Banesa për bandat kriminale serbe në veri të Mitrovicës / Shqiptarët kërkojnë zgjidhje nga Qeveria

Politika

Banesa për bandat kriminale serbe në veri të Mitrovicës / Shqiptarët kërkojnë zgjidhje nga Qeveria

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 19 maj 2022 Në ora: 08:27
Projekti ilegal "Lugina e diellit"

Pjesa veriore e Mitrovicës vazhdon të jetë njëra ndër plagët më të rënda të Kosovës së pasluftës.

Tash e sa vite në atë pjesë thuajse asgjë nuk frymon shqip. Mijëra shqiptarë u detyruan të shpërnguleshin nga shtëpitë e tyre gjatë, por ajo pjesë thuajse u zbraz pas luftës, pasi strukturat paralele e bandat kriminale i sulmuan, vranë, plagosën e rrahën, derisa i dëbuan rreth 14 mijë shqiptarë, në shkurtin e vitit 2000.

Ndonëse, Qeveria e Kosovës kishte filluar disa vite më parë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve të dëbuar nga Mitrovica, ky projekt ka disa vite që ka stagnuar.

Por, në këtë drejtim, duket se Serbia ka qenë më e “zonja”, ose më mirë të themi keq-udhëheqja 20 vjeçare e Kosovës i la hapësirë asaj të veprojë lirshëm.

Nisi me “Luginën e Diellit”

Kështu, fillimisht në Zveçan, komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe bënë projektin dhe ndërtuan 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”.

Madje, për këto ndërtime serbët nuk i pyetën fare institucionet e Republikës së Kosovës.

E serbët nuk u ndalën me kaq. Para syve të institucioneve të Kosovës dhe të shqiptarëve të pakët që kanë mbetur atje, kanë nisur ndërtimin e objekteve banesore, duke mos pyetur fare për shtetin e Kosovës.

Në fotografitë e siguruara nga gazeta “Bota sot”, shihen objektet banesore të ndërtuara për serbët në Lagjen e Boshnjakëve, derisa shtëpitë e shqiptarëve janë të pabanueshme!

Image
Serbët po ndërtojnë banesa në lagjen e boshnjakëve, kjo është një prej tyre

Gjaka: Serbia po vazhdon kolonizimin e Mitrovicës së veriut pa

Besnik Gjaka, kryetar i nëndegës së LDK-së në Mitrovicën veriore dhe master në shkenca kriminalistike, thotë për gazetën “Bota sot” se Qeveria nuk po i pengon serbët të ndërtojnë banesa në Lagjen e Boshnjakëve.

“Serbia po vazhdon kolonizimin e Mitrovicës së veriut pa pengesë nga Qeveria Kurti serbët po ndërtojnë banesa në lagjen e boshnjakeve lagje me e banuar me shqiptar, ndërsa shtëpitë e shqiptarëve të djegura gjatë luftës nuk ju lejohet t’i ndërtojnë kjo dëshmon që qeveria Kurti nuk ka interesim për veriun e Kosovës dhe në veçanti Mitrovicën e veriut ne banoret (rezident) jemi të zhgënjyer me qeveritë e Kosovës. Qeveria duhet të vendosë rendin kushtetues dhe ligjor. Nuk ka rrugë tjetër!”, thotë Gjaka për gazetën “Bota sot”, i cili vet jeton në lagjen e boshnjakëve.

Image
Shtëpitë e shqiptarëve kanë mbetur të shkatërruara që nga koha e luftës

Barani: Shtëpi për bandat kriminale serbe

Kurse, Halit Barani, kryetar i Këshillit Rajonal për të Drejtat e Njeriut në Komunën e Mitrovicës, thotë për gazetën “Bota sot” se Serbia këto objekte po i ndërton për bandat kriminale serbe që kanë kryer krime mbi popullatën shqiptare.

“Sa i përket ndërtimit të objekteve të larta nga ana e Serbisë, në pjesën e okupuar të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës. Në pjesën e okupuar të Mitrovicë-Kosovës, përkatësisht në lagjet “Kodra e Minatorëve, Lagja e Boshnjakëve dhe lagja “Kroi i Vitakut” Serbia ndërton shtëpi dhe objekte të larta 6, 7 e 8 katëshe dhe në to vendos banda kriminele, përkatësisht kriminel çetnik serbë, të cilët kanë kryer krime mbi popullatën jo serbe, përkatësisht shqiptare në mbarë Kosovën”, thekson Barani.

Nga ana tjetër, ai thekson se te “Kroi i Vitakut” janë 75 shtëpi të shqiptarëve që Serbia nuk i lejon shqiptarët që ti rindërtojnë shtëpitë, që ua ka djeg vetë ajo.

“Vetëm në lagjen “Kroi i Vitakut” janë 75 shtëpi të shqiptarëve ku Serbia nuk i lejon shqiptarët t`i rindërtojnë shtëpitë në trojet e veta, shtëpi këto që i dogjën dhe i rrënuan me themele kriminelët e lartpërmendur.

Po ashtu në lagjen “Ibri” kuarti i boshnjakëve, shqiptarët nuk lejohen të rindërtojnë shtëpitë, ndërsa shteti serb ngrit objekte të larta ku dhe si i teket, madje kisha serbe e ndërtuar vite më parë në lagjen “Kodra e Minatorëve” ku nuk kishte kurrë kishë dhe atë një pjesë e saj është e ngritur në prona të shqiptarëve”, potencon Barani.

Image
Objekt banesor në ndërtim e sipër nga serbët në lagjen e Boshnjakëve

Shteti i Kosovës nuk ka mundësi të ndërhyjë

Halit Barani thotë se shteti i Kosovës nuk e ka asnjë mundësi që të ndërhyjë në atë pjesë, dhe se premtimet e për veprime kanë mbetur vetëm fjalë boshe tash e 20 vjet.

“Sa i përket shtetit të Kosovës, matanë urës së lumit Ibër nuk ka mundësi absolutisht të ndërhyjë, sa e sa herë kanë deklaruar ministra të ndryshëm të Qeverisë së Kosovës se nuk do t`i lejojnë ndërtimet nga Serbia, por ato tash e 20 vite kanë mbetur vetëm fjalë sa për konsum ditor. Pra, në pjesën e okupuar të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës nuk frymon asgjë shqip, atje veprojnë të gjitha institucionet e Serbisë dhe ata vendosin kush, ku mund të ndërtoj shtëpi e objekte tjera”, ka përfunduar ai.

Vlen të theksohet se në vazhdimësi është raportuar se kolonizimi i veriut nuk po ndodhë me serbët rezident që kanë jetuar atje që nga paslufta, por me serbë banorë të rinj të Kosovës.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat