Aplikimi i Kosovës në KiE/ Paralajmërohet zvarritje e procesit- ia kujton liberalizimin e vizave

Politika

Aplikimi i Kosovës në KiE/ Paralajmërohet zvarritje e procesit- ia kujton liberalizimin e vizave

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 maj 2022 Në ora: 17:31
Këshilli i Evropës

Dy ditë më parë, sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq-Buriq, ka mbajtur fjalim hyrës në takimin e Këshillit të Ministrave të shteteve anëtare të KiE-së.

Fillimisht, Pejçinoviq-Buriq, tha se ka ardhur momenti i një takimi të madh të krerëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që ka 46 vende anëtare, kjo për të shfaqur vizionin para për organizatën më të vjetër politike të Evropës.

Në pjesën e parë u dënua me termat më të ashpër agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, për këtë shkak Federata Ruse u përjashtua nga KiE-ja më 16 mars.

Më 12 maj Kosova aplikoi për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Por sipas agjendës së shfaqur formalisht, shqyrtimi i këtij aplikimi nuk është në rend të ditës.

Sipas procedurave Komiteti i Ministrave voton për futjen në rend dite të aplikimit për një anëtar të ri pastaj Asambleja Parlamentare e bënë hapin final.

Deri këtë të premte presidencën e Këshillit të Evropës e mbajti Italia. E për një vit tjetër këtë drejtim do ta bëjë Irlanda.

Image
Ministrja Donika Gërvalla

Duke folur për mbledhjen vjetore të Këshillit Ministror të KiE-së, ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, është shprehur e kënaqur se pavarësisht që çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk ishte në rend dite të gjithë kanë folur pozitivisht, me përjashtim të Serbisë.

Edhe pse Kosova nuk ka qenë fare në rend të ditës, gjatë mbledhjes së sotme Kosova dhe kërkesa e saj për anëtarësim ka qenë temë shumë prezente. Shumë përfaqësues të shteteve të pranishme kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në KiE. Mbështetja ka ardhur sot nga shtete të mëdha dhe të vogla, me peshë shumë të madhe dhe të tilla me peshë më të vogël gjeostrategjike për kontinentin tonë. Askush përveç Serbisë nuk është deklaruar sot kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm evropian”, ka thënë Gërvalla, duke e vlerësuar këtë qasje si një hap shumë i madh pozitiv për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit të saj të plotë në KiE.

Koosva duhet të vazhdojë të ndjekë hapat e tjerë politik dhe procedural derisa të dalë kjo çështje në Asamblenë Parlamentare të KiE-së (PACE). Asambleja Parlamentare, më pas, kur të jenë përmbushur kriteret, i rekomandon Këshillit Ministror që Kosovën ta ftojë të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Por, deri aty rruga do të jetë e vështirë. “Askush nuk duhet të ketë iluzion që e gjithë kjo procedurë do të jetë e lehtë dhe që do të mund të arrihet pa punuar me përkushtim dhe seriozitet në secilën prej etapave të domosdoshme”, ka deklaruar Gërvalla.

Mirëpo, mos vendosja e aplikimi të Kosovës në këtë mbledhje të KiE-së ngjalli reagime të shumta.

Kuçi: Arsyeja e lënies jashtë agjendës së KiE-së për mbledhjen e radhës mund të jetë koha shumë e shkurtë që nga aplikimi i Kosovës

Image
Gurakuq Kuqi

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve, Gurakuç Kuçi.

Së pari, ai tha se një nga arsyet që Kosova u lë anash agjendës së KiE-së mund të jetë fakti i kohës shumë të shkurtër.

“Arsyeja e lënies jashtë agjendës së KiE-së për mbledhjen e radhës mund të jetë koha shumë e shkurtë që nga aplikimi i Kosovës, agjendat për mbledhje të tilla nuk janë çështje që bëhen brenda dite por duan kohë shumë më të gjatë”, deklaroi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Krahas kësaj, Kuçi përmendi edhe kundërshtimin e Francës dhe propagandat e Serbisë.

Mirëpo, sikur të kishin dashur vendet anëtare të KiE-së dhe fuqitë kryesore evropiane ndoshta çështja e Kosovës do të mund të përshpejtohej, por që në fillim pati kundërshtime nga vende të rëndësishme si Franca. Në këtë çështje ka ndikim edhe lobimi nga ana e Serbisë”, theksoi ai.

Më tej, potencoi se kjo çështje mund të bëhet politike, përtej procedurave teknike, njëjtë sikur liberalizimi i vizave.

“Kam frikë se çështja e anëtarësimit të Kosovës përtej procedurave teknike do të bëhet një çështje politike ngjashëm sikur liberalizimi i vizave. Kushte do të ketë patjetër por shpresoj të mbesin në nivelin teknik dhe jo në nivelin politik ku Kosova dhe anëtarësimi në KiE do përdoret si levë kërcënimesh për Serbinë dhe favoresh për Kosovën bazuar në procesin që do bëjnë të dy palët në dialog dhe Serbia në orientimin e saj pro-perëndimor”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Mehazi: Mendojmë se asnjë pengese nuk i kanë vënë Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” thotë se nuk është shqetësues fakti që Kosova u la jashtë agjendës së mbledhjes së Këshillit të Evropës.

Kjo, pasi sipas tij, ajo ishte vetëm një mbledhje përshëndetëse e kryetares italiane të KiE.

Mbledhja e Komitetit të Këshillit të Evropës që u mbajt në Torino të Italisë, më 20 maj, nuk ishte për diç tjetër, pos përshëndetjes së presidencës italiane me rastin e mbarimit të mandatit të udhëheqjes së KiE-së, ku tani e tutje Këshilli i Evropës do të udhëhiqet jo nga Italia, por nga Irlanda. Pra, qëllimi i agjendës së KiE-së në Torino të Italisë nuk ka qenë aplikimi i Kosovës, por dorëzim-pranimi i Presidencës nga Italia te Irlanda. Kjo vërehet nga mesazhi urues, përshëndetës e aplikues së Ministres së Diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, drejtuar Irlandës si udhëheqëse e re e Këshillit të Evropës”, deklaroi profesori.

Po ashtu, Mehazi tha se nuk mundet Kosova të pranohet për një javë në KiE, pasi kjo është një procedurë që zgjatë me muaj të tërë.

Është e palogjikshme që pas një jave aplikimi, Kosova të pranohet në KiE, procedura e anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të tjera në këtë organizatë evropiane është e gjatë me muaj e nuk është procedurë njëjavore.

Mendojmë se asnjë pengese nuk i kanë dhënë Kosovës, përveç procedurave kohore statutare të pranimit të Kosovës në KiE”, theksoi ai.

Në fund, profesori potencoi se qeveria Kurti duhet të pres deri në majin e vitit të ardhshëm (2023), kur edhe do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Reykavik të Islandës.

“Specifika kushtore aplikuese për t'u pranuar Kosova në Këshillin e Evropës është që qeveria e Kurtit është e detyruar të pres deri në majin e vitit 2023, kur enkas do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Reykavik të Islandës për pranimin e Kosovës në Këshillin e kësaj Organizate të Evropës”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat