Edi Rama si është e mundur të harrohen krimet e luftës të Serbisë ndaj shqiptarëve!

Politika

Edi Rama si është e mundur të harrohen krimet e luftës të Serbisë ndaj shqiptarëve!

Hava Orana Xhukollia Nga Hava Orana Xhukollia Më 8 maj 2022 Në ora: 14:08
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë sërish ka dalë në mbrojtje të Aleksandër Vuҫiqit dhe shtetit serb, duke bërë thirrje që të harrohet e kaluara në Ballkan. Këtu duke përfshirë edhe gjenocidin serb në Kosovë duke thënë: “Komshiu i lumtur, shtëpi e lumtur”.

Këtë deklaratë të Ramës e kanë komentuar edhe profesorët universitarë dhe njohësit e ҫështjeve politike në Kosovë dhe politikave ndërkombëtare.

Bytyҫi:Lumturinë e Kosovës dhe Malit të Zi e ka shkatërruar vetë Edi Rama në bashkëpunim me përtejkomshiun e tij Aleksandër Vuҫiq

Kështu, profesori universitar Enver Bytyҫi, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se me një deklaratë të tillë, Rama kishte parasysh lumturin përtej komshiut shqiptarë, pasi Serbia nuk është fqinjë me Shqipërinë.

“Kur tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se “Komshiu i lumtur, shtëpi e lumtur”, kishte parasysh lumturinë e përtej komshiut të shqiptarëve, Aleksandër Vuciqit, pra të Serbisë. Serbia nuk është komshi me shtetin, të cilin e ka shkërmoqur Edi Rama. Nuk është komshi i Shqipërisë. Serbia është një shtet, i cili kufizohet me Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë. Nuk kufizohet me Shqipërinë”, vlerëson ai.

Image
Profesori universitar Enver Bytyҫi

Profesor Bytyҫi thotë se Shqipëria duhet të jetë e lumtur, nëse komshinjtë e saj, përkatësisht Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Greqia janë të lumtur.

“Por fatkeqësisht lumturinë e Kosovës dhe Malit të Zi e ka shkatërruar vetë Edi Rama në bashkëpunim me përtejkomshiun e tij Aleksandër Vuciqin. Rama kërkon “lumturinë” e një vendi që lumturohet me fatkeqësinë e shqiptarëve, sidomos me dhunën e terrorin e saj kundër tyre, përkatësisht kundër shqiptarëve në Kosovë. Një kryeministër shqiptar që kërkon lumturinë e vrasësve të vëllezërve të tij, ai është hor kryeministër, është monstër kryeministër, është fundërrina e kombit shqiptar! Kushdo të jetë ai! Sepse dihet që Serbia gjenocidiste bëhet e lumtur vetëm duke e gllabëruar Kosovën si të tërë, ose së paku pjesën më të majme të saj”, thotë ai.

Ai thotë më tutje se në fakt Edi Rama së bashku me Hashim Thaҫin bën ҫ’mos që ta bëjnë të lumtur tutorin e tyre, Aleksandër Vuҫiqin. U përpoqën për së paku katër vite radhazi ta copëtojnë Kosovën, territorin më të pasur të saj t’ia jepnin Serbisë.

“Gjithçka u kurdis që “komshiu i Kosovës (jo i Shqipërisë), pra Serbia dhe liderët e saj politikë të “ishin të lumtur”! Dhe do të ishin patjetër të lumtur. Sepse pasi vranë, masakruan, përdhunuan, dogjën, shkatërruan dhe rrënuan Kosovën, e pasi e humbën luftën për shkak të ndërhyrjes së NATO-s, në kushte paqësore, ata po shpërbleheshin me plaҫkën që po e merrnin në Kosovë, territorin e saj. Koncepti dhe formula “Komshiu i lumtur, shtëpi e lumtur” nisi që ditën kur Edi Rama erdhi në pushtet në Tiranë. Madje kishte filluar me çelësin e Tiranës dhënë Bregoviçit. Ajo formulë nuk është gjetje e ditës së djeshme. Ishte dhe mbetet filozofia e shpërblimit që kryeministri shqiptar dëshiron t’ia dhurojë kriminelëve serbë, të cilët bënë gjenocid në Kosovë. Në vend që ta dënojë këtë gjenocid, Edi Rama kërkon ta harrojmë ne shqiptarët atë dhe madje ta shpërblejmë Serbinë”, thotë ai.

Tutje profesor Bytyҫi thotë se gjithçka po ndodhë në një moment të vështirë për Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuciqin. Se ata janë në moment të vështirë, këtë e thotë ҫdo ditë Vuçiqi.

“Ndaj dhe Rama dha mesazhin e “komshiut të lumtur”, me qëllim që t’u thoshte ndërkombëtarëve, se ju “nuk keni të drejtë që t’ia nxini jetën presidentit serb me kërkesën për njohjen e Kosovës”! Ai edhe në këtë rast, njësoj si në rastet e mëparshme, bëhet avokat i Beogradit dhe ndërmjetës i tij në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për lumturinë e Beogradit Rama jo vetëm punoi fort për ndarjen e Kosovës. Ai me këtë formulë punoi për krijimin e Jugosllavisë së Re, nën emrat e minishengenit ose të “Open Balkan-t”. Ai gjithmonë u thotë gazetarëve se “Duhet ta harrojmë të kaluarën”! “Duhet të shohim përpara”! “Duhet të pajtohemi me Serbinë”! Madje thotë se “Për t’u pajtuar me Serbinë, duhet kompromis”, pra duhet t’i japim diçka asaj. Shkurt kjo është veprimtaria 20 vjeҫare e Edi Ramës në politikën shqiptare. Ai nuk ka kërkuar asnjë moment lumturinë e qytetarëve të vendit të tij, shqiptarëve. Por ka kërkuar dhe kërkon me ngulm lumturinë e armiqve të kombit shqiptar”, thotë ai.

Profesori thotë për ‘Bota sot’, se Rama po ta donte lumturinë e shqiptarëve nuk do ta përҫante faktorin politik të Kosovës, do të konsultohej dhe do të kontribuonte për Kosovën. Në fakt ka ndodhur e kundërta. Po ta donte lumturinë e Shqipërisë, atëherë Edi Rama nuk do të ishte harbut, arrogant e përçarës sipas krahinave të këtij vendi.

“Imagjino një kryeministër që i jep ҫdo ditë energji negative qytetarëve të tij dhe nga ana tjetër propagandon “lumturinë” e përtej komshinjve të tij! Tmerr! Shiheni si sillet me shqiptarët! Dhunën verbale në parlament! Dhunë fizike kundër studentëve, gazetarëve, protestuesve, qytetarëve! Deri gaz lotsjellës në katër të mëngjesit në familjet shqiptare me të sëmurë brenda tyre, me qëllim që t’i nxjerrë nga banesa me dhunë. Kjo është lumturia që Edi Rama u premton dhe dhuron shqiptarëve. Ndërkaq është shumë i shqetësuar për lumturinë e serbëve. Në fakt Rama ka lumturuar me qeverisjen e tij vetëm Serbinë dhe mafinë shqiptare, rajonale e europiane! Këtë e ka realizuar perfekt! Për këtë ka punuar dhe punon fort”, vlerëson ai.

Mehazi: Nëse digjet shtëpia e komshiut, ruaje tënden

Image
Profesori tjetër universitar, Sulejman Mehazi

Profesori tjetër universitar, Sulejman Mehazi thotë për ‘Bota sot’, se thirrjet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, që të harrohen luftërat e Serbisë të bëra në Ballkan, luftërat qindvjeçare të përgjakshme serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, mund të krahasohen me thirrjen apo hingëllimën e një ‘kali qorr që nuk sheh gjë tjetër përveç errësirës’.

“Po nëse me shekuj komshinjtë serbë duan të marrin shtëpinë e shqiptarëve, atëherë shqiptarët e Kosovës jo që nuk mund të jenë të lumtur, por dhe me shtatë dryna duhet mbyllur shtëpitë. Fjala popullore kundër thënies së kryeministrit Edi Rama thotë: "Nëse digjet shtëpia e komshiut, ruaje tënden". Si është e mundur të harrohet lufta e Serbisë në Kosovë kur ende gjaku i të vrarëve nuk është tharë, jo i nderuar Edi Rama, jo, sa më shumë që shqiptarët e Kosovës të harrojnë luftën e përgjakshme e të tmerrshme serbe në Kosovë aq më i madh do jetë mashtrimi, e aspak lumturia. Edhe vëllai Habili e fali Kabilin, por Kabili e vrau vëllain e vet e jo më kosovarët t'i harrojnë të bërat vrastare të komshinjve serbë, harresa e së kaluarës do të jetë vazhdimësi e vrasjeve serbe në Kosovë. Kush harron të kaluarën, harron veten, me harresën e vetes humbet lumturia e vjen pikëllimi. Harresa e së kaluarës së shëmtuar serbe në Kosovë është akuzë, kurse vuajtjet e mëtutjeshme do të bëhen dënime e jo lumturi për Republikën e Kosovës”, thotë Mehazi për ‘Bota sot’.

Profesor Mehazi thotë se i "mençuri" Edi Rama fort mirë e di, se kush harron të kaluarën humb lirinë dhe lumturinë e së ardhmes që i duhet Kosovës.

“I nderuar kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, e kaluara serbe vrastare jo që nuk mund të harrohet, por edhe nuk mund të durohet sikurse që nuk mund t’ju durojmë juve me Vuçiqin. Ju me këtë thirrje bëheni zëdhënës i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, për të prekur ndjenjat e familjarëve të të vrarëve në Kosovë”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat