Letra ‘goditëse’ e Joe Bidenit për Aleksandër Vuçiqin – paralajmërohet fundi i dialogut me Serbinë!

Politika

Letra ‘goditëse’ e Joe Bidenit për Aleksandër Vuçiqin – paralajmërohet fundi i dialogut me Serbinë!

Nga: N. Sh. Më: 24 maj 2022 Në ora: 16:06
Joe Biden, Aleksander Vuçiq

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, javën e kaluar i ka dërguar një letër urimi presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.

Në këtë letër Biden, ia ka kujtuar Vuçiqit rëndësinë e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.

“Duke qenë se keni lënë prapa zgjedhjet, e inkurajoj Serbinë të bëjë hap para në promovimin e paqes dhe stabilitetit në krejt rajonin dhe të ndërmarrë veprime proaktive, përfshirë kompromis kur është i nevojshëm – me qëllim të normalizimit të shpejtë të marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të angazhohen nga afër me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian për ta arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet në mesazhin që Bideni ia ka drejtuar Vuçiqit për Kosovën, në letrën e urimit për fitoren në zgjedhjet presidenciale të një muaji më herët në Serbi.

Këtë letër, e ka komentuar analisti politik, Gani Qarri.

Ai thotë s,e pas letrës së fundit të Presidentit të SHBA-ve Joe Biden dërguar kreut të shtetit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, dhe kërkesës së drejtpërdrejtë që z. Biden i bën Vuçiqit për normalizimin e raporteve me Kosovën, gjatë fjalimit të tij, para 4-5 ditësh në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se edhe BE ka marrë përsipër që t’i kryej detyrimet e veta ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kështu që në javën e parë të Qershorit, siç u shpreh ai vet, Scholz si i pari i Qeverisë së shtetit më të fuqishëm të BE-së, do t’i vizitojë vendet e Ballkanit perëndimor, me fokus të veçantë Kosovën e Serbinë dhe premtimin e qartë në bagazh se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian”, shprehet ai.

Qarri thotë se, është skeptik për vizitën e Kurtit në SHBA dhe në rezultatet e saj.

Image
Gani Qarri

“Kurse sa i takon vizitës së Kurtit në SHBA unë mbetem skeptik në rezultatet e saj, për vet faktin se pati trajtime diametralisht të kundërta, të vizitës së kryeministrit të Kosovës dhe ati të Greqisë, ku Mitsotakis u prit me nderime të larta shtetërore nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit amerikan, deri te vet Presidenti Biden, kurse z. Kurti mbeti nën margjinat e takimeve private, të cilat urojë të kenë pasur suksese dhe t’i sjellin Kosovës të mira çfarëdo qofshin ato ekonomike, ushtarake apo politike, për të cilat vendi ynë ka nevojë shumë të madhe”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se, kjo ndodhi ndoshta për vet faktin se SHBA, si një shtet i njohur laik, i madh dhe serioz, pret e përcjellë dhe trajton, vetëm burrështetas, të cilët vërtetë sillen ashtu dhe dëshmojnë se janë të tillë si Mitsotakis i cili nuk shoqërohej me murgj e priftërinj kishash, por me ministrat më të lartë të Qeverisë së tij.

“Kurse Albin Kurti, përveç kokëtimit të vazhdueshëm me imamët me mendësi mesjetare turko-arabe në Kosovë, aranzhojë takimin me një hoxhë edhe në SHBA duke lënë pa mend, gjithë opinionin serioz politik”, shton ai.

“Ndaj duke parë sjelljet e tij prej kalamani, edhe SHBA, duket se vendosi, që të mos e takonte askush nga administrata e presidentit Joe Bide, dhe megjithëse vizita maratonike e kryeministrit të Kosovës, në SHBA zgjati jashtëzakonisht shumë, ndoshta edhe me shpresën se administrata e shtetit amerikan do të ndryshonte mendjen dhe t’i mundësonte një takim edhe z. Kurti, sado që "shetitja" e z. Kurti vazhdojë për hiq më pak se rrafsh 18 ditë me radhë, gjë që nuk ka ndodhë ndonjëherë, produktiviteti i vizitës së tij, me të drejtë po vlerësohet i zbehtë dhe nëse nga kjo vizitë, nuk dalin rezultate tjera konkrete, vizita e tij, jo vetëm që ishte shumë e zbehtë, por dhe lë shumë për të dëshiruar”, shton tutje ai.

Prandaj, sipas tij, e gëzon shumë fakti se të paktën sa i takon shtetit të Kosovës, perspektivës dhe të ardhmes së tij, kohët e fundit vërehet angazhim i shtuar ndërkombëtar, sidomos tani nën presionin e konfliktit ruso-ukrainas, që sa vije e rritet, për të mos lejuar shpërthime të reja dhe zgjerime konfliktesh në Ballkanin Perëndimor, ku Rusia sidomos në Serbi ka ndikim të madh.

“Kështu që nëse ky angazhim zhvillohet vërtetë me vendosmëri dhe në mënyrë të mirë koordinuar ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve, kjo medoemos që do të ndikojë edhe në arritjen më të shpejtë të marrëveshjes, ndërmjet të dy vendeve, marrëveshje për të cilën ka filluar të spekulohet edhe me afatet hipotetike si dhe periudha kohore nga 16 deri në 24 muajt e ardhshëm, për finalizimin e saj”, potencon ai.

Kurse, pas eskalimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, përveç Gjermanisë dhe SHBA-ve, proces të përshpejtuar për arritjen e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, po kërkon edhe Mbretëria e Bashkuar, gjë që është konfirmuar edhe nga Qevera e Kosovës.

Siç theksohet nga Mbretëria e Bashkuar është me shumë rëndësi që të shfrytëzohet periudha prej 18-24 muajve të ardhshëm, kohë kur nuk parashihen procese zgjedhore me rëndësi në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe as në dy shtetet e përfshira në bisedime, në mënyrë që sa më shpejt të arrihet marrëveshja finale synimi i të cilës, është njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, akt që mund të realizohet vetëm duke përjashtuar hoxhallarët nga politika dhe vetëm me ndihmën e SHBA-ve, Gjermanisë e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe vendeve tjera mike që ia duan të mirën Republikës së Kosovës”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat