Qeveria nën hije e PDK-së/ S`ka alternativë me ideatorët dhe lobuesit për ndarjen e Kosovës

Politika

Qeveria nën hije e PDK-së/ S`ka alternativë me ideatorët dhe lobuesit për ndarjen e Kosovës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 26 maj 2022 Në ora: 20:22
Foto ilustrim

Me qëllimin për të ofruar alternativë përball qeverisë Kurti, Partia Demokratike e Kosovës, ka formuar ditë më parë Kabinetin e Qeverisjes së Mirë apo Qeverinë nën hije. Ky kabinet do të përbëhet nga 15 departamente të ndryshme, që do të udhëhiqen nga përfaqësues e zyrtarë të PDK-së.

PDK-ja, e cila për shumë vjet udhëhoqi me qeverinë e vendit, nuk do ta ketë edhe shumë të lehtë që të jap alternativa karshi qeverisjes aktuale. Kjo pasi, qeverisjet e vendit nga PDK-ja janë karakterizuar me afera të ndryshme e keqpërdorime të parasë publike.

Gazeta “Bota sot” bisedoi me dy njohës të rrethanave politike në vend, për të diskutuar nëse PDK-ja do të ofrojë alternativa serioze për qeverisje të vendit, apo edhe nëse qytetarët do t`iu besojnë këtyre alternativave.

Burjani: Kjo tingëllon pozitivisht

Image
Blerim Burjani

 

Kabinetit për Qeverisje të mirë sipas analistit Blerim Burjani, është një hap pozitiv për t`ia hapur sytë opozitës.

“Po kjo tingëllon pozitivisht, deri më sot dhe PDK-ja po sikur LDK-ja kanë vepruar pa ndonjë organizim të brendshëm sugjerues, rekomandues për pushtetin , tash kjo qeveri në hije mund të pritet të bëjë propozime valide pozitive për shtetin dhe për t`i hapur sytë pozitës.

Për mendimin tim opozita duhet të krijojë një platformë marrëveshje për veprim për të rritur pozicionet e saja dhe për t`i përkrahur qytetarët.

Për shembull çështja e shfrytëzimit të Trustit ose çështje të tjera zhvillimore të biznesit, reformës sociale dhe arsimore”, thotë Burjani.

Në pritje të lajmeve pozitive për vendin

Ai thekson se sa më shumë punë që kryhen nga pozita dhe opozita përfiton qytetari dhe Kosova.

“Këto shëtitjet dhe ceremonitë e pozitës nëpër botë, të shpresojmë që së paku një investitor apo ndonjë lajm të mirë do ta sjellin në Kosovë.

Shëtitjet janë pozitive vetëm kur ato sjellin rezultat për qytetarin, por nëse nuk sjellin gjë atëherë sjellin shpenzime, veç pra kur të bëhen shpenzimet së paku të shihet rezultati.

Kuvendi ka një përbërje mjaft të dobët apo shumë të dobët dhe nuk pritet që Kuvendi të jetë organ efektiv”, thekson Burjani.

Tutje, ai rikujton se vendi po ballafaqohet me shumë legjislatura të dobëta, që njerëzit atje përveç pagës mujore qe sigurojnë për vete asgjë tjetër nuk bëjnë.

“Pra kemi një vetëdijesim të dobët shoqëror e pasojat pastaj vet qytetari i mban askush tjetër. Pra njerëzit e dobët dhe të papunët apo kurrë s`kanë punuar nuk i jepet pushteti me të udhëheq njeriu me probleme është mjaft kompleks, por kjo është çështje shoqërore, qysh e lyp e gjen thotë një fjali popullore”, përfundon Burjani.

Qarri: PDK-ja e mbushur me njerëz të inkriminuar

Kurse, analisti Gani Qarri thotë se partia, e cila e ka formuar "Qeverinë nën hije" është partia më e përfolur për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur vendit në 13 vitet e fundit, andaj sipas tij PDK-së i duhen shumë vite për ta spastruar vetveten.

“Në fakt partia e cila e ka formuar "Qeverinë nën hije" është partia më e përfolur për të gjitha të këqijat që në 13 vitet e fundit të qeverisjes dhe bashkëqeverisjes së saj me partnerët nga grupimet tjera të inkriminuara politike, kanë mundur ti ndodhnin vendit tonë, që nga pazaret me shitjen dhe faljen e tokave tona, vendeve fqinje, e deri te afera tradhtare për ndarjen e shtetit të Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste. Prandaj, asaj do ti duhen shumë vite për ta spastruar pikësëpari vetveten nga vetitë e theksuara kriminale e korruptive dhe elementët e kriminalizuar, e cila edhe pas burgosjes së kuislingut Thaçi e Kadri Veselit, mbetet e mbushur përplot me njerëz të inkriminuar, në krye të saj”, thekson ai.

Me këtë rast, ai thotë se PDK-ja si parti, po e keqpërdorë me të madhe dhe në mënyrën më të rëndë modelin e "Kabinetit në hije" nga mesi i shekullit XIX, të Parlamentit Britanik, kohë kur në Mbretërinë e Bashkuar, nisi një opozitarizëm më i mirë-organizuar në krye me një grup udhëheqësish të veçantë opozitar.

“Dhe në kundërshtim me veprimet renegate të PDK-së, e cila bëri dhe bënë çdo gjë për ta ndarë e ri copëtuar Kosovën, “Kabineti nën hije”, në parlamentin britanik, nuk u formua për ndarjen e Anglisë, siç tentoi dhe përpiqet në vijimësi PDK-ja, për t`ia falur veriun e vendit tonë Serbisë, por ai u krijua edhe në atë kohë, për koordinimin dhe bashkërenditjen e strategjive më të suksesshme bashkë me Qeverinë, për çuarjen e vendit përpara dhe ruajtjen e tij, nga çdo rrezik dhe kërcënim, i brendshëm dhe i jashtëm, gjë që PDK-ja kurrë deri më tani nuk e ka dëshmuar në vepër”, ka rikujtuar Qarri.

Image
Gani Qarri

 

“PDK-ja ka nevojë për një vetëpastrim të thellë partiak e politik”

Në këtë mënyrë Qarri ka përmendur veprimet e PDK-së, sa ishte në qeverisje duke thënë se vetëm me vetëpastrim të thellë partiak, ky subjekt mund ta dëshmojë se ka ndryshuar.

“Kështu që PDK-ja vetëm pas shfuqizimit të fusnotës me të cilën kuislingu Hashim Thaçi e ka zhvlerësuar shtetësinë tonë dhe kthyer Kosovën në vend me status të pazgjidhur politik, hedhjen e marrëveshjes kundër-kushtetuese të asociacionit një etnik serb, ndalimin e idesë tradhtare për ndarjen e Kosovës, duke përjashtuar nga partia edhe argatët e Thaçit, Ramë Buja e Vlora Çitaku, të cilët po e përsërisin si papagajtë idenë renegate për ndarjen e vendit, përjashtimin e të gjithë elementeve tjerë të inkriminuar nga partia, duke filluar me Abelard Tahirin si dhe një vetëpastrim të thellë partiak e politik, mund ti referohet popullit të Kosovës, se ka ndryshuar, dhe të kërkojë paraprakisht pëlqimin e votuesve për formimin e të ashtuquajturës "Qeveri nën hije"!”, thekson ai.

Sipas Qarrit, Memli Krasniqi e Vlora Çitaku, vetëm sa po e imitojnë Hashim Thaçin dhe po i përsëritin bëmat e tij, i cili njëjtë si këta, edhe ai në vitet 2005-2007, kishte formuar "Qeveri nën hije", kohë kur ky subjekt politik, edhe atëherë ndodhej në opozitë.

“Madje kryetari aktual i PDK-së në një intervistë të dhënë për media, dëshmoi se edhe kabineti i tij, "për qeverisje të mirë", është një kopje e veprimeve të Thaçit, që nuk përbën asnjë risi, dhe mbetet vetëm përsëritje e asaj që PDK-ja ka bërë edhe më herët, pra i njëjti avaz si në ditët e Thaçit, gjë që ka filluar të fus frikë tek qytetarët e gjithë vendit, se PDK-ja me të ashtuquajturën "Qeveri nën hije" nuk po përpiqet për të shfaqur ndonjë opozitarizëm të veçantë dhe diç, më tjetër e konkrete, nga ajo çfarë ka bërë që nga paslufta SHIK-u ilegal dhe PDK-ja në krye me Thaçin, por edhe "kabineti nën hije" i Memlit e Vlora Çitakut, u krijua për të çuar përpara idenë tradhtare të kuislingut Thaçi për ndarjen e vendit”, theksoi ai.

Qarri thotë se përkundër aktakuzës ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe burgosjes së ish presidentit Thaçi, aventurat e PDK-së për ndarjen e Kosovës nuk po ndalen.

“Dhe përkundër ngritjes së aktakuzës së parë kundër Dhurata Hoxhës, e cila me urdhër të Thaçit, keqpërdori parat e taksapaguesve të varfër, për të paguar majm, firmën franceze "Majorelle PR & Events", për të lobuar në botë, për ndarjen e Kosovës, aventura e PDK-së, për ricopëtimin dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës, nuk po kanë të ndalur, as pas burgosjes së tij nga Gjykata Speciale”, shtoi ai.

Pritjet minimale

Më tej, Qarri thotë se përderisa “Qeveria në hije” e PDK-së, nuk dëshmon se ka bërë ndonjë reflektim, nuk ka realizuar asnjë ndryshim nga e kaluara dhe vazhdon të udhëhiqet nga njerëz, të cilët ishin edhe në kabinetet e Thaçit e të Veselit, pa larë mëkatet e së kaluarës nuk mund të kenë asnjë perspektivë në arenën politike.

“Prandaj e udhëhequr nga njerëz të tillë të përfolur publikisht dhe me argumente bindëse për shkeljen dhe keqpërdorimin e vazhdueshëm të pozitave zyrtare e partiake, PDK-ja, udhëheqësit e të cilës edhe sot po zbulohet, se janë të involvuar në të gjitha aferat korruptive e kriminale, që nga koketimi me bandat kriminale në veri, e deri tek ndërtimet e paligjshme në parkun kombëtar në Brezovicë, pa marrë parasysh se çfarë qeverish e kabinetesh, do të krijojnë tash dhe në të ardhmen privatisht, as që mund të pritet prej tyre, që ta luajnë rolin e një opozite të mirëfilltë e kredibile, kur dihet se kjo parti, nuk ka pasur kurrë prirje as afinitet, në opozitë as në qeveri, që ta ndihmonte vendin me shtetndërtim, rivendosje të rendit e të ligjit dhe zhvillimit të demokracisë, ani pse shteti ynë i ri, sidomos pas aplikimit për pranim në KiE dhe organizatat tjera me rëndësi, ka shumë nevojë për kontributin e secilit grupim politik, në pozitë dhe opozitë”, thekson Qarri.

Ai hedhur dyshime se formimi i "Qeverisë në hije", mund të mos jetë për të mirën e vendit.

“Kështu që duhet theksuar fort edhe njëherë, se formimi i "Qeverisë në hije", pikërisht nga PDK-ja, vërtetë e fut frikën tek të gjithë qytetarët e Kosovës se kjo nuk është krijuar për të mirën e vendit, as avancimin e tij, por për shkatërrimin e tërësisë territoriale, faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste dhe shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës, dhe në emër të ofrimit të alternativave politike si zgjidhje të qëndrueshme për probleme të ndryshme që aktualisht ka Kosova, ta fus në rend të ditës, idenë tradhtare të kuislingut Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë okupatore, ide të cilës vazhdojnë ti bien pareshtur dhe me sa fuqi kanë "tupanxhiu" Ramë Buja dhe defatorja Vlora Çitaku në përpjekje për ta bërë sa më melodioze dhe të këndshme në veshët e shqiptarëve ndarjen dhe ricopëtimin e Republikës së Kosovës, të cilën nuk arriti ta çonte deri në fund kuislingu Thaçi, pasi që fuqitë të cilat çliruan Kosovën, ia kishin lexuar në duar, planet e tradhtisë së tij”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat