Kujt po i pengojnë dëshmitarët!?/ Aktgjykimi i Haradinajt dhe Gucatit nuk lidhet me UÇK-në – ja pse ishte ai vendim

Politika

Kujt po i pengojnë dëshmitarët!?/ Aktgjykimi i Haradinajt dhe Gucatit nuk lidhet me UÇK-në – ja pse ishte ai vendim

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 maj 2022 Në ora: 08:00
Hysni Gucati dhe Nasim Haraidnaj

Më 18 maj në Gjykatën Speciale u mbajt seanca gjyqësor lidhur me rastin e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) Hysni Gucati dhe nënkryetarit të organizatës Nasim Haradinaj.

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020, ku afërsisht e kanë përfunduar gjysmën e dënimit të shpallur nga gjykata.

"Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Megjithatë, ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit kanë bërë të ditur se do ta apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

E vendimi që shpalli fajtorë udhëheqësit e OVL-së, nxiti reagime të shumta.

E më të zëshmit, ishin pikërisht deputetët e partive, të cilat me ngulm kërkuan krijimin e Gjykatës Speciale.

Për ironi, këta të fundit po akuzojnë qeverinë aktuale se nuk po bën mjaftueshëm për të akuzuarit në Hagë dhe po kërkojnë nga ajo që ta zhbëj këtë gjykatë.

Kurse, kujtojmë se ishte pikërisht Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin që aso kohe kundërshtuan fuqishëm votimin e speciales dhe i paralajmëruan udhëheqësit e atëhershëm.

Musliu: Ky Aktgjykim ishte si pasojë e veprimeve të kundërligjshme të Haradinajt dhe Gucatit

Image
Skënder Musliu

 

Ndërsa, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për “Bota sot” komentoi vendimin e shpallur ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Ai tha se ky vendim ishte paralajmëruar edhe më parë dhe erdhi si pasojë e veprimeve të kundërligjshme të të dënuarve. Sipas tij, Haradinaj e Gucati i kanë vënë në rrezik dëshmitarët e speciales përmes publikimit të materialeve.

“Ashtu siç ishte paralajmëruar, me 18 maj 2022, Trupi Gjykues i shkallës së parw i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, shpalli Aktgjykimin ndej Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit duke i shpallur fajtor dhe duke i dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 4 vite e gjysmë për secilin dhe me gjobë prej 100 eurove, duke e llogaritur edhe kohën e paraburgimit në Hagë, edhe pse Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar dënim efektiv prej 6 viteve.

Ky aktgjykim ishte si pasojë e veprimeve të kundërligjshme të Haradinajt dhe Gucatit, të cilët gjatë muajit shtator të vitit 2020, publikuan materiale të klasifikuara dhe konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale dhe Prokurorisë Speciale. Të dënuarit kishin organizuar disa konferenca për shtyp, duke fotokopjuar dhe shpërndarë materiale dhe duke i postuar ato nëpër rrjetet sociale, me çka kanë ndërhyrë rëndë në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve të Hagës. Kështu, me apo pa vetëdije Haradinaj dhe Gucati kanë vënë në rrezik dëshmitarët eventual duke ia zbuluar identitetin dhe shënimet e tyre personale, madje duke i quajtur ata si «spiunw», «bashkwpuntorë të UDB-ës», dhe «shqipëfolws». Këto veprime të qëllimshme kanë shërbyer si mjet për komprometimin e procesit gjyqësor, dhe denigrimin e Gjykatës Speciale”, deklaroi juristi.

Mirëpo, Musliu u befasua me urrejtjen ndaj dëshmitarëve të speciales, kur në Hagë janë personat që akuzohen për vrasje të shqiptarëve, kryesisht kundërshtarëve të tyre politik.

Ai vlerëson se dëshmitarët po iu pengojnë kriminelëve, të cilët likuiduan njerëzit më të mirë të Kosovës.

“Por, pse e gjithë kjo urrejtje dhe frikësime të dëshmitarëve, kur dihet se personat që gjinden në Hagë akuzohen për qindra vrasje të shqiptarëve, vetëm se ata ishin kundërshtar politikë, për vrasjet e shumë ushtarakëve të FARK-ut, për likuidimet e dëshmitarëve dhe frikësimin e familjarëve të tyre, prishjen e provave, etj.

Që nga paslufta familjarët e të vrarëve dhe qytetarët e Kosovës, vazhdimisht kanë kërkuar drejtësi për viktimat, atëherë pse të stigmatizohen dëshmitarët, madje ata janë më se të nevojshëm për një proces gjyqësor të drejtë, transparent, të barabartë dhe profesional.

Kujt po i pengojnë dëshmitarët!? Ata mund t’i pengojnë vetëm kriminelëve, të cilët likuiduan njerëzit më të devotshëm të Kosovës. Të akuzuarit në Hagë, nuk janë atje se ata ishin pjesë e UÇK-ës, por sepse Prokuroria Speciale pretendon se ata janë përgjegjës për vrasjet që kanë ndodhur”, theksoi ai.

Ata kanë konsumuar veprën penale

Krahas kësaj, juristi vlerëson se aktgjykimi i drejtuesve të OVL-së nuk duhet të ndërlidhet me UÇK-në, sepse nuk kanë fare lidhje mes vete. Ai kritikoi edhe analistët e studiove televizive që tentojnë t’i arsyetojnë Gucatin dhe Haradinajn pa kurrfarë baze juridike.

“Nuk është e moralshme që Aktgjykimi në rastin e Haradinajt dhe Gucatit të ndërlidhet me UÇK-në, sepse kjo nuk ka të bëjë fare me UÇK-ën, kjo është një çështje puro juridike, sepse ata kanë konsumuar veprën penale ndërhyrje në procesin gjyqësor që ndërlidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë, prandaj nuk qëndrojnë pretendimet se ky qenka një proces politik kundër UÇK-ës.

Gjykata Speciale nuk është sikurse gjykatat e rregullta të Kosovës, kur dëshmitarët maltretoheshin dhe vriteshin, prishnin provat, frikësoheshin gjyqtarët dhe prokurorët, kur drejtësia e Kosovës ishte e kapur dhe në shërbim të mafies politike dhe askush nuk përgjigjej. Po ashtu nuk është e drejtë që nëpër studio të ndryshme televizive të politizohet rasti i Haradinajt dhe Gucatit duke u munduar që veprimet e tyre të arsyetohen pa kurrfarë baze juridike”, potencoi Musliu.

“Që nga fillimi i këtij procesi, është ditur se është proces i duhur dhe i drejtë, që nuk mund të kontestohet juridikisht përmbajtja".

Në vazhdim, ai përmendi rastin kur Selim Selimi i mbrojti udhëheqësit e OVL-së, kinse këta të fundit nuk e kanë ditur që kanë qenë dokumente të klasifikuara.

Juristi e kritikoi ish-ministrin, të cilin e cilësoi amatoresk dhe të gabueshëm.

“Në këtë kontekst do të përmendi vetëm një shembull, në emisionin Debat plus të datës 18 maj 2022, ish-ministri i drejtësisë i Qeverisë së Kosovës, Selim Selimi u mundua t’i mbrojë dhe arsyetojë veprimet e kundërligjshme të Haradinajt dhe Gucatit, me pretendimet se këta me publikimet e dokumenteve të klasifikuara kanë dashur ta mbrojnë UÇK-ën, se ata nuk kanë ditur se qenkan të dënueshme këto publikime, se qëllimin e kanë pasur ta diskreditojnë gjykatën speciale dhe nuk a paskan ditur se kanë qenë dokumente të klasifikuara. Mirëpo, ky ish-ministër duhet ta dijë se si njëra ashtu edhe tjetra, janë të dënueshme me ligj, atëherë pse ai i arsyeton. Ky diskurs i ish-ministrit është amatoresk, i gabueshëm dhe i papranueshëm. Në vend që ai ta jep mendimin e tij profesional juridik dhe shpjegime pragmatike, ai bën fushatë parazgjedhore për poena politik dhe manipulim me opinion duke plasuar shpjegime që nuk qëndrojnë aspak, së paku nga aspekti juridik, që edhe ai vet e dinë”, vlerësoi ai.

Më tej, Musliu potencoi se shpërndarja e materialeve të speciales nuk ka ndodhur rastësisht, ishte veprim i paramenduar.

“Gjykoj se bërja publike dhe shpërndarja e materialeve të klasifikuara të Prokurorisë Speciale, nuk ka ndodhur rastësisht, bëhet fjalë për një veprim të paramenduar, mirë të organizuar «nga lartë» dhe me qëllim të caktuar, respektivisht ta deskreditojnë Gjykatën Speciale, ta komprometojë procesin gjyqësor, t’i frikësoj dëshmitarët me qëllim që të dështojë kjo gjykatë. Mirëpo, kjo sjellje u tregua kundërproduktive, ku Gucati dhe Haradinaj ishin ekzekutorë dhe viktima.

Aktgjykimi në fjalë është i shkallës së parë, jo, i formës së prerë, prandaj të dënuarit kanë drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit pranë Dhomave të Specializuara, në afat prej 15 ditësh”.

Në fund, ai tha se ky është proces i duhur dhe i drejtë dhe nuk mund të kontestohet përmbajtja e tij juridike.

Mirëpo, juristi paralajmëroi se Haradinajt dhe Gucatit mund t’iu ulet dënimi.

“Që nga fillimi i këtij procesi, është ditur se është proces i duhur dhe i drejtë, që nuk mund të kontestohet juridikisht përmbajtja. Ajo çka mund të jetë diskutabile, është lartësia e dënimit, sepse sipas mendimit tim, është paksa i lartë, prandaj besoj se në shkallën e Apelit, ky dënim mund dhe duhet të ulet.

Dëmet më të madha që mund t’i shkaktohen proceseve të ardhshme gjyqësore në Hagë, janë politizimet e skajshme nëpër debate televizive, ku çdo gjë lidhet me UÇK-ën, duke e keqpërdorë dhe manipuluar atë për qëllime dhe përfitime politike, prandaj gjykimet duhet shikuar dhe trajtuar vetëm si procese juridike dhe të drejtësisë”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Burjani: Dënimet e para të shqiptuara lënë për të kuptuar se do të jetë vështirë për të gjithë të akuzuarit

Image
Blerim Burjani

 

Kurse, juristi tjetër, Blerim Burjani procesin gjyqësor të Haradinajt dhe Gucatit e vlerësoi si të komplikuar.

Megjithatë, ai në prononcimin e tij për “Bota sot” beson përmes ankesës juridike, dënimi mund t’iu reduktohet deri në një vit.

“Të komplikuar, me mundësi ankimimi në shkallë të dytë, me mundësi të larta për reduktimin e dënimit deri në një vit në shkallën e dytë, pra prokuroria e ka arrit qëllimin e vet, apo synimin e pretenduar”, deklaroi juristi.

Ndër të tjera, ai tha se këto dënime lënë të kuptohet se një situatë edhe më e pafavorshme i pret të akuzuarit tjerë në Hagë.

“Dënimet e para të shqiptuara lënë për të kuptuar se do të jetë vështirë për të gjithë të akuzuarit dhe se mundësia e dëshmimit të pafajësisë është e komplikuar, asgjë në situatë më të mirë nuk janë të akuzuarit e tjerë nga kjo gjykatë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat