Çka mund të fitojë Kosova nga korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi?!

Politika

Çka mund të fitojë Kosova nga korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi?!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 maj 2022 Në ora: 15:04
Foto ilustrim simboli shtetëror i Kosovës dhe simboli shtetëror i Malit të

Ishte Ramush Haradinaj kryeministër në kohën kur u miratua marrëveshja me Malin e Zi, për demarkacionin. Haradinaj përpara kësaj ishte më i zëshmi kundër një miratimi të tillë për shkak se Kosova humbte disa hektarë tokë, e që një gjë të tillë pasi erdhi në pushtet vet e realizoi.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq qëndroi këtë javë për vizitë në Kosovë. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ai u takua me liderë të Kosovës.

Një ndër temat për të cilat foli presidenti malazez ishte, demarkimi i kufirit, përkatësisht mundësia e korrigjimit të tij.

Ai e ka lënë të hapur mundësinë për korrigjimin e kufirit.

Image
Presidentja Osmani dhe Presidenti Gjukanoviç gjatë takimit në Prishtinë

Gjatë një interviste për një medium vendor, Gjukanoviqi kishte thënë se ka thënë se marrëveshja për demarkacionin është mbyllur, por sipas tij, ekziston mundësia që gjatë punës së Komisionit të Përbashkët në terren të korrigjohen disa gjëra.

“Mali i Zi ka një politikë shtetërore serioze. Që në vitin 2015 në Vjenë në Samitin e procesit të Berlinit është nënshkruar një marrëveshje mes Malit të Zi dhe Kosovës për demarkacionin e kufirit. Gjithashtu dua të ju rikujtoj se Mali i Zi është vendi i vetëm nga territori i ish-Jugosllavisë që ka nënshkruar dy marrëveshje ndërshtetërore për demarkacionin, një me Kosovën dhe një me Bosnje e Hercegovinën, kështu që ne i shqyrtojmë me shumë seriozitet çështjet e hapura që kanë mbetur nga disolucioni i Jugosllavisë dhe mundohemi që në bashkëpunim me vendet e tjera dhe fqinjët tanë t’i zgjedhim çështjet që na hapen ndërkohë. Një nga këto çështje është edhe ajo e demarkacionit”, kishte deklaruar Gjukanoviq.

Por, gjatë vizitën në Prishtinë, ai u tregua shumë më i çiltër dhe më i sinqertë duke ofruar më shumë mundësi.

Gjukanoviq, pas takimi me presidenten Vjosa Osmani, tha se nëpërmjet punës së Komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojnë kushtet e domosdoshme për korrigjime.

“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme. Ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar. Përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”, ka thënë ai.

Demarkacioni në Kuvend është miratuar më 21 mars të vitit 2018.

Analistët për këtë temë kanë shprehur qëndrimet e tyre.

Mulliqi: Çështja e kufirit më Mal të Zi ka mundësi shumë të vogla të kthehet në pikën zero

Image
Skender Mulliqi

Lidhur me këtë analisti Skënder Mulliqi kjo çfarë i është bërë Kosovës më 2015 është dëmi më i madh që nga paslufta.

Ai fajin për këtë ia hedh ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili atë kohë kishte nënshkruar një marrëveshje të tillë, e aprovuar pastaj nga parlamenti më 21 mars 2018.

Demarkacioni me Malin e Zi, ka qenë dëmi më i madh që i është bërë Kosovës së pas luftës. U humbën 8.200 hektarë tokë, nga personat e papërgjegjshëm politik, në emër të do kauzave të rreme. Marrëveshja e aprovuar ishte ajo e vitit 2015 e firmosur nga Isa Mustafa në Vjenë, në Samitin e procesit të Berlinit ku është nënshkruar marrëveshja në mes të Malit të Zi dhe Kosovës për demarkacionin e kufirit. Ka ndodhur më pastaj një lloj marrëveshje shtesë për korrigjim ndërmjet palës të Kosovës dhe të Malit të Zi, përkatësisht ish-presidentit Thaçia dhe Gjukanoviçit. Mustafa praktikisht ka pranuar të gjitha ato marrëveshje të bëra”, shpjegon Mulliqi.

Por tani situata është ndryshe, sepse në Mal të Zi kemi krerët me qëndrime të ndryshme sa i përket kësaj çështje.

Sipas tij, çështja e kufirit me Malin e Zi ka shumë pak gjasa të kthehet në pikën zero.

“Dy krerët e shtetit të Malit të Zi, presidenti Milo Gjukanoviq dhe kryeministri Dritan Abazoviq kanë shprehur qëndrime të kundërta mes vete për dy tema të rëndësishme, që lidhen me Kosovën. Marrëveshja për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe projekti “Ballkani i Hapur”. Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç para mediave dhe në një intervistë për televizionin publik, e ka lënë të hapur mundësinë e korrigjimit jo në plotëni të kufirit Kosovë – Mali i Zi, në vizitën që e pati në Prishtinë. Ai tha se marrëveshja për demarkacionin është arritur, por që ekziston mundësia që gjatë punës së Komisioneve të Përbashkëta në terren të korrigjohen disa gjera. Kështu edhe duhet kuptuar një deklarim i tillë, pa manipulime më opinionin se çështja e kufirit më Mal të Zi, ka mundësi shumë të vogla të kthehet në pikën zero”, ka deklaruar ai.

Ai e sheh të vështirë këtë mundësi për të cilën thotë se është miratuar nga dy parlamentet, si ai në Kosova po ashtu edhe ai në Mal të Zi.

“Gjukanoviqi ka rikujtuar gjithashtu se dy presidentët Vujanoviç dhe Thaçi në vitin 2018 e kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, sipas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje, me mundësi të ndonjë korrigjimi teknik. Vështirë do të jetë që pala malazeze të pranojë që të ndryshohet marrëveshja për demarkacionin e miratuar në të dyja parlamentet, atë të Kosovës dhe të Malit të Zi. Dëmi që i është shkaktuar me këtë rast vendit nga pala jonë, është vështirë i riparueshëm. Korrigjim të fazës fillestare të vijës së demarkimit me gjithë dëshirat tona, vështirë që do të ndodhë. Proceset e tilla që marrin edhe karakter ndërkombëtar, zor që kthehen mbrapa, dhe vështirë se do të pranojë Mali i Zi, nisur edhe nga deklarimi i kryeministrit të ri të këtij shteti, Dritan Abazoviqit, se kjo çështje ka marr fund. Por, tek e fundit më mirë është një rishikim edhe i vogël i kufirit ndërmjet dy shteteve fqinje, se mos të ndodhë kjo fare”, nënvizoi Mulliq për “Bota sot”.

Duhanaj: Kosova humbi në të dyja anët

Image
Leon Duhanaj

 

Analisti Leon Duhanaj për “Bota sot” thotë se edhe pse kjo temë është e politizuar dhe është përdor për agjenda elektorale, Mali i Zi është pozicionuar si aleat i Kosovës para shpalljes së Pavarësisë dhe pas Shpalljes së saj.

“Si shumë tema të tjera, të cilat politizohen skajshmërisht për t'u shfrytëzuar për agjenda të politikës ditore, edhe çështja e demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është politizuar dhe përdorur për agjenda elektorale. Kosova asnjëherë nuk ka pasur probleme me Malin e Zi si shtet jashtë ish-Jugosllavisë. Madje edhe pavarësia dhe ndarja e Malit të Zi nga krijesa Jugosllavi, ka qenë element goxha vendimtar, i cili i ka paraprirë vetë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sepse me ndarjen e Malit të Zi, krijesa Jugosllavi u shpërbë përfundimisht e bashkë me të edhe të ashtuquajturat argumente serbe për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial jugosllav. Pra Mali i Zi, është pozicionuar si aleat i Kosovës edhe para shpalljes së Pavarësisë dhe pas shpalljes së saj”, thotë ai.

Sipas tij, lëshimet, të cilat janë bërë, nuk kanë qenë të qëllimshme nga asnjëra palë.

“Nëse kanë ndodhur lëshime eventuale nuk besoj që këto kanë qenë si pasojë e ndonjë synimi apo keqpërdorimi nga asnjëra palë. Por, as nuk është dashtë të keqpërdorën nga opozita e atëhershme kosovare. Sepse ishte një moment tejet i rëndësishëm për interesa strategjike të NATO-s dhe zgjerimin e saj në Mal të Zi”, deklaron Duhanaj.

Më tej, shton se korrigjimi i kufirit është për tu përshëndetur dhe mbase mund të formohet një komision i përbashkët, i cili do ta trajtojë me kujdes ketë çështje.

“Pra, në atë kohë kemi pasur palë sponsorues, atë amerikanë të cilët kërkonin me ngulm demarkacionin, përkatësisht anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Edhe në ketë rast për fat të keq, Kosova u bë palë, por e ndarë në dy pozicione diametralisht të kundërta. Ne humbëm në të dyja anët, nga njëra anë pretendimet për territor që nuk janë të vërtetuara dhe sipas të gjitha gjasave ka vullnet të rishikohen, por humbja e madhe ishte dezorientimi dhe dezintegrimi, sepse humbëm shansin e marrjes së liberalizimit të vizave të cilin po e vajtojnë tash e sa vite. Nëse pala malazeze shpreh gatishmëri për të rishikuar pozicionet në kufij, atëherë është për t'u përshëndetur dhe ndoshta një ditë mund të formohet një komision i përbashkët, i cili do ta trajtojë me kujdes ketë çështje”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat