A do ta votonte PS-ja me Edi Ramën rezolutën që dënon dhunimin e 20 mijë femrave shqiptare / Armiku i ri i Kosovës është Edi Rama

Politika

A do ta votonte PS-ja me Edi Ramën rezolutën që dënon dhunimin e 20 mijë femrave shqiptare / Armiku i ri i Kosovës është Edi Rama

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 maj 2022 Në ora: 08:06
Deputetët e shumicës socialiste të enjten votuan kundër rezolutës për njohjen e Gjenocidit në Srebrenicë.

 

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të enjten votuan kundër rezolutës për njohjen e Gjenocidit në Srebrenicë.

Kjo rezolutë u rrëzua pasi mori 51 vota kundër nga deputetët socialist.

Ky veprim i deputetëve ngjalli reagime të shumta në opinion. U cilësua edhe si veprim në kuadër të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, përkatësisht raporteve “vëllazërore” që ka kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cilësoi si “rrëmuja të së kaluarës” krimet që ka shkaktuar Serbia në rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Ndërsa, votimi kundër rezolutës për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, është hapi i radhës i Shqipërisë në drejtim të “amnistimit” të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.

Shahu: Fyerje e poshtërim i çdo shqiptari

Publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e konsideron si tronditës veprimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Image
Rexhep Shahu

 

“Është tronditëse, absurde, e pabesueshme që Kuvendi i Shqipërisë humbet ngjyrat, nuancat, shijet, shpirtin njerëzor dhe refuzon të votojë një rezolutë solidariteti për krimet serbe në Srebenicë. Pa hezitimin më të vogël çdo parlament në botë do ta bënte këtë votim solidariteti me të mirën kundër të keqes, kundër dhunës kriminale”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Ai thekson se është fyerje e poshtërim i çdo shqiptari mos solidarizimi me anë të asaj rezolutë me të masakruarit prej Serbisë në Srebenicë.

“Askush nuk u tha deputetëve të Shqipërisë merrni pushkët dhe vritini serbët, por ata dëshmuan skllavëri, dëshmuan mjerimin e politikës së majtë zyrtare të Shqipërisë, nënshtrimin e servilizmin poshtërues ndaj Serbisë. Qytetarët shqiptarë përditë e më pak kanë vëmendje ndaj parlamentit shqiptar pasi niveli i tij është mjeran në raport me mesataren e shoqërisë. Por, është fyerje e poshtërim i çdo shqiptari mos solidarizimi me anë të asaj rezolutë me të masakruarit prej Serbisë në Srebenicë. Srebenica është pasqyra, e cila thyhet e bëhet copa copa kur dalin para saj deputetët socialistë të Shqipërisë, përfaqësuesit politikë të socialistëve shqiptarë”, deklaroi ai.

Më tej publicisti tha se çdo qytetar shqiptar ndjehet i fyer e i poshtëruar që parlamenti i tij çon ujë në kopshtin e presidentit të Serbisë, që parlamenti i Shqipërisë voton sipas dëshirave e ndoshta udhëzimeve të presidentit të Serbisë.

“Parlamenti serb, intelektualët serbë, besoj neveriten nga ky servilizëm i ulët i parlamentarëve socialistë të Shqipërisë.

Kam shumë frikë se po ti kërkohet parlamentit të socialistëve të Shqipërisë të votojnë një rezolutë që dënon krimin e përdhunimit te 20 mijë grave e vajzave të Kosovës prej ushtarëve e paramilitareve serbë, deputetët socialistë të Shqipërisë me në krye Edi Ramen nuk do ta miratonin as këtë rezolutë. Duket se socialistët shqiptarë me në krye Ramen janë pengje të Beogradit. Ndoshta që nga fillimi, që nga Miladin Popoviqi e Dushan Mugosha që themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë”, përfundon Shahu.

Mehazi: Është e barabartë me arsyetimet e vrasjeve, dhunimeve e gjenocideve serbe në Kosovë

Image
Sulejman Mehazi

 

Ndërkaq, analisti Sulejman Mehazi thotë për gazetën “Bota sot” se veprimi i deputetëve të Shqipërisë kundër njohjes së gjenocidit ndaj boshnjakëve është turpi më i madh i historisë parlamentare shqiptare.

“Veprimi i deputetëve të Shqipërisë kundër gjenocidit të boshnjakëve në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës është marrëzia kulmore jo humane, është turpi më i madh jo vetëm i historisë parlamentare shqiptare, por edhe asaj botërore, është çmenduria parlamentare e papërshkruar shtetërore botërore.

Të arsyetohet vrasja e tetë mijë civilëve të pa armatosur, fëmijëve, të pa aftëve, burrave e grave plaka nga krimineli biblik, Radovan Karaxhiqi, është e barabartë me arsyetimet e vrasjeve, dhunimeve e gjenocideve serbe në Kosovë”, thotë Mehazi.

Sipas tij, ky veprim krijon bindjen se Edi Rama është kryeministri kuisling i Serbisë, Vuçiqit dhe Dodikit.

“Para se deputetët e Shqipërisë të votojnë kundër njohjes së gjenocidit të Srebrenicës diqysh kemi menduar se mos ndoshta kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, çon politikë pozitive e të dobishme, po votimi i deputetëve kundër masakrës së civilëve boshnjakë na bindi se Edi Rama është kryeministri kuisling i Serbisë, Vuçiqit dhe Dodikut.

Vota në Kuvendin e Shqipërisë kundër gjenocidit në Srebrenicë është paralajmërim, ogur edhe për gjenocidet e bëra serbe në Kosovë, se nëse parlamentarët e Edi Ramës kanë votuar kundër 8000 civilëve të vrarë në Bosnjë-Hercegovinë nga serbët, njësoj do të votojnë mos njohjen e gjenocidit serbë të bërë në Kosovë”, thotë Mehazi.

“Qeveria e Edi Ramës së bashku me Kuvendin e Shqipërisë është në anën e gjakpirësve serb”

Ai shton se vota kundër njohjes së masakrave në Srebrenicë tërthorazi është votë edhe kundër masakrave gjenocidale serbe në Kosovë.

“Për deputetët e Edi Ramës të gjitha masakrat e gjenocidet serbe në Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë janë të arsyeshme, kurse civilët e paarmatosur të vrarë në Srebrenicë, Reçak, Prekaz e gjetiu fajtor.

Votimi kundër gjenocidit të Srebrenicës do të thotë se qeveria e Edi Ramës së bashku me Kuvendin e Shqipërisë është në anën e gjakpirësve serb dhe lirisht mund të themi se Qeveria e Shqipërisë është në anën e Serbisë dhe se, Edi Rama, tërë Shqipërinë vullnetshëm ia ka falur Serbisë”, ka përfunduar Mehazi.

Në mesin e reagimeve të shumta lidhur me veprimin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Profesori dhe veprimtari shqiptar në Paris, Nezir Kraki, vlerëson se vota e deputeteve socialistë të Shqipërisë kundër njohjes së gjenocidit serb në Srebrenicë është rezultat i qasjes dhe aktivitetit proserb të Edi Rames viteve të fundit.

Kraki: Edi Rama, armiku i ri i Kosovës

Në një postim në Facebook, Kraki ka shkruar se kjo qasje shumë miqësore ndaj Serbisë dhe përbuzëse ndaj Kosovës, është intensifikuar sidomos që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet.

“Nga ai moment, qeveria e Shqipërisë ka veç përbuzje, indiferencë e tallje ndaj Kosovës, deri në piken ku edhe i kërkohet t’i harrojë krimet serbe për kinse «hapjen ballkanike». Merreni me mend, Shqipëria dhe Kosova janë nisur në rrugë të ndara për të shkuar në destinacion të përbashkët edhe pse hallet dhe ëndrrat i kanë (normalisht) të njëjta. Kasta politike e Shqipërisë Albin Kurtin e konsideron si plëngprishës sepse kur ndodhi ndryshimi i madh në Prishtinë, në fakt ndodhi edhe vdekja e planeve të Vuçiqit për zhbërjen e Kosovës, i ndihmuar nga Rama me komitët batonianë të jugonostalgjisë”, thotë Kraki.

Sipas tij është tashmë e ditur dhe e kapshme se Edi Rama është shndërruar në lobues për interesat serbe edhe pran aleatëve tanë historikë.

“Kosovën e sheh dhe e paraqet tek të tjerët si të prapambetur politikisht sepse «nacionalistë» që «merret me histori». Kjo qasje antiKosovë (sepse anti Albin) dhe pro Serbi (sepse pro Vuçiq) prodhon pastaj episode të turpshme si ai kur në Kuvendin e Shqipërisë mohohet gjenocidi në Srebrenicë dhe kur në takimin me Borellin, Shqipëria e Edit gjen komoditet në mes dy liderëve fashistë serbë dhe të njëjtit i shpall vëllezër”, potencon Krkaki.

Më tej ai thotë se kaplohet nga gërdia kur e sheh dhe konstaton se Shqipëria e mitizuar nga Kosova vëllazërohet aq shumë me serbët.

“Dikush më tha se ndoshta unë flas me emocione. Po, është e vërtetë që kaplohem nga emocionet e vjelljes dhe gërdisë kur shoh e konstatoj që Shqipëria jonë, aq e ëndërruar e mitizuar sa ishte në ferrin hoxhist, 30 vite pas, vëllazërohet me ata që ishin ferri i çdo shqiptari jashtë saj.

Emocionohem po ashtu kur konstatoj se edhe në vitin 2022, e ardhmja e vetme e çdo shqiptari mbetet ikja nga Shqipëria derisa vet Shqipëria, rrëshqet poshtë e më poshtë në renditjet e vendeve normale, duke u ribërë njolla e zezë e Ballkanit”, është shprehur ai.

Prandaj, sipas profesorit të Parisit, armiku i ri i Kosovës është Edi Rama, ky megaloman i cili pasi e dështoi Shqipërinë, i dha vetes të drejtën që ta dëmtojë edhe Kosovën.

“Prandaj, krejt ju që lehni skutave të debateve shterpa, në pritje të ndonjë ashti nga komitët politikë, mafiozë e mediatikë të Edi Ramës, duke e duartrokitur një qasje të tillë, më bëni me vjell e ma forconi bindjen që në mesin tonë ka vërtetë shumë zagarë”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat