Vendimi befasues i Ramës për ta përkrahur Kosovën/ Vjen thirrja për qeverinë Kurti

Politika

Vendimi befasues i Ramës për ta përkrahur Kosovën/ Vjen thirrja për qeverinë Kurti

Nga: A.M. Më: 13 maj 2022 Në ora: 22:16
Foto ilustrim - "Bota sot"

Kosova ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm duke aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE), pasi ka siguruar paraprakisht mbështetjen e duhur për këtë hap. 

Ky aplikim për anëtarësim në KiE u mirëprit dhe përkrah nga të gjitha partitë politike në vend. 

Kësaj radhe, edhe opozita e mbështeti fuqishëm këtë përpjekje të institucioneve të vendit për të bërë një hap të rëndësishëm në fushën e diplomacisë, siç është anëtarësimi në Këshillin e Evropës. 

Mirëpo, patjetër që dikush do të dilte kundër këtij vendimi dhe iniciative të institucioneve të Kosovës, e padyshim që këtë e bën Serbia. I pari reagoi presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. 

“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje, konflikt, por të japim një përgjigje në mënyrë racionale. Nesër është seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”. 

E për këtë çështje, profesori universitar, Enver Bytyçi foli në një prononcim për gazetën “Bota sot”. 

Ai këtë aplikim në KiE e cilësoi si një ngjarje më rëndësi historike, ku ky vendi për ta ndërmarrë këtë hap të madh erdhi si rezultat i rrënimit të autoritetit rus në kontinentin tonë 

Image
Profesori universitar, Enver Bytyç

“Ministrja e Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar dje dokument-kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo kërkesë është ngjarje me rëndësi historike, sepse pranimi i Kosovës në KiE i jep asaj legjitimitet ndërkombëtar të pranua. Në Këshillin e Evropës bëjnë pjesë vetëm shtete të pavarura të kontinentit evropian. Për pasojë autoriteti dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës shtyhet deri në pragun e njohjes së plotë ndërkombëtare të saj. 

Kërkesa për pranim në këtë organizatë më të rëndësishmen e Evropës pas Bashkimit Evropian, erdhi si rezultat i rrënimit të autoritetit rus në kontinentin tonë dhe për pasojë edhe si pasojë e mundësisë reale që kërkesa të miratohet. Këshilli i Evropës është themeluar në vitin 1949 dhe ka shërbyer e shërben si një instrument ndërkombëtar me konventa detyruese për vendet anëtare, sidomos në fushën e demokracisë, respektimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, autonominë lokale etj.”, deklaroi profesori. 

Krahas kësaj, Bytyçi tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës ka një rëndësi shumë të madhe në disa fusha të caktuara. Ai beson nëse arrihet kjo gjë atëherë do të ketë ndikime të shumta në konfirmimin e plotë të shtetësisë së Kosovës. 

“Të qenit anëtar i kësaj organizate është konfirmim i zhvillimit të demokracisë për një vend të caktuar, në rastin konkret të Kosovës. Dhe zhvillimi i demokracisë i konfirmuar, nëse Kosova pranohet, do të thotë se shndërrohet automatikisht në njohjen e aftësisë për qeverisje. Aftësia për qeverisje, ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor të së drejtës, balancimi i pushteteve, liritë e të drejtat e njeriut, ekonomia e tregut, respektimi i autonomisë lokale janë tregues themelor për njohjen e shtetësisë dhe kombësisë së një populli. Këshilli i Evropës dhe vendet anëtare të saj me këtë rast, me pranimin e Kosovës do të njohin dhe konfirmojnë të gjithë këta elementë shtet-formues e për pasojë kjo do të ndikojë në hapat e tjerë të konfirmimit të plotë të kësaj shtetësie”, shpjegoi ai. 

Në vazhdim, profesori foli edhe për historinë e KiE dhe rëndësinë e tij, duke theksuar se sponzor kryesor i anëtarësimit të Kosovës është Gjermania. 

Këshilli i Evropës është organizata e parë e vendeve demokratike e krijuar pas krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945 në San Françisko të SHBA-ve. Si e tillë është autoritet i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht. Për ta pranuar Kosovën do të duhen dy të tretat e votave të vendeve anëtare. Besohet se sponsore e kësaj kërkese është Gjermania. Për pasojë pranimi i saj është thuajse i sigurt”, nënvizoi Bytyçi.  

Kosova respekton të gjitha liritë e të drejtat e njeriut e të minoriteteve të parashikuara në dokumentet e Këshillit të Evropës

Më tej, ai e vlerësoi lart punën e udhëheqësve të Kosovës, ku tha se me punën e tyre e kanë forcuar demokracinë në vend, dhe se janë disa hapa para Serbisë dhe Shqipërisë në disa aspekte. 

“Kërkesa është natyrisht hapi i parë. Hapat e tjerë kanë të bëjnë me verifikimin dhe vëzhgimin e raporteve të shtetit me demokracinë nga komisionet dhe grupet punuese të këtij Këshilli. Më pas përgatitja dhe shqyrtimi i relacioneve përkatëse dhe në fund votimi në Mbledhjen e Këshillit. Mund të besojmë plotësisht faktin se kriteret e demokracisë, të cilat përbëjnë kushtin themelor të pranimit, Kosova i plotëson me dinjitet. Kosova është vendi më demokratik i rajonit dhe kjo falë qeverisjes demokratike në vend. Kosova është vendi që bën zgjedhje të lira e të drejta në rajon, ndërkohë që shtete të tjera anëtare të Këshillit të Evropës, si Shqipëria dhe Serbia, ende nuk kanë mundur të plotësojnë standardet evropiane në këtë fushë. Kosova ka një gjyqësor të pavarur dhe është e angazhuar në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar më shumë se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor. Kosova respekton të gjitha liritë e të drejtat e njeriut e të minoriteteve të parashikuara në dokumentet e Këshillit të Evropës dhe për pasojë nuk ka e nuk do të ketë asnjë pengesë për pranim, nëse e analizojmë situatën nga ana përmbajtësore. Për këto arsye unë besoj se pranimi është i garantuar”, theksoi profesori. 

Ndër të tjera, Bytyçi kërkoi nga qeveria Kurti që më shumë të fokusohet në kërkesat dhe interesat e shteteve të KiE. Kjo, pasi sipas tij, pesshja që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk kanë arsye të mos votojnë pro anëtarësimit. 

“Por kjo nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj nuk duhet të angazhohen në lobim. Duhen përcaktuar pikat e forta e pikat e dobëta, kërkesat dhe interesat e shteteve anëtare, qëndrimet që ato mbajnë ndaj pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Duhen ndërmarrë vizita të shumta të krerëve të shtetit në këto vende. Duhet paraqitur situata pozitive e zhvillimit të demokracisë dhe lirive e të drejtave të njeriut në vend. Besoj se është e mundur që lobimi të ketë sukses jo vetëm te vendet që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, por edhe te pesë vendet që nuk e kanë njohur atë. Nuk shoh asnjë arsye pse Greqia, Sllovakia, Rumania e madje edhe Spanja të mos votojnë pro anëtarësimit. Gjithnjë nëse këtyre vendeve u ofrohet sqarimi i situatës dhe u shpjegohen rezervat që ato shprehin”, potencoi ai. 

Në fund, profesori u befasua me qëndrimin e Edi Ramës për përkrahjen e Kosovës në këtë vendim, pasi dihet raporti i ngushtë i tij më presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. 

"Në çështjet e lobimit duhet rakorduar me aleatët evropianë të fuqishëm si Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, Turqia, Izraeli, Polonia, vendet skandinave e ato të Beneluksit etj. Këta kanë lidhje specifike me ndonjë vend hezitues dhe mund të ndërmjetësojnë sqarimin e situatave. Pra, nuk është se gjithçka do të jetë e lehtë dhe e garantuar.  

Shqipëria është zotuar se do të përkrahë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo është arritje e madhe, se me kryeministrin që kemi nuk ishte çudi që të shprehej në anën e Serbisë. Sigurisht që Serbia do të votojë kundër. Mundet edhe ndonjë aleat i saj. Por me përpjekje intensive dhe angazhime serioze, besoj se pranimi është i sigurt”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat