ngritur standardet dhe për të bërë reforma përmes aktiviteteve bashkëpunuese dhe ky bashkëpunim duhet thelluar pikërisht me anëtarësimin e saj në këtë organizatë. Gjasat që Kosova të bëhet anëtare këtë vit janë të mundshme gjithnjë në bashkëveprim me shtetet partnere të Kosovës. Natyrisht, Kosova duhet të parasheh periudhën kur do të aplikonte për anëtarësim. Kosovës i duhen dy të tretat e votave në asamblenë e përgjithshme të KiE, dhe arritja e këtyre votave është e gjasshme meqë Kosova njihet tashmë nga më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të saj”, potencon ligjëruesi.

Profesori shprehet optimist për anëtarësimin e Kosovës në KE duke u shprehur që nëse vazhdon bashkëpunimi mund të ndodhë në këtë vit.

“Duke patur parasysh se Rusia u përjashtua nga KiE për të shkak të luftës në Ukrainë kjo shton edhe më tutje mundësitë e anëtarësimit të saj në KiE. Me mbështetjen e Gjermanisë dhe të shteteve tjera partnere, si dhe me një bashkëpunim të ngushtë me vendet anëtare të KiE-s që kanë njohur Kosovën, anëtarësimi në KiE mund të realizohet madje këtë vit. Natyrisht, një agjendë e tillë varet nga qasja e Qeverisë së Kosovës dhe përgatitja e saj për aplikim dhe lobim pranë KiE”, shprehet ai.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte një arritje e madhe në vazhdën e përpjekjeve të saj për t’u afirmuar dhe konsoliduar në sferën ndërkombëtare, nënvizon profesori.

“Prandaj, sa më parë që Kosova të përgatitet në këto dy drejtime pranë KiE, aq më shpejt mund të bëhet anëtarja më e re e saj. Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte një arritje e madhe në vazhdën e përpjekjeve të saj për t’u afirmuar dhe konsoliduar në sferën ndërkombëtare, sepse KiE është një nga organizatat më të rëndësishme multilaterale”, foli Voca për “Bota sot”.

Kuçi: SHBA mbetet i vetmi aleat i sigurt dhe i cili kërkon hapa konkret nga Kosova, Serbia dhe BE-ja për çdo gjë

Image
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi

Ndërsa njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet skeptik në ndihmën e Gjermanisë në finalizimin e marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermania duke qenë një nga aktorët kryesorë të BE-së tregoi që nuk ka ndërmend të shtyjë përpara çështjen e Kosovës drejt integrimeve në BE dhe as të bëjë hapa, të cilat e dërgojnë Kosovën dhe Serbinë drejt finalizimit të një paqeje”, tha ai.

Më tej, ai shton që SHBA është i vetmi aleat i sigurtë për Kosovën dhe se nuk mund të pritet përkushtim i madh nga BE-ja dhe Gjermania.

“SHBA-ja po mbetet i vetmi aleat i sigurt dhe i cili kërkon hapa konkret nga Kosova, Serbia dhe BE-ja për çdo gjë. Duke pasur këtë qasje BE-ja që është më shumë e llojit të “paqësimit” siç kishin luajtur rol dikur Franca dhe Britania e Madhe me Gjermaninë, vetëm sa po krijon rrethana të reja për gjithë kontinentin për trazira. BE-ja për dy muaj 62 miliardë dollarë ka blerë derivate gazi nga Rusia dhe e gjitha pas aplikimit të sanksioneve për shkaqe të luftës në Ukrainë, kur e kemi parasysh këtë tablo lehtë mund të kuptojmë se e njëjta qasje është edhe për Serbinë. Andaj pritjet që BE-ja dhe Gjermania të bëjnë hapa konkret tani drejt Kosovës janë shumë të vogla, edhe anëtarësimi në KE nuk është që po gjen qasje serioze”, thotë njohësi i çështjeve ndërkombëtare.

Në fund, ai thekson që duhet të ketë deklarata më të forta në mënyrë që të besojmë që Kosova mund të ketë përparim në arenën ndërkombëtare.

“Përderisa nuk ka deklarata të tilla si ajo e Bushit për Pavarësinë e Kosovës nga BE-ja, dhe kjo e fundit e toleron Serbinë e cila çdo ditë e kërcënon Kosovën dhe rajonin me luftë, është vështirë e parashikueshme që edhe Gjermania do e përkrah Kosovën në proceset reale përtej atyre deklarative.

Gjermania nguroi t’i kërkojë Serbisë edhe njohjen e Kosovës”, përfundoi Kuçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat