Vrasja e planifikuar e Fehmi Aganit/ Ky ishte qëllimi i Beogradit – ja si tentuan ta ndalnin Rugovën

Politika

Vrasja e planifikuar e Fehmi Aganit/ Ky ishte qëllimi i Beogradit – ja si tentuan ta ndalnin Rugovën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 maj 2022 Në ora: 10:06
Akademik Fehmi Agani

Me 6 maj, u bënë 23 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Ibrahim Rugovës.

I ndjeri, akademiku Agani u vra më 6 maj të vitit 1999.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, nëfushën e arsimit dhe mendimit shkencor. FehmiAgani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, besohet se u vra afër Lipjanit, 23 vjet më parë, nga serbët tëuniformuar dhe të armatosur.

Agani, së bashku me familjen e tij, vitin 1999 tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni pas një kohe qëndrimi në kufi u kthye mbrapsht, dhe udhëtarët shqiptarë të dëbuar nga Kosova u detyruan t’ju rrezikohej jeta sërish. Gjatë kthimit pas orës 17.00, sipas rrëfimit të gruas sëAganit, tanimë edhe ajo e ndjerë, diku rreth 3 km afër Fushë Kosovës, policia, ushtriaserbe e ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë udhëtarët.

“Kah ora 13.00 treni u nis të na kthejë prapë në Fushë Kosovë. Tre kilometra para se të arrinim në Fushë Kosovë policia, paramilitarët dhe ushtria serbe e ndalën dhe e rrethuan trenin, duke na detyruar të gjithëve që të zbresim në një fushëgropë. Aty filluan maltretimet fizike, psikike, fyerjet, sharjet dhe kërkimi i dokumenteve.Të rinjtë i kontrollonin nëpër xhepa, dhe kujt i gjenin ndonjë letër e radhitnin për pushkatim, duke u kanosur me armë gati për qitje”, ka dëshmuar Sadija, e veja e Aganit.

Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private, ngjyrë të kuqe. Kufoma e tij është gjetur të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Por, sipas dëshmisë së të ndjerës SadijeAgani, Fehmiu sapo kishin hipur në autobus, e kishin nxjerrë jashtë, dhe e kishin hipur në veturën e kuqe. Sipas informacioneve të saj, Fehmiuështë ekzekutuar rreth dy orë pasi u mor peng nga policia, përkatësisht në ora 19.20 minuta, me gjasë ajo do t’i jetë referuar raportit mjeko-ligjor.

Latifi: Vrasja e Aganit, nuk ka qenë e rastësishme siç pretendohej nga disa njerëz të ndryshëm, vrasja ishte organizuar nga okupatori barbar serb

Image
Haki Latifi

Haki Latifi, ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër në një prononcim për “Bota sot” foli për vrasjen e profesor Fehmi Aganit.

Fillimisht, ai beson se vrasja e Aganit nuk ishte e rastësishme siç pretendohej nga disa persona, por ai beson se vrasja ishte e qëllimshme dhe e organizuar.

“Mendoj se, vrasja e Aganit, nuk ka qenë e rastësishme siç pretendohej nga disa njerëz të ndryshëm, vrasja ishte organizuar nga okupatori barbar serb dhe me qëllim dhe synimin për ta penguar zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës, të luftës në Kosovë, të demokracisë dhe zhvillimeve të mëvonshme. Mungesa e FehmiAganit në këto vite të pasluftës në Kosovë është tepër e ndjeshme sepse, një prezencë e tij, në këto zhvillime do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm për rezultatet e tjera që do ti kishim sot. Edhe sot pas 23 viteve, vrasja e profesor Aganit dhe shumë të tjerëve, konsiderohen mistere të madha të luftës e që nuk janë zbardhur ende”, deklaroi Latifi.

Më tej, ai hodhi dyshime mbi ndalimin dhe bllokimin e Aganit në trenin në të cilin ishte duke udhëtuar.

Sipas tij, serbët e vranë atë, pasi u frikësuan nga truri i tij.

Dilema qendrore është se nëse Prof. FehmiAgani dhe treni në të cilin ishte duke udhëtuar me shqiptarët e tjerë drejt Shkupit, pse u bllokua dhe nuk u lejua që të dilnin të gjithë shqiptarët e dëbuar, e veçmas Prof. FehmiAgani, i cili ishte më i rrezikuari në këtë dëbim të dhunshëm nga okupatori serb, i udhëhequr nga krimineli, SlobodanMilloshevic.

Prof. FehmiAgani, ishte ideolog i lëvizjes për pavarësi, vizionar, akademik, i guximshëm përballë sfidave te okupimit. Okupatori serb e vrau sepse u frikësua nga truri i tij. Na mungon shumë- çdo ditë”, vlerësoi ish kryetar i degës së LDK-së në Zvicër.

Po ashtu, Latifi përmendi edhe faktin se Agani ishte dora e djathtë e presidentit Rugova.

“Dihej se Prof. Agani ka qenë një ndër intelektualët me autoritet të padiskutueshëm dhe personi kyç në Kosovë. Presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova, prof. FehmiAganin e kishte një motor të Lëvizjes, dorë e djathtë, e kishte kokën kryesore teorike në Kosovë. Andaj okupatorit serbë i ka penguar autoriteti dhe besimi që kishte tek qytetarët shqiptar në Kosovë”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, potencoi se profesor Agani u vra vetëm për ta ndaluar presidentin Rugova dhe për ta dobësuar LDK-në.

“Sepse për ta dobësuar rezistencën kundër okupatorit serb dhe ndaluar presidentin Dr.Ibrahim Rugovën është bërë ky veprim që të hiqet (vritet) Prof. FehmiAgani, ku ka të bëjë direkt edhe me dobësimin e Lëvizjes Demokratike të Kosovës.

Dihej se, profesor Agani që nga vitet e ‘60-ta kur ishe paraqitur me argumentimin e të drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi. Kështu ai ishte pjesëmarrës aktiv në politiken e Kosovës”, përfundoi Haki Latifi për “Bota sot”.

Haziri: Politikanët e tillë si FehmiAgani, i munguan shumë Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat kaloi vendi

Image
Nexhat Haziri

Edhe, analisti politik, Nexhat Haziri beson se vrasja e FehmiAganit ishte e planifikuar nga Beogradi.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se serbët e vranë profesori vetëm për shkak të veprimtarisë politike dhe mbështetjes së tij për presidentin Rugova.

“Tani kur po shënohet 23 vjetori i ekzekutimit të akademikut FehmiAgani nga forcat serbe, ka versione të ndryshme të mënyrës së vrasjes së tij. Ajo që është e sigurt, vrasja nga forcat serbe të akademik Aganit me 6 maj 1999, është vrasje me paramendim dhe me urdhër të Beogradit zyrtar në atë kohë, pasi serbët dhe politikat e tyre zyrtare, i ka njohur shumë mirë. Ai ishte i njohur për aftësitë e të menduarit dhe të vepruarit politik, dhe ka qenë krahu i djathtë i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ashtu siç e vlerësonte vet presidenti Rugova me rastin e mbajtjes zi kur e mori vesh për vrasjen e tij”, thotë analisti.

Krahas kësaj, Haziri konsideron se nuk është bërë mjaftueshëm për zbardhjen e vrasjes së Aganit nga institucionet e Kosovës.

Dhe, këtë gjë ai e cilësoi një dështim të madh të shoqërisë dhe vendit tonë.

“Mund të them se vrasja e akademik Aganit, dhe ndriçimi i saj duke paditur Serbinë për këtë akt me paramendim, nuk është marrë shumë seriozisht për të mos thënë fare nga institucionet e Kosovës, nga paslufta, dhe ky është dështim i madh për shoqërinë dhe vendin tonë. Akademik Agani është cilësuar edhe para periudhës së luftës si një nga politikanët më mendjemprehtë, promotor i shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova, sidomos në periudhën e funksionimit të shtetit paralel, pastaj roli i tij në konferencën e paqes në Rambuje, i cili ka ditur të ndërtojë ura bashkëpunimi e pajtimi në mes forcave politike shqiptare me divergjenca të mëdha në mënyrën e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, Haziri thotë se skena politike e Kosovës e ndjenë mungesën e një figure të shquar, si ajo e FehmiAganit, pasi rivaliteti i egër politik në vend, sa nuk shkaktoi luftë civile.

“Dhe natyrisht kalibri i një politikani si akademik FehmiAgani dhe vrasja e tij nga forcat serbe, ka bërë që të ndihet mungesa e tij në skenën politike pas luftës, ku rivaliteti i egër politik, ambiciet e shfrenuara politike për pushtet, para dhe nam të atyre që u shpallën si “çlirimtarë” dhe autorët e vetëm të lirisë së Kosovës, gati sa nuk degjeneroi në luftë civile, dhe vetëm politika e matur e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhe e LDK-së po ashtu na shpëtoi nga ky rrezik”, theksoi analisti.

Në fund, ai thotë se mungesa më e madhe e profesorit ndjehet në vendimmarrjen për çështjet nacionale dhe të rëndësisë së veçantë për vendin

“Pra, politikanët e tillë si FehmiAgani, i munguan shumë Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat kaloi vendi nga paslufta e deri më sot. Agani ishte politikan racional, profil shumëdimensional, dhe politikan të tillë sot po i mungojnë skenës politike kosovare, sidomos në polarizimin e saj edhe në çështjet nacionale dhe të rëndësisë së veçantë për vendin”, përmbylli Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat