Marrëdhënia e dyshimtë Rama-Vuçiq/ Çfarë ka në plan kjo dyshe – si mund të dëmtohet nga ky raport Kosova!?

Politika

Marrëdhënia e dyshimtë Rama-Vuçiq/ Çfarë ka në plan kjo dyshe – si mund të dëmtohet nga ky raport Kosova!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 maj 2022 Në ora: 08:05
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po vazhdon çdo ditë e më shumë të befasojë me vendimet dhe qëndrimet e tij politike.

Së fundi, Rama refuzoi miratimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Bosnjë. Kësisoj, ai bashkë me deputetët e tij votuan kundër kësaj rezolute në seancën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë.

Ky vendim, erdhi pas mbrojtjes së Serbisë nga akuzat e Perëndimit për marrëdhënie të afërta me Rusinë, e cila po refuzon t’i vendosë sanksione.

Këto qëndrime të Ramës janë kritikuar mjaft shumë dhe janë cilësuar si qëndrime kundër popullit shqiptar, veçanërisht kundër Kosovës.

Sikur të mos mjaftojë vetëm kjo, ditë më parë Rama postoi fotografi nga darka formale që e mbajti me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Ai aty u shfaq krah për krah me Dodikun dhe Vuçiqin, ndërsa, ministrja e Kosovës, Donika Gërvalla u la anash në fund.

Është ende e habitshme se si një kryeministër shqiptar ka një afërsi aq të madhe me një politikan, si Vuçiqi i cili mori pjesë në qeverinë e Serbisë, e cila udhëhoqi me masakrat dhe krimet në luftën e fundit në Kosovë, ndërsa neglizhon ministren e Jashtme të Kosovës.

Bazuar në këto veprime dhe qëndrime të Ramës është kërkuar të merren masa dhe të ndëshkohet nga Qeveria e Kosovës.

Zeqiraj: Donikë Gërvalla, është bija krenare e heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla, dhe e njeh "si parën e kuqe", gilipterin Rama dhe lakejtë e tij socialistë

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj. Fillimisht, ai u shpreh se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës vuri në pah shtetet mike të Rusisë dhe ato që nuk e përkrahin plotësisht demokracinë.

Image
Idriz Zeqiraj

Invazioni i egër i Rusisë, kundër Ukrainës sovrane, testoi individë e shtete, nëse janë për parime njerëzore e demokratike apo aprovojnë diktaturën dhe janë kundër demokracisë. Sprova e parë ishte për shtetet mike të Rusisë, të cilat ose bënë sanksione gjysmake, "sa për sy e faqe", ose u deklaruan hapur kundër sanksioneve ndaj Rusisë, sepse veç miqësive të vjetra dhe të reja, kishin edhe kontraktime dhe interesa ekonomike”, deklaroi publicisti.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe sanksionet që Shqipëria dhe Serbia ia vendosën ndaj Rusisë.

Zeqiraj e kritikoi Ramën për sanksionet e vendosura ndaj shtetit të Rusisë, pasi sipas tij nuk kanë shumë peshë të madhe dhe janë rrjedhojë e marrëdhënieve me Vuçiqin.

"Shqipëria u solidarizua me botën demokratike, për ndëshkimin e Rusisë, përmes sanksioneve ekonomike. Ndërsa, Serbia e dënoi invazionin rus në Ukrainë dhe njohu sovranitetin e shtetit të Ukrainës. Dhe, këtë e dëshmoi me refuzimin e sanksioneve të plota, siç vepruan shumica absolute të shteteve të Evropës.

Megjithatë, Edvin Rama, bazuar në pranimin e sovranitetit të Ukrainës dhe disa sanksione anësore, dytësore, pa ndonjë peshë serioze, të bëra nga Serbia, për Rusinë, u mburrë me Serbinë, "e cila u rendit përkrah shteteve tjera demokratike të Evropës, në ndëshkimin e Rusisë"”, theksoi ai.

Më tej, publicisti tha se marrëdhënia Rama-Vuçiq është tejet e dyshimtë, marrë parasysh rrethanat armiqësore të Serbisë dhe Kosovës.

Më shumë se një herë reklamoi "rreshtimin e Serbisë përkrah shteteve perëndimore", duke arsyetuar se lidhjet tradicionale serbo-ruse, vështirësojnë, deri në pamundësi, vënien e plotë të sanksioneve për Rusinë. Një lidhje e tillë, më shumë se marrëdhënie fqinjësore, në rrethanat e një armiqësie ekstreme të Serbisë ndaj Kosovës, është sa paradoksale, aq edhe e dyshimtë”, nënvizoi Zeqiraj.

Po ashtu, ai përmendi edhe injorimin që Rama ia bëri ministres Gërvalla dhe sjelljen e tij në darkën e Borrellit me shtetet e rajonit ballkanik.

Sipas tij, strehimi i Ramës në krahët e Dodikut dhe Vuçiqit është mesazh se ai është kozmopolit, i shpëlarë nga ndjenjat kombëtare.

Një takim pune, që përfundoi me një darkë të përbashkët, të organizuar nga përfaqësuesi i BE-së, Borell, me shefat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, sjellja e kryeministrit shqiptar, Edvin Rama, la shije të hidhur. Ai nuk tregoi asnjë interes, për praninë e zëvendës-kryeministres të Kosovës, Donikë Gërvalla! Përkundrazi, Rama preferoi të "strehohet" në mes kryeministrit serb Vuçiq dhe shefit të serbëve të Bosnjës Dodik, i shpallur, zyrtarisht, -non grata - nga SHBA. Ishte një mesazh i qartë se ai është kozmopolit, i shpëlarë nga ndjenjat kombëtare”, konsideroi publicisti.

Ndër të tjera, Zeqiraj tha se Gërvalla e njeh shumë mirë Ramën dhe personat që e rrethojnë atë.

Përndryshe, Donikë Gërvalla, është bija krenare e heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla, dhe e njeh "si parën e kuqe", gilipterin Rama dhe lakejtë e tij socialistë, që e rrethojnë atë. Dhe, Rama hynë në atë kategorinë që populli shprehet pezhorativisht: "Edhe në veksh të pasulit me dh..., nuk i prehet dam"”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Mehmeti: Është turp për Shqipërinë që ka një kryeministër të tillë

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se kryeministri shqiptar, Rama ka një urrejtje ndaj Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Ai këtë e tha bazuar në veprimet dhe qëndrimet e tij politike, përfshirë afërsinë me presidentin serb.

Edi Rama ka urrejtje ndaj Kosovës, këtë gjë e ka dëshmuar qysh moti, nuk më befasojnë aspak veprimet e tij. Është e turpshme që Rama bën foto me Dodikun te shpallur non garata nga SHBA, kurse injoron zonjën Gërvalla dhe Qeverinë e Kosovës si të ishte qeveri armike e jo vëllazërore”, deklaroi analisti.

Sipas Mehmetit, kryeministri shqiptar është zëdhënës i Vuçiqit dhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës t’i dënojë këto veprime të Ramës.

Edi Rama është zëdhënës i Vuçiqit, njeriut që është direkt përgjegjës për masakrën e Srebrenicës dhe krimeve të tjera të kryera nga Millosheviqi. Duhet që urgjentisht Qeveria e Kosovës t’i dënojë këto veprime të Ramës, i cili ndaloi Kuvendin e Shqipërisë për të dënuar me rezolutë krimet e Serbisë në Bosnjë”, theksoi ai.

Në fund, analisti tha se është e turpshme që Shqipëria ka një kryeministër të tillë.

Të mohosh gjakun e mijëra njerëzve në atë masakër, për të qenë në shërbim të Vuçiqit, këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama, ky është turp për Shqipërinë që ka një kryeministër të tillë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat