Serbia fashiste do të dështojë në përpjekjen për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Politika

Serbia fashiste do të dështojë në përpjekjen për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 maj 2022 Në ora: 11:35
Qeveria e Kosovës

Me pushtimin e Ukrainës, Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës dhe në këtë formë Kosovës i është lehtësuar rruga për anëtarësim pasi që rusët do të mund ta bllokonin përmes vendosjes së vetos.

Por, këtë gjë po e kundërshton, armiku i Kosovës, Serbia. Madje, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq ka deklaruar se Kosova ka përkrahjen e shumicës së shteteve të Këshillit të Evropës.

Ai theksoi se “nuk është sekret që Prishtina ka përkrahjen e shumicës së shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, por nuk i ka parimet në anën e saj. Kushdo që mendon se do të rrimë duarkryq nëse shkelen brutalisht marrëveshjet e Uashingtonit dhe Brukselit, gabon”, kishte deklaruar ministri serb Selakoviq.

Por, një shpresë për Kosovën e kishte dhënë edhe kancelari gjerman gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në Gjermani, i cili kishte thënë se do ta ndihmojmë Kosovën rreth anëtarësimit në KE, me shpresë që Serbia të mos e braktisë Këshillin e Evropës kur Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate.

Kelmendi: Rrethanat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës janë në anën e Kosovës

Juristi Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se edhe pse disa shtete nuk e kanë njohur vendin tonë, është koha më e përshtatshme për të paraqitur kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në KE.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai shton, se armiku më i madh i Kosovës, siç është Rusia, fatmirësisht nuk bën pjesë aktualisht në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një e arritur e madhe për shtetin e Kosovës. Për atë kërkohet angazhim maksimal me anëtarët e KE-së, që të votojnë për anëtarësim. Shikuar nga anëtarët që janë në KE mund të konstatohet se shumica e tyre duhet të jenë për anëtarësim të shtetit të Kosovës në KE. Kjo, për faktin se shumica e anëtarëve veç e kanë njohur shtetin e Kosovës. Këtu kërkohet punë me anëtarët e KE-së që nuk e kanë njohur shtetin. Pikërisht me pesëshën e Unionit Evropian duhet punuar. Ka edhe shtete tjera që janë anëtare të Këshillit të Evropës e që nuk e kanë njohur Kosovën shtet. Por, janë më pak, se sa shtetet që e kanë njohur. Do të mjaftonte për anëtarësim në KE që shtetet që e kanë njohur shtetin e Kosovës të jenë për e jo kundër.
Tash kanë mbetur disa shtete që kanë ndikim të dukshëm. Këtu është Franca, Gjermania, Anglia, Italia, Spanja, Austria, Polonia, Turqia, Holanda etj. Me këto duhet punuar me angazhim të madh. E Kosova kërkohet të paraqes kërkesën për anëtarësim. Armiku më i madh kundër anëtarësimit në KE të Kosovës nuk është anëtare e KE-së. Rusia është jashtë. Mirëpo, përsëri agresioni serb ka përkrahje te shtetet siç është 5-shja e UE-së dhe disa shtete që nuk janë në UE. Rasti për anëtarësim është ideal. Shumica e shteteve e kanë njohur shtetin e Kosovës. Faktet e tilla tregojnë se ka mundësi dhe është rast historik për anëtarësimin e Kosovës në KE
”, thotë ai.

Derisa edhe për shtetin serb deklaron se dihet qëllimi i tij, por që është i paarritshëm objektivi i tyre, duke shtuar se as deklarata e Selakoviçit nuk ka rëndësi.

Bllokimi nga Serbia është de-jure i paarritshëm në Këshillin e Evropës. Nuk ka rëndësi deklarata e Selakoviçit që është kundër anëtarësimit. Edhe pa këso deklarimesh dihet qëllimi i shtetit serb. Dihet botërisht se Beogradi është kundër. Serbia synon ripushtimin e Kosovës. Për atë, Serbia do përdor të tëra lidhjet dhe çdo vend për të treguar se është kundër. Megjithatë, momenti është në anën e Kosovës për anëtarësim. Z.Olaf Scholz në Berlin deklaroi: ”Do të ndihmojmë Kosovën dhe jemi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës". Kjo deklaratë është shumë domethënëse. Besohet se Berlini do të angazhohet që Kosova të anëtarësohet”, përfundon Kelmendi.

Qarri: Kosova mos ta lëshojë këtë rast të favorshëm, të aplikojë urgjentisht

Edhe analisti Gani Qarri, thotë se përjashtimi i Rusisë nga KE-ja është fat i madh për Kosovën, e po ashtu edhe ndihma e cila vije nga Gjermania, e cila ka shprehur mbështetje për këtë proces.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, të gjitha kërcënimet e Vuçiqit dhe ministrit të jashtëm të Serbisë për ta bllokuar Kosovën, nuk mund ta pengojnë fare anëtarësimin e Kosovës në KE.

Në fakt, është fat tejet i madh për Republikën e Kosovës, përjashtimi i Rusisë nga KE-ja, dhe mbështetja që vije prej njërit nga shtetet më të fuqishme politike dhe ekonomike evropiane si Gjermania dhe qeveria e saj, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, akt që dëshmon publikisht, se Serbia fashiste do të dështojë sërish edhe në përpjekjen e radhës, që ta bllokojë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Për aq më tepër, deputeti gjerman, Knut Abraham, ka botuar edhe një letër me përgjigjen pozitive që ka marrë pikërisht nga ekzekutivi gjerman, të nënshkruar nga vet sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Andreas Michaelis, në të cilën thuhet decidivisht se Gjermania do ta mbështes aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësimin e saj, në një mekanizëm kaq me rëndësi, si organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, Këshillin Evropian. Madje përderisa fatbardhësisht Kosova gëzon përkrahjen e mikut të saj më të madh në botë, SHBA-ve, si dhe mbështetjen e fuqisë më të madhe ekonomike dhe politike në Evropë, si Gjermania, shto kësaj edhe përkrahjen e pakursyer dhe gjithmonë të sinqertë e të vendosur të Mbretërisë së Bashkuar që qysh nga lufta dhe sulmet e NATO-s, për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, nuk kanë munguar asnjëherë, për cilëndo nismë të avancimit, njohjes dhe pranimit të Kosovës, në secilën organizatë dhe mekanizëm evropian e botëror, kërcënimet e Vuçiqit dhe ministrit të jashtëm të Serbisë se do ta përdorin çdo mjet për ta bllokuar Kosovën, nuk mund ta pengojnë fare anëtarësimin e Kosovës në KE”, nënvizon Qarri.

Tutje analisti potencon se Kosova në këto kohë është me rëndësi jetike, të qëndrojë gjithmonë në koordinim të plotë me miqtë e partnerët e saj më të ngushtë, si SHBA-në dhe shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian.

Kështu që për shtetin e pavarur të Kosovës, është me rëndësi jetike, që të ruaj e forcojë sa më shumë raportet me këto vende dhe të qëndrojë gjithmonë në koordinim të plotë me miqtë e partnerët e saj më të ngushtë, si SHBA-në dhe shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, sepse vetëm me ndihmën dhe mbështetjen e tyre të përhershme, mund ta kalojë çdo pengesë e shpërthejë me sukses bllokadat serbo-ruse dhe të anëtarësohet me të drejta të plota edhe në Këshillin e Evropës. Madje duke qenë se pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, Serbia ka mbetur e vetmuar në kundërshtimet e saj banale, për vet faktin se që nga shpallja e pavarësisë më 2008, pikërisht për shkak të pengesave serbo-ruso, ende nuk ka arritur të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale etj, Kosova duhet ta shfrytëzoj këtë momentum të artë dhe pas përjashtimit të Rusisë nga KE, të aplikojë, kudo që mundet dhe arrin për anëtarësimin e saj në sa më shumë mekanizma të rëndësishëm evropian dhe ndërkombëtar, si shtet i pavarur”, deklaron ai.

Në fund, shton se nuk guxon ta lëshojë këtë rast të favorshëm dhe duhet të aplikojë urgjentisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se përkundër fushatës së shfrenuar të Serbisë dhe të Rusisë, si dhe mos njohjes nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, megjithatë Kosova ka arritur të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komitetin Olimpik, etj, Republika e Kosovës, nuk guxon ta lëshojë këtë rast të favorshëm dhe duhet të aplikojë urgjentisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i cili mund t’i hapte dyert për pranimin e shtetit tonë të pavarur edhe në organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare si Interpol, UNESCO dhe mekanizmat tjerë të rëndësishëm evropian dhe ndërkombëtar, anëtarësime me të cilat do ta avanconte edhe më tej shtetësinë e Republikës së Kosovës, e cila ka për synim anëtarësimin e saj, si shtet i pavarur dhe anëtare me të drejta të plota edhe në OKB”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat