“Edi Rama e ‘keqja’ e shqiptarëve”/ Kjo është ‘arma’ e vetme e Kosovës ndaj mikut të Vuçiqit!

Politika

“Edi Rama e ‘keqja’ e shqiptarëve”/ Kjo është ‘arma’ e vetme e Kosovës ndaj mikut të Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 20 maj 2022 Në ora: 22:06
Edi Rama - Foto ilustrim "Bota sot"

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka qenë cak i kritikave kohëve të fundit, pas deklaratave dhe qëndrimeve të tij politike.

Së fundi, Rama kundërshtoi rezolutën për gjenocid në Srebrenicë, gjë e cila ngjalli reagime të shumta.

Sikur të mos mjaftonte kjo, kryeministri i Shqipërisë u shfaq në një darkë formale të BE-së, krah për krah me Dodikun dhe Vuçiqin, ku e injoroi tërësisht ministren Donika Gërvallën.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” tha se dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria janë në hall të madh nga veprimet e Ramës dhe ballafaqimi me të është sfidë në vete.

Ai tha se për këto veprime të kryeministrit të Shqipërisë nuk po ndërmerr asgjë bashkësia ndërkombëtare.

“Pyetja-dilemë, e shtruar se çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe Kosova që ta ndalë Ramën, vërtet, janë në hall të madh dhe sfidë, që duhet përballur. E keqja e madhe është qëndrimi i gjatë i Ramës në pushtet. Kjo ka mundësuar që ai të abuzojë me pushtetin; ta krijojë bandën e oligarkëve, me favore të drejtëpërdrejta nga shteti, të cilët kanë qenë vendimtarë në mbajtjen e Ramës në pushtet, për të tretin mandat radhazi!

Mbështetja blanko, e pakontrolluar dhe, pothuajse, kriminale, e ndërkombëtarëve për Edvin Ramën, për qëllimet e tyre, për ta favorizuar Serbinë, në dialog me Kosovën, rrënoi opozitën shqiptare. Ndërkombëtarët "heshtën si peshqit", kur Rama, duke përdorur "diktaturën e numrave", si mazhorancë absolute, e eliminoi, deri në përjashtim, opozitën në Shqipëri”, deklaroi publicsti.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Po ashtu, Zeqiraj ngriti dyshime mbi shpalljen non-grata të Sali Berishës dhe potencoi se ky ‘ndëshkim’ i erdhi nga mafiozët Rama dhe Soros.

“Për habi, edhe tani, kur filloi konsolidimi i opozitës, me intrigimet e Ramës dhe të miliarderit majtist, Soros, lideri klasik i së djathtës shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha, shpallet person "non grata" familjarisht! Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, i pyetur nëse është i korruptuar Sali Berisha, ai jepë një përgjigje domëthënëse diplomatike: "Po e di se sa i pasur është Dr. Berisha, ka dy dhoma e një kuzhinë"! Më qartë dhe më bindshëm, nuk ka se si shpjegohet ndëshkimi politik, manipulant e intrigues të Dr. Berishës, nga mafiozi Rama me Sorosin dhe të sorosëve të tjerë!

Ndërkombëtarët, me gjithë argumentimet e bollshme, se në Durrës e Tiranë, u praktikua për herë të parë makro-dallaverja, me blerjen e votave përmes patronazhistëve, e heshtën rastin. Për këtë u shpërndanë 200 milionë dollarë dhe u sigurua fitorja e bujëshme e Partisë Socialiste”, theksoi ai.

Në vazhdim, publicisti tha se morali në politikën shqiptare ka rënë në pikën më të ulët

Ai foli edhe për raportet Kosovë-Shqipëri.

“Morali politik shqiptar, ka rënë në pikën më të ulët të mundshme. Shqiptarët kanë gjetur rrugën më të lehtë - ikjen nga Shqipëria! Ndërkohë që duhej ta bënin të kundërtën, kundërshtinë dhe rezistencën e organizuar, për ta refuzuar qeverisjen e mëtejmë, të kësaj qeverie kriminale, e cila ka droguar anepërtej Shqipërinë.

Përsa i përket Kosovës, raporti me social-komunistët e Shqipërisë, ka qenë i ndarë, që nga nisma e pluralizmit politik. LPK-ja e djeshme, përkatësisht, PAN-i i sotëm, ka qenë dhe mbetët me Lindjen, ndërsa LDK-ja, me Rugovën në ballë, ka qenë dhe mbeti me Perëndimin”, nënvizoi Zeqiraj.

Krahas kësaj, përmendi edhe raporton e partive, LDK dhe PS.

Ai kundërshtoi takimin e Ramës dhe Abdixhikut dhe tha se ky është një gabim i kryetarit të LDK-së, pasi po e rehabiliton përçarësin më të mëdha të shqiptarëve.

“LDK-ja për tri dekada radhazi, ka mbajtur një distancë përmanente me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Gjatë-lufta ka thelluar distancë, sepse Tirana zyrtare ka sabotuar, fillimisht, Luftën në Kosovë dhe donin statusquonë. Dëshmi vetëfolëse është edhe ekzekutimi zyrtar i ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, si dhe disa vrasje të ushtarakëve dhe të veprimtarëve të LDK-së, brenda territorit të Shqipërisë.

Për çudë, vitin e shkuar LDK-ja e theu heshtjen në komunikimin me Partinë Socialiste, duke e pritur kryetarin e saj, Edvin Ramën, vitin e shkuar, në selinë e LDK-së. Dhe, kësaj pranvere, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku shkoi në selin e PS-së në Tiranë. Ky këmbim vizitash, mendoj se përbën fajësi, sepse rehabiliton Ramën, përçarësin më të madh të shqiptarëve, duke shkatërruar komplet pluralizmin shqiptar”, vlerësoi publicisti.

Më tej, Zeqiraj potencoi se arma e vetme ndaj Ramës është bojkotimi i tij, pasi është jashtë çdo logjike armiqësia ndaj opozitës shqiptare dhe afërisa me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“E vetmja armë e Kosovës është bojkoti karshi Edvin Ramës dhe të subjektit të tij politik. Është jashtë çdo logjike, ndërkohë, që Edvin Rama është shumë më armiqësor ndaj opozitës vendore, e rrast miqësor me Vuçiqin serb! Atëherë, pse u dashka LDK-ja ta amnestojë Ramën, për krimin e bërë ndaj opozitës shqiptare, edhe pse ai nuk ka kërkuar falje asnjëherë, për rrënimin e pluralizmit dhe kthimin e Shqipërisë në monizëm, duke arritur këtë, përmes abuzimit me buxhetin shtetëror”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, publicisti tha se nuk duhet të heshtet ndaj veprimeve të dëmshme të Ramës dhe kërkoi nga Kosova të mos bëhen lëshime.

“Kosova nuk duhet t`i heshtë batakçillëqet e Edvin Ramës, në dëm të Shqipërisë dhe të Kosovës. Mospajtimet janë parimore dhe si të tilla, duhet këmbëngulur, të mos i bëhen lëshime dhe aq më pak me partinë e tij, fort e inkriminuar. Marrëdhëniet tjera institucionale e tregtare, mund të bëhen nëpërmjet dikastereve përkatëse ministrore e biznesore.

Kryeministri kontravers shqiptar Rama, është i paparashikueshëm, në çmendurinë e tij. Në Evropë, pas gjenocidit të nazizmit, kundër hebrejve, nuk ka rast ndërmjetës tjetër, deri ke Srebrenica e Bosnjes. Dhe, deri sa nuk e dënoi gjenocidin ndaj popullit boshnjak, pse të mos dyshojmë se njëjtë do të vepronte me Kosovën?!

Latini i lashtë do të thërriste: "O tempora, o mores"! (O kohë, o zakone)!”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat