Kosova pritet të ketë disa njohje të reja, edhe nga pesëshja e BE-së/ A po thyhet neutraliteti i BE-së ndaj Pavarësisë!?

Politika

Kosova pritet të ketë disa njohje të reja, edhe nga pesëshja e BE-së/ A po thyhet neutraliteti i BE-së ndaj Pavarësisë!?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 maj 2022 Në ora: 12:25
Foto ilustrim

Aplikimi zyrtar i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i bërë ditë më parë nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, arriti t’i nxjerrë në sipërfaqe edhe njëherë politikat jo miqësore ndaj Kosovës, dhe artikuluesit e tyre.

Për çudi një goditje, erdhi nga vetë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili në vend të zotimit se Shqipëria do të ndihmojë në thyerjen e çdo barriere për ta ndihmuar anëtarësimin e Kosovës në KiE, ai shprehu keqardhje për Serbinë, pavarësisht që për Kosovën, e tha thjeshtë një po.

Por, ajo që po i mungon Kosovës aktualisht është njohja nga vende të rëndësishme, e veçanërisht nga pesëshja e shteteve të BE-së, katër prej të cilave janë edhe anëtare të NATO-s, si Spanja, Greqia, Rumania e Sllovakia, ndërsa Qiproja vetëm në BE.

Pushtimi rus në Ukrainë, iu krijoi një shans të ri shqiptarëve për t’u ripozicionuar dhe për të rigjetur peshën strategjike në Europë e më gjerë.

Por, një Shqipëri me institucione të manipuluara nga vendet armiqësore po dëshmon se nuk është në gjendje të bëjë thuaja asgjë më shumë, se sa që ia arrin vetë Kosova të bëjë për veten e saj.

Për fat gjërat, si për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, po ecin në rrugën e duhur nga ndryshimi i situatës gjeostrategjike, duke u rreshtuar Perëndimi, dhe gjithë Europa kundër agresionit rus, i cili po mbështetet nga Serbia.

Pas aplikimit të Kosovës në KiE shumë vende e kanë përkrahur këtë iniciativë duke shprehur kështu vullnetin që mund të kenë për njohje të reja.

Pas deputetit të opozitës gjermane, Michael Brand, CDU, edhe politikanët e pozitës socialdemokrate, Frank Schvabe dhe Adis Ahmetoviç, kanë shprehur në një deklaratë të përbashkët për media, publikuar të premten, më 13.05. mbështetjen e tyre për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott ka mirëpritur synimin e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës. Ndërsa, paraprakisht është mbështetur fuqishëm nga qeveria gjermane, e cila me gjasë do të jetë vendi që do ta paraqesë dhe udhëheq këtë proces anëtarësimi të Kosovës në institucionet europiane.

Kujtojmë që ministrja Gërvalla u shpreh se nuk kanë hasur në asnjë rezistencë që i bën të kuptojnë se mund të rrezikohet procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ajo ka thënë se edhe nga përfaqësues të Francës i është thënë se e mbështesin Kosovën për anëtarësim në Këshill.

Por, tani Kosova duket se do të ecë më shpejt drejt njohjeve të pritura. Burime qeveritare i kanë thënë gazetës, se priten një numër njohjesh të reja. “Do të ketë edhe njohje nga vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk mund të flasim me emra, por ato do të ndodhin shpejt”, thotë ky burim për “Bota sot”.

Voca: Pas atyre njohjeve, Kosova do të përshpejtoj procesin integrues brenda BE-së

Image
Doktori i shkencave dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet doktori i shkencave dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca.

Ai u shpreh se pas këtij akti të njohjes, Kosova do të përshpejtoj procesin integrues brenda BE-së dhe kjo e fundit do të mbyllë një vrimë të mbetur në Ballkanin perëndimor.

Gjithashtu Voca thekson që njohja nga pesëshja e BE-së do të bëjë që BE-ja të mos jetë më neutrale ndaj Kosovës, gjë që e ka vënë deri më tani Kosovën në pozitë jo gjithnjë të favorshme.

“Natyrisht që Kosova pret njohje të reja dhe se kur do të ndodhin këto është çështje e momentumit të duhur. Ndërsa, se a do të ketë valë të re të njohjeve varet nga lobimi së bashku me vendet partnere të Kosovës.

Edhe pesëshja e BE-së, mendoj se duhet ta njohë Kosovën në mënyrë që të mbyllet procesi i njohjeve nga shtetet e BE-së. Pas këtij akti të njohjes, Kosova do të përshpejtoj procesin integrues brenda BE-së dhe kjo e fundit do të mbyllë një vrimë të mbetur në Ballkanin Perëndimor si çështje të saj të lënë anash. Njohja nga pesëshja e BE-së do të bëjë që BE-ja të mos jetë më neutrale ndaj Kosovës, gjë që e ka vënë deri më tani Kosovën në pozitë jo gjithnjë të favorshme. Prandaj, është me rëndësi të madhe që edhe ato vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, të binden për ta bërë atë. Besoj se tani duhet vepruar shumë në këtë drejtim, duke parë rrethanat gjeopolitike në Evropë, të favorshme si për Kosovën po ashtu për BE-në në rrugëtimin e saj të politikave përforcuese dhe zgjeruese në Ballkan”, thotë profesori.

Ligjëruesi në bisedë e sipër shprehet se Serbia është duke bërë një politikë absolutisht të gabueshme me agresivitet ndaj fqinjëve.

“Serbia është duke bërë një politikë absolutisht të gabueshme që nuk shpie në favor të një fqinjësie të mirë dhe stabile, dhe kjo duhet thënë e përsëritur pareshtur pranë institucioneve të BE-së. Serbia si gjithnjë agresive ndaj fqinjëve të saj, orvatet në veçanti për të krijuar tension dhe mundësi për destabilitet rajonal dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Në vend që të ndërmerr veprime politike dhe juridike për të njohur Kosovën shtet të pavarur, një realitet tashmë i vjetruar, ajo ende mban një qëndrim të sajin klasik me plotë ide agresive, konfliktuoze me frymë hegjemonike. Një gjë është më se e qartë se Ballkani Perëndimor do të prosperoj nga ajo ditë kur Serbia ndërron kursin e politikës së saj vet-stagnuese dhe karshi vendeve fqinje duke bërë dhe hapin e njohjes së Kosovës”, potencon ligjëruesi.

Serbia duhet patjetër të shkëputet nga direktivat politike ruse që ishin dhe tashmë janë më se të qarta, të hapet njëmend drejt proceseve integruese veri atlantike, shpjegon tutje profesori.

“Tani me aplikimin e Kosovës në KiE që sigurisht që do të pasojë me anëtarësimin e saj në këtë organizatë, Serbia shfaq edhe një herë një qëndrim absolutisht të papranueshëm, një qëndrim që origjinën e ka nga frika për tu përballur dhe pranuar një realitet të vjetruar në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, atë të shpërbërjes jugosllave dhe krijimin e shteteve të reja. Serbia duhet patjetër të shkëputet nga direktivat politike ruse që ishin dhe tashmë janë më se të qarta, të hapet njëmend drejt proceseve integruese veri atlantike. Dhe vë theks të veçantë se kjo do të jetë e mundur vetëm atëherë kur ky shtet serb tani si një satelit i një Rusie pushtuese, të orientohet kah Perëndimi, dhe të shkëputet nga e kaluara e saj kriminale duke njohur Kosovën shtet të pavarur, një realitet i pamohueshëm dhe i vulosur edhe nga e drejta ndërkombëtare”, foli Voca për “Bota sot”.

Ahmeti: Do të ketë rezultate konkrete për sa i përket njohjeve të Kosovës nga shtetet e tjera të botës

Image
Analisti politik, Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që do të ketë rezultate konkrete duke shtuar që në këtë aspekt do të ketë ndikim edhe politika e jashtme.

“Institucionet përgjegjëse të politikës së jashtme janë duke punuar në këtë drejtim, në mënyrë që shteti të ketë legjitimitet më të fuqishëm në rendin ndërkombëtar. Besoj që të ketë rezultate konkrete, por prapë do të mbetet koha që do të dëshmoj, pasi veprimet në politiken e jashtme mund të shihen, por ndikojnë shumë faktorë deri tek njohja de jure”, shprehet analisti.

Analisti ka një thirrje për institucionet përgjegjëse në politikën e jashtme duke ju sugjeruar që duhet të kenë strategji konkrete.

“Institucionet përgjegjëse në politiken jashtme, duhet të kenë strategji konkrete mbi rrugën që do ta ndjekin, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kemi stabilitet dhe legjitimitet në rendin ndërkombëtar”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat