Neutraliteti i Serbisë e mbështetë gjenocidin/ Europa e kritikon për Rusinë, por e fajëson Kosovën në bisedime

Politika

Neutraliteti i Serbisë e mbështetë gjenocidin/ Europa e kritikon për Rusinë, por e fajëson Kosovën në bisedime

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 maj 2022 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Situata në botë nuk është më e favorshme, kjo për shkak të luftës në Ukrainë nga agresioni rus.

BE-ja dhe SHBA-ja po i vazhdojnë akoma sanksionet ndaj shtetit rus, por siç duket Rusia ende nuk do të dorëzohet. Dikur një armatë e tmerrshme, sot po humb në kufirin e saj, ukrainasit po i japin leksion asaj, dhe botës me moralin dhe motivimin e tyre, ndërsa Perëndimi po e ndihmon me të gjitha mënyrat.

Lufta e Ukrainës, sot shihet si luftë e botës së civilizuar për të mbrojtur qytetërimin e saj. Por, është një vend që dëshiron ti bashkohet pasurisë dhe asaj që ka arritur Europa, por jo edhe obligimeve që kjo ia ka dhënë vetes, ndalimin e agresionit rus.

Shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk është në NATO, por i ka të çelura negociatat për anëtarësim në BE, Serbia që nuk i ka vënë sanksione Rusisë dhe as nuk po i përkrah ato.

Rusia e cila e ka mbështetur fuqishëm në gjithë historinë e krijimit të Serbisë, sipas traktateve të tyre të fshehta, Beogradi do të duhej tani të krijonte tensione në Ballkanin Perëndimor, përfshirë një skenar dhune dhe lufte. Për këtë mundësi janë shprehur edhe zyrtarët më të lartë të BE-së, NATO-s, të Kosovës dhe të vendeve e institucioneve të tjera. Veçanërisht vlerësohet se është e rrezikuar Bosnja.

Shkaktari kryesor i tensioneve në Ballkan është Serbia. Madje, ajo ka kërcënuar vendin tonë pas aplikimit në Këshill të Evropës, duke thënë do të marrë masa, por kësaj here pa përmendur rrezikun për luftë.

Është ende e habitshme se si Perëndimi vazhdon që ta mbajë Kosovën nën presion për të arritur marrëveshje me Serbinë, ndërsa kjo vazhdon të jetë palë me Rusinë, siç e tha në deklaratën e tij të fundit, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ndërsa i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë.

“Për mua është e qartë, si përfaqësues i lartë dhe për kolegët e mi, se të mbash lidhje të ngushta me regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit nuk është më në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE. Këto të dy gjëra më nuk shkojnë në të njëjtën kohë”, tha Borrell pas takimit në Bruksel, ku morën pjesë edhe kryediplomatët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Borrellit neutraliteti ndaj pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, është “koncept i gabuar”.

“Të jesh neutral sot në lidhje me luftën në Ukrainë është një koncept i gabuar. Një shtet pushtoi një shtet tjetër dhe vendosja e tyre në një thes nuk bën dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit”, tha Borrell.

Por, pse ende nuk ka asnjë masë, dhe pse sërish presion ndaj Kosovës!?

Kelmendi: Serbia është e përkëdhelura e BE-së

Image
Profesori Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi thotë se Serbia është e përkëdhelura e BE-së, dhe e disa shteteve që nuk e njohin Kosovën, duke përfshirë këtu edhe Francën, e cila e ka njohur vendin tonë, por që e mban anën e Serbisë.

“Serbia ka qenë dhe është e përkëdhelura e shumë shteteve të BE-së. Veç Rusisë, Serbia si shtet, mbi territoret jo serbe, kryesisht shqiptare, është krijuar nga Franca dhe e përkrahur edhe nga shtetet tjera, që tash janë në BE. Këtë shtet e kanë krijuar dhe natyrisht se nuk e dëmtojmë produktin e tyre. Edhe sot ka shtete që janë në anën e shtetit serb, pavarësisht se çfarë qëndrime merr Serbia. Këtu është fjala për 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe për Francën që e ka njohur Kosovën si shtet, por ende është në anën e Serbisë”, thotë ai.

Sipas tij, situata në Ballkan nuk është më e favorshme për shkak të luftës në Ukrainë, por që Serbia nuk ndëshkohet edhe pse nuk ka vënë e as përkrahur sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

“Të mbështetur në faktin se lufta në Ukrainë ka krijuar shumë vështirësi, është arritur te fakti, që në Ballkan mos të krijohet gjendja që krijon konflikt të ri ushtarak. Në këtë anë dhe kryesisht është çështja midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht raportet me shtetin serb. Këtej nuk do të ndëshkohet shteti serb, përkundër faktit se shteti serb kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë”, deklaron ai.

Në fund Kelmendi edhe pse Serbia vazhdon të deklarohet se nuk do ta njohë Kosovën dhe këtë e dinë BE-ja e SHBA-ja, Serbia vazhdon të jetë shkaktare e gjendjes së rëndë në Ballkan.

“Serbia ka deklaruar: (...) kurrë nuk do të njihte shtetin e Kosovës". Thjeshtë, BE e dinë, sikundër e dinë edhe Parisi, Londra, Berlini e Brukseli, se shkaktar i gjendjes së rëndë në Ballkan është Serbia. Dhe, megjithatë përkrahet ky shtet në qëndrimet neofashiste. Kjo e ka vështirësuar gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe ka krijuar mundësi për militarizim të Serbisë. Ajo tash është armatosur. Ky shtet është nacionalfashist dhe ka shkaktuar gjakderdhje të madhe në Ballkan. Nuk po dënohet dhe priten edhe veprime tjera pushtuese dhe militariste. Serbia kriminale nuk ndalet”, përfundon profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Qarri: Aleksandër Vuçiqi është një politikan i nomenklaturës së vjetër

Image
Analisti Gani Qarri

 

Analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot” thotë se BE-ja dhe SHBA-ja e kanë bërë të veten derisa i kanë dhënë përgjigjen përfundimtare Serbisë okupatore, se pavarësia e Kosovës, është konform rregullave ndërkombëtare.

“Në fakt një vend i cili me vetëdëshirë, ka vendosur t’i zhvlerësoi kriteret e shtetësisë dhe të heq dorë vullnetarisht nga statusi shtetëror, siç ka vepruar kuislingu Hashim Thaçi me vendosjen e fusnotës, duke kthyer Kosovën në vend me status të pazgjidhur politik, vetëm pas një viti nga vendimi pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është shumë vështirë të pritet apo kërkohet që të shpreh dhembje, mbështetje dhe mirëkuptim dikush në Perëndim. Në fakt Perëndimi dhe SHBA e kanë bërë të veten, duke mundësuar që instanca më e lartë juridike e OKB-së, GJND-ja, më 22 korrik të vitit 2010, t’i dalë hakut Kosovës e vulosë pavarësinë e saj, duke i dhënë përgjigjen përfundimtare Serbisë okupatore, se Pavarësia e Kosovës, është konform rregullave ndërkombëtare, ndaj nuk besoj dhe as nuk më ka rënë, të dëgjojë kund, se ka apo ekziston edhe një instancë tjetër më e lartë botërore, e cila mund të bënte më shumë për Kosovën, kur bijtë e saj të shitur e të shantazhuar duan vet, ta shkatërrojnë shtetin e tyre, për t`ia plotësuar dëshirën Aleksandër Vuçiqit të Serbisë. Kjo dëshmon publikisht se atë që Serbia, nuk e arriti me pyetjen e parashtruar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e realizoi me sjelljen e argatëve të vet në pushtet, duke vendosur me metodat e saj Thaçin dhe komandantët e tjerë të shantazhuar, në krye të shtetit të Kosovës dhe vetëm rreth një vit pas konfirmimit të pavarësisë, kuislingu Hashim Thaçi e zhvlerësoi vet, vendimin e GJND-së, duke i vendosur Kosovës fusnotën mbi status shtetëror dhe kthyer në vend me status të pa përfunduar politik”, thotë ai.

Sipas tij, Aleksandër Vuçiqi është një politikan i nomenklaturës së vjetër, sa që edhe sot 23 vite pas çlirimit, ka guxim ta kërcënojë pa kurrfarë pendese Kosovën.

“Ndërsa sa i takon Aleksandër Vuçiqit, ai është politikan i nomenklaturës së vjetër, i cili i ka shërbyer ultra nacionalistit më antishqiptar Vojisllav Sheshelit, sekretar i partisë së të cilit (partisë radikale serbe) ishte deri në vitin 2008, si dhe kriminelit më famëkeq në rajon e më gjerë, të njohur edhe si kasapi i Ballkanit Slobodan Millosheviqit, mu në kohën kur në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovën e okupuar nga Serbia u kryen krimet më të rënda dhe gjenocidi e masakrat më të llahtarshme nga policia dhe ushtria okupatore e Serbisë fashiste. Pra, është lehtë për ta kuptuar se një ministër i informatave shtetërore të qeverisë së Millosheviqit, gjatë kohës së luftës dhe okupimit klasik të Kosovës nga Serbia, mu në periudhën më të tmerrshme, kur kryheshin vrasje, djegie, përdhunime, përndjekje dhe dëbimet më masive të popullit shqiptar, nuk ka si ta harrojë "zanatin e vjetër" dhe duke qenë se për mbi 23 vite me radhë partitë e inkriminuara nuk qenë në gjendje, asnjëherë të ngritin, qoftë edhe një padi të vetme për krim dhe gjenocid të Serbisë në Kosovë, ai përkundër të gjithave sa ka bërë Serbia para dhe gjatë luftës kundër vendit tonë, ka fituar siguri aq të madhe në vetvete, sa që, edhe sot 23 vite pas çlirimit, ka guxim ta kërcënojë pa kurrfarë pendese Kosovën”, shprehet ai.

Tutje, deklaron se në këtë mes ka diçka edhe më keq, vendimet tradhtare e plotësisht antishtetërore të ish gangsterëve të shantazhuar politik, si Thaçi & Co.

“E ajo që është më e keqja në këtë mes, nuk janë kërcënimet e Vuçiqit drejtuar Kosovës, por vendimet tradhtare e plotësisht antishtetërore të ish gangsterëve të shantazhuar politik, si Thaçi & Co, i cili me vendosjen e fusnotës, zhvlerësoi edhe statusin shtetëror të Kosovës, dhe për më tepër se një dekadë i mundësoi Vuçiqit ta trajtonte Kosovën si krahinë të Serbisë, duke lejuar involvimin e Aleksandër Vuçiqit në të gjitha vendimet e brendshme statusore e rregullative të Kosovës, ndaj sot nuk është më vetëm Serbia, por edhe BE-ja, si dhe ndonjë vend i fuqishëm perëndimor si Franca etj., që ende nuk janë bindur se me njerëz të tillë, Kosova është e pavarur dhe mund të bëhet ndonjëherë, shtet i njëmendtë, duke mos i lejuar as liberalizimin e vizave. Për aq më tepër, duke parë se edhe pas arrestimit të Thaçit, vendin e tij, në raport me Serbinë e ka plotësuar menjëherë kryeministri greko-shqipfolës Edvin Kristaq Rama, i cili për hirë të Serbisë dhe Vuçiqit, nuk e ka fare problem t’i kundërvihet hapur Republikës së Kosovës në çdo hap, megjithëse Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i bëjnë vazhdimisht presion Serbisë duke e konsideruar atë edhe si dorë të zgjatur të Rusisë, në Ballkanin Perëndimor, këtë ende nuk e bën edhe Franca, e cila me gjithë agresionin ushtarak rus në Ukrainë, përkundër vendeve tjera të Bashkimit Evropian, ajo vazhdon të mbajë qëndrim më të butë ndaj Rusisë, e për rrjedhojë edhe ndaj vet Serbisë, me gjithë deklaratat e Vuçiqit se nuk do t’i vendos sanksione Rusisë. Madje edhe lidhur me vet kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, përderisa Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania e mbështesin me të gjitha mjetet anëtarësimin e vendit tonë në KE, Franca është ajo që ende tregohet e rezervuar dhe nuk dihet nëse do ta votojë, apo abstenojë, me rastin e votimit, me arsyetimin se ajo mbështet vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe nuk i mbështet "kërkesat e njëanshme", siç e cilëson aplikimin e Kosovës për pranim në KE”, deklaron Qarri.

Në fund, ai kritikon Hashim Thaçi për vendosjen e fusnotës dhe Isa Mustafën për nënshkrimin e marrëveshjes së asociacionit, për ta bosnjëzuar edhe Kosovën dhe të hapte rrugë ndarjes së veriut.

“Siç dihet kuislingu Hashim Thaçi, përveç zhvlerësimit të statusit shtetërorë të Republikës së Kosovës, me vendosjen e fusnotës, e cila është simbol i një vendi me status të pa zgjidhur politik, ai me 19 prill të vitit 2013, nënshkroi edhe marrëveshjen e parë, të kundërligjshme të asociacionit një etnik serb, kurse më 2015, po atë marrëveshje, por tani të zgjeruar edhe me kompetenca ekzekutive dhe pushtet të tretë në vend, e vulosi edhe renegati jugokomunist Isa Mustafa, marrëveshje e cila po të mos e hidhte poshtë Gjykata Kushtetuese, do ta bosnjëzonte edhe Kosovën, hapte rrugë ndarjes së veriut, e ricopëtimit të vendit, si dhe shuarjes përfundimtare të shtetësisë së Kosovës. Kështu që, duke pasur parasysh të gjitha aventurat e gangsterëve të shantazhuar të Kosovës, të cilët përveç zhvlerësimit të pavarësisë së shtetit, shitjes së tokave tona autoktone vendeve fqinje si dhe kërkesat publike për ndarjen e vendit, të cilat nga eksponentët e gërditshëm të PDK, edhe sot vazhdojnë, e kanë sjellë perëndimin para pikëpyetjes së madhe, nëse vërtet shqiptarët duan të kenë shtet apo jo, gjë që i detyron këto vende, ti bëjnë presion më të madh Kosovës, se sa Serbisë edhe për arritjen e marrëveshjes, për të vlerësuar vendosmërinë e udhëheqjes dhe partive politike për mbrojtjen e shtetit, kufijve dhe integritetit territorial, të vënë në Pazar nga Thaçi & Co, si dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës edhe përmes bisedimeve me Serbinë okupatore”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat