“Kurti anti-amerikan!”/ Opozitarizmi që mundohet ta destabilizojë Kosovën - Çfarë do të ndodhë?

Politika

“Kurti anti-amerikan!”/ Opozitarizmi që mundohet ta destabilizojë Kosovën - Çfarë do të ndodhë?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 maj 2022 Në ora: 17:14
Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tash e sa ditë ka filluar vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë qëndrimit në ShBA kryeministri Kurti ka zhvilluar disa takime, dhe pritet të zhvillojë edhe disa të tjera në ditët në vijim.

Ai do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Kurti, vizitën zyrtare e nisi të premten (6 maj), ndërsa bashkë me ministren Rizvanolli nisën negociatat me MCC-në për një projekt energjetik, vlera e të cilit pritet të jetë mbi 200 milionë euro.

Vizita e Kurtit në Amerikë u përballë me shumë polemika, kritika, por edhe me lëvdata të shumta.

Kujtojmë se partitë opozitare iu kanë ‘vërsulur’ Kurtit tash e një kohë duke e kritikuar atë për qasje anti-amerikane.

Megjithatë, kjo vizitë po bie ndesh me kritikat dhe akuzat e opozitës ndaj të parit të qeverisë.

E për të komentuar më shumë vizitën e Kurtit në SHBA, kritikat e opozitës dhe përfitimet që sjellë kjo vizitë, folën për gazetën “Bota sot”, Gurakuç Kuçi dhe Sulejman Mehazi.

Kuçi: Kryeministri i tanishëm Albin Kurti nuk është anti-amerikan

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë politikanë anti-amerikanë dhe as Kurti nuk është i tillë.

Image
Gurakuç Kuçi

Kosova që nga paslufta e deri më tani nuk ka pasur asnjëherë në pushtet politikanë anti-amerikanë, e as kryeministri i tanishëm Albin Kurti nuk është anti-amerikan. Populli dhe gjithë politikanët e dinë mirë që ekzistenca e Kosovës mbahet nga SHBA-ja”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Kuçi bëri dallimin e dy grupeve të politikanëve pro-amerikan në Kosovë, ku në njërin grup bëjnë pjesë ata që e shfrytëzojnë qëndrimin proamerikan por e keqpërdorën pushtetin, dhe në grupin tjetër janë politikanët që janë pro-amerikanë për të mirë të shtetit.

Dallimi i politikanëve tek çështja e pro-amerikanizmit është se ekzistojnë dy lloj pro-amerikanësh në Kosovë: grupi i parë janë pro-amerikanë, të cilët shfrytëzojnë lojalitetin e tyre ndaj SHBA-së dhe përkrahjen e SHBA-së që të qëndrojnë në pushtet dhe të keqpërdorin pushtetin, element ky që nuk po vlen më. Grupi i dytë i përket politikanëve, intelektualëve dhe popullit, të cilët janë pro-amerikanë me vetëdijen e aleancës karshi interesave shtetërore dhe të mirës së përgjithshme”, theksoi doktori i shkencave ndërkombëtare.

Më tej, ai sqaroi edhe vonesat e takimeve të kryeministrit Kurti në SHBA, e të cilat sipas tij nuk kanë të bëjnë me qasjen e tij ndaj politikave amerikane, por janë rrethanat ato që kanë ndikuara në vonesën e kësaj vizite,

Vonesa e vizitës së Kurtit në SHBA, nuk ka ndodhur për shkak të ndonjë lloj anti-amerikanizimi, por nuk është që mund të organizosh vizitë zyrtare sipas tekeve në institucionet amerikane, po ashtu rrethanat nuk kanë qenë shumë të nevojshme për një vizitë të Kurtit deri më tani, arsyeja e tretë është se ndoshta SHBA-ja ka dashur të njoftohet më shumë me qasjen e kryeministrit Kurti. Arsyeja e katërt është të verifikohet se sa stabile po arrin të jetë qeveria Kurti dhe a do të arrijë të mbijetojë përkundër furive të problemeve, krizave dhe problemeve tjera që i shkaktohen”, vlerësoi Kuçi.

Në fund, potencoi se kritikat e opozitës për Kurtin se është ‘anti-amerikan’ janë deklarata të pabaza, ku edhe kritikoi partitë opozitare për modelin e të bërit politikë pa ide dhe argumente.

Kritikat e opozitës ndaj kryeministrit Kurti për kinse anti-amerikanizmin e këtij të fundit, nuk janë asgjë më shumë se sa gërmimi për gjetjen e arsyeve për kritikë ndaj kryeministrit dhe dëmtimin e autoritetit të tij tek populli dhe qytetarët. Realisht, modeli i opozitarizmit që po bëhet në Kosovë është një model pa ide, pa bazë dhe pa kritikë të vërtetë”, përmbylli Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Mehazi: Vizita e Kurtit në SHBA më shumë ka pikëlluar partitë opozitare të Kosovës sesa Vuçiqin, Brnabiqin e Daçiqin

Kurse, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi për “Bota sot” tha se vizitat e kryeministrit Kurti e kanë pikëlluar më shumë opozitën në vend, sesa udhëheqësit serbë.

Image
Sulejman Mehazi

Shkuarja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në SHBA, bujtja e gjatë dhe takimet zyrtare me funksionarët e elitës më të fuqishëm politike e diplomatike botërore të SHBA-së më së shumti ka pikëlluar partitë opozitare të Kosovës sesa Vuçiqin, Brnabiqin e Daçiqin”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Mehazi u shpreh se ‘refrenin politik’ të opozitës “Albin Kurti është anti-amerikan”, ua hodhi në ‘ujë’ kryeministri me vizitat e tij në SHBA.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, që gjatë fushatave zgjedhore parlamentare e lokale si në kor me anë të shpifjeve e gënjeshtrave mundoheshin para qytetarëve të komprometojnë timonin e LVV-së, Albin Kurtin se gjoja çon politikë pro-ruse e është kundër SHBA-së e anti-amerikan. Me një fjali shkuarja e kryeministrit Kurti në SHBA ua ka mbyllur gojën nyje, oponentëve politikë të opozitës me atë refrenin politik të papagajve se "Albin Kurti është anti-amerikan". Jo që ua hodhi në ujë, por vizita e tij në SHBA zbuloi se partitë opozitare kishin qenë e janë në vazhdimësi anti-amerikane e pro-serbe-ruse”, theksoi profesori.

Më tej, ai thotë se kjo vizitë vë në pah faktin se për Amerikën, Kurti është i fuqishëm dhe do të përkrahet pro-amerikanizmi i tij kundër opozitës.

Se për opozitarët Amerika ka qenë Amelika, Amelika, kurse për kryeministrin Kurtin ka qenë, është e do jetë SHBA-ja e jo 'Amelika" shpifëse opozitare ndaj tij. Vizita e kreut të qeverisë së Kosovës tregon se për SHBA-në, Albin Kurtin është i autoritetshëm dhe i fuqishëm do të përkrahet pro-amerikanizmi i tij kundër partive opozitare që mundohen ta destabilizojnë Kosovën”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat