Misteri i kërcënimeve me bomba në Prishtinë / Paralajmërime për sulme të luftës speciale hibride?!

Politika

Misteri i kërcënimeve me bomba në Prishtinë / Paralajmërime për sulme të luftës speciale hibride?!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 20 maj 2022 Në ora: 08:01
Pamje nga shkolla e mesme të lartë “Xhevdet Doda” në kryeqytet

Pas disa kërcënimeve me bombë, të përsëritura muaj më parë, se do ta hidhnin në erë stacionin e autobusëve në Prishtinë, dhe një periudhe qetësie, alarmet për bomba janë kthyer.

Kërcënimi i fundit ishte të martën se ishte vendosur një bombë në shkollën e mesme të lartë “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Vetëm një ditë më parë u alarmua Prishtina, se Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të hidhej në erë. Në të dyja rastet kërcënimi ishte bërë nëpërmjet emaileve.

Policia e Kosovës ende nuk ka pohuar asgjë për origjinën, motive apo autorësinë e këtyre dy kërcënimeve.

Në rastet e kërcënimeve me bombë në stacion të autobusëve ato rezultuan se po bëheshin nga një serb në qytetin shqiptar të Bujanocit, që ndodhet në Kosovën Lindore.

Derisa, këto alarme dolën të jenë të rreme, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim. Policia, gjithashtu, nuk ka bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Ditë më parë është alarmuar Serbia dhe Mali i Zi, për sulme me bomba.

Ishte Mali i Zi shteti i parë në Ballkan që pranoi kërcënime për mjete shpërthyese nëpër institucione publike e private që nga fundi i muajit mars.

Atje u evakuuan nxënësit dhe personeli nga dy shkolla pas një e-maili kërcënues se ishin vendosur bomba.

Policia malazeze ka bërë të ditur se është konstatuar se emailet janë dërguar nga domenet, serverët e të cilëve ndodhen jashtë vendit dhe se po punohet për identifikimin e dërguesve.

Ekspertët e sigurisë, vlerësojnë se e gjithë kjo situatë ka për qëllim krijimin e frikës në gjitha këto shtete të rajonit të Ballkanit.

Tërnava: Kërcënimet për bomba, propagandë dhe frikësim

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një bashkëbisedim për gazetën “Bota sot”, thotë se të gjitha këto vijnë apo janë në një mënyrë si pasojë e luftës në Ukrainë nga agresioni rus, duke shtuar se e gjithë bota ka ndryshuar me luftën atje.

Image
Hajrullah Tërnava

Andaj edhe Ballkani është vend i përshtatshëm për luftëra të mundshme, duke e ditur se këto shtete të Ballkanit kufizohen me Serbinë, e që Serbia ka pretendime ndaj Kosovës dhe Bosnjës dhe të tjerëve, ashtu sikurse bëri duke zhvilluar luftëra të pandërprera nga Sllovenia në Kosovë, nga viti 1990-1999.

“Ukrainës po i qëndrojnë pranë shtete të tjera demokratike në krye me SHBA-të dhe shtete të tjera, dhe tani Rusia është në një situatë të palakmueshme sepse ajo ka llogaritë që Ukrainën do ta okupoj për një javë e që në realitet nuk ndodhi kjo, dhe Ukraina tani është në avantazhe e sipër si në armatim që po furnizohet nga shtetet mike, sikur e shpjegova si në ofrimin e mundësive të ndihmave ushqimore dhe të tjerave ndihma që janë të nevojshme gjatë luftës, kur popullata e tërë dëbohet me dhunë nga shteti i tyre, prandaj shtetet mike me shumë kontribute po i qëndrojnë pranë popullit të Ukrainës”, shpjegon ai.

Ai thotë se edhe alarmet për bomba në Serbi ishin propagandë, me qëllim presioni për Serbinë që të orientohet kah shtetet demokratike, sepse ajo qëndron përkrah Rusisë.

Derisa për alarmet me bomba në vendin tonë, janë gjithashtu propagandë, por që vijnë nga shërbimet sekrete dhe jo mike me Kosovën.

Edhe në Kosovë tani po zhvillohet një propagandë e tillë nga njerëz të ndryshëm, e sidomos ata të cilët në mënyrë sekrete janë të lidhur me shërbimet jo mike të huaja, dhe e shqetësojnë popullin në këto trevat tona, që marr në tërësi po e kanë efektin negativ sepse po duhet një kohë e tërë deri në verifikimin e gjendjes faktike po duhet një angazhim i tërë. Kjo mënyrë e shqetësimit është një luftë speciale ndaj vendeve që janë në marrëdhënie jo të mira dhe armiqësore me Serbinë, për t’ia arritur qëllimit të shqetësimit të masës së popullatës, te e cila mund të arrihet edhe një efekt që të shpërngulen popullata e tërë në shtete tjera të Evropës apo edhe më larg”, thotë ai.

Në fund, eksperti shton se këto turbulenca kanë për qëllim pasigurinë dhe shpërnguljen e popullit nga vendi i tyre.

Të gjitha gjasat janë se këto turbulenca i shkaktojnë armiqtë tonë ndaj shtetit tonë për të vetmin qëllim që të fusin pasiguri në mesin e popullatës sonë dhe shpërnguljes. Nëse po ndodhin turbulenca të tilla në Serbi, lehtë është për të konstatuar se turbulenca të tilla ndodhin edhe në shtetin tonë si pjesë e luftërave speciale, prandaj dyshimet e çrregullimit të situatës së sigurisë a mos është si produkt i grupeve të pakënaqura me gjykatën speciale, nuk mund të ketë baza të këtyre shqetësimeve në këtë kohë të paraluftës, sepse gjyqi special tash e sa vite është duke e kryer punën e tij pa pengesa, dhe ky gjyq është krijuar nga vet parlamentarët e Kosovës për qëllime tani të njohura për opinionin, e sidomos kur tani e më shumë se një vit ky gjyq është duke e kryer punën e tij në mënyrë permanente, për të cilën opinioni është i njoftuar”, përfundon eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Shala: Me këto kërcënime lindin dyshimet e një lufte speciale hibride

Drizan Shala thotë se këto dyshime për bomba duhet të heton mirë dhe të shikohen edhe alarmet për bomba më herët te stacioni i autobusëve.

Image
Drizan Shala

Alarmet në dy ditët e fundit mbi dyshimin që ekziston mjet eksploziv (bombë) në dy institucione arimore, atë të Rektoratit si dhe në një shkollë në kryeqytet paraqet një situatë me të cilën duhet që sa më parë organet e sigurisë të gjejnë autorin/autorët e këtyre mesazheve. Sepse në aspektin e sigurisë nëse analizohet me vëmendje mund të vërehet një mozaik tejet interesant që njësit relevante duhet të merren me këtë, duke shikuar se a kanë lidhje 5 thirrjet për bombë në stacion të autobusëve, me dy thirrjet e fundit që kemi hasur këto ditë. Se si janë realizuar këto kërcënime përmes postës elektronike apo thirrjeve telefonike nëse është e para atëherë të vihen në ndjekje përmes krimeve kibernetike, të lokalizohet se në cilën IP adresë është lidhur e-maili dhe kështu të dihet se kush qëndron dhe çfarë motive mund të ketë autori/autorët të këtyre kërcënimeve”, sqaron Shala.

Tutje Shala, deklaron se duhet të shikohen edhe këto alarme, a ndërlidhen mes vete, pasi që kishte alarme të tilla në Serbi e Mal të Zi.

Ai paralajmëron se nëse në javë të ardhshme të njëjtat kërcënime ndodhin në Maqedoni dhe Bosnjë, atëherë lindin dyshimet e një lufte speciale hibride, e cila ka për synim krijimin e frikës në gjitha këto shtete të rajonit të Ballkanit.

Në këto ditë të fundit kemi hasur në kërcënime të tilla edhe në Malin e Zi, aty ku është dhënë alarmi në 41 shkolla fillore për bombë, gjithashtu edhe në Beograd patëm raste të tilla të ngjashme ku ishin kërcënuar 22 shkolla. Pra, institucionet relevante duhet që të shkëmbejnë informacione se mos kanë lidhje vertikale apo horizontale këto veprime në Malin e Zi dhe Serbi me Kosovën, si dhe të shikohet edhe se a po ka kërcënime në ditët dhe javët në vijim në Maqedoninë e Veriut si dhe në Bosnje, dhe atëherë nëse kjo ndodhë, këtu kemi të bëjmë me dyshime të një lufte speciale hibride, e cila ka për synim krijimin e frikës në të gjitha këto shtete të rajonit të Ballkanit.

Mund të themi që mekanizimi i sigurisë ka marr gjitha veprimet e nevojshme operacionale për këto kërcënime, të cilat janë serioze për sigurinë e përgjithshme të vendit duke punuar intensivisht në gjetjen e provave reale”, përfundon Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat