“Të përfshira edhe vrasjet pas vitit 2000”/ Jack Smith me prova të reja për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin

Politika

“Të përfshira edhe vrasjet pas vitit 2000”/ Jack Smith me prova të reja për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin

Nga: P.R Më: 21 maj 2022 Në ora: 21:04
Jack Smith, ka paraqitur një akuzë të zgjeruar për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, ka paraqitur një akuzë të zgjeruar për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

Në aktakuzën e zgjeruar, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi akuzohen për vrasje, krime lufte e torturë edhe në Budakovë, Gjilan e Semetishtë.

“Anëtarët e UÇK-së arrestuan të paktën 12 persona pa ndonjë proces ligjor duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë dhe Senetishtë disa herë rreth 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999. Në fund të korrikut të 1999, një persona u mor me dhunë nga vendi i tij i punës dhe u dërgua në konviktin në Gjilan. Në konvikt atij iu morën çelësat dhe kartat e identitetit dhe i prishën patentën. I njëjti person u mbajt në bodrum, nën mbikëqyrje ndërsa duart i kishte të lidhura. Nuk iu tregua për arsyet e mbajtjes dhe arrestimit të tij dhe nuk u akuzua për krim”, thuhet në aktakuzën e zgjeruar.

Lidhur për zgjerimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

Sipas tij, deri tek kjo ka ardhur pasi Gjykata Speciale ka siguruar prova të reja ndaj të akuzuarve.

“Zgjerimi i aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, e Selimit, duhet parë si diçka normale në një proces gjyqësor që po mbahet në Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, ku ky zgjerim aktakuzave vije si rezultat i provave të reja që ka siguruar prokuroria”, thotë Haziri.

Në këtë zgjerim të aktakuzës, sipas Hazirit do të përfshihen edhe vrasjet që kanë ndodhur pas vitit 2000, pasi fillimisht nën juridiksionin e Speciales ishin krimet e kryera nga vitit 1998 deri në vitin 2000.

“Natyrisht se me këtë zgjerim të akuzës është si rezultat i zgjerimit të hetimeve të prokurorisë speciale përtej periudhës së caktuar që ishte vitit 98-2000, e që përfshinë edhe vrasjet politike pas periudhës së luftës, ku prokuroria është mbështetur në dëshmi të shumta që i ka siguruar, dëshmi këto që janë kredibile, e që në fakt e ka shtyrë prokurorinë për zgjerim të aktakuzës”, thekson analisti Haziri.

Më tej, ai thotë se Gjykata Speciale ka prova të mjaftueshme që të akuzuarit të shpallen fajtor për vrasjet politike.

“Ky zgjerim i aktakuzës po ashtu do të ndikojë edhe në zgjatjen e procesit të gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, dhe si do të përfundoj do të duhet ta presim deri në fund, nëse prokuroria arrin që ta bindë gjykatën me argumentet dhe dëshmitë e saja ndaj të akuzuarve e, e që unë besoj se për shumicën e rasteve, sidomos të vrasjeve politike gjatë pas periudhës së luftës, prokuroria do të arrijë t’i dëshmoj me prova dhe argument të mjaftueshme”, deklaron Haziri.

“Dhe ky vendim, nuk është vendim politik, e as i nxitur si përgjigje ndaj akuzës së fundit e ish-senatorit Dik Marti ndaj Serbisë për planifikimin e kësaj të fundit për vrasjen e tij dhe më pas fajësimin e shqiptarëve”, shprehet Haziri.

Për fund, ai ka paralajmëruar se priten arrestime të reja të Speciales në Kosovë, por nuk ka dhënë emra.

“Pra me këtë zgjerim të aktakuzës, po dëshmohet se Gjykata Speciale është e vendosur për të sjellë drejtësi në Kosovë, dhe në këtë drejtim duhet parë edhe informatat që vijnë nga Haga, se në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm pritet te ketë arrestime të reja, të së paku 10 personave, ish eksponent të UÇK-së”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

Kujtojmë se gjatë kësaj jave, Gjykata Speciale ka dënuar personat e parë më burg. Kanë qenë ish-drejtuesit e organizatës së veteranëve të ish-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim të mërkurën, pasi u akuzuan për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat