Politikanët e “Pronto-s” lobonin për ndarjen e Kosovës dhe jo për anëtarësim në NATO/ Bytyçi ka një kërkesë për Kurtin e Osmanin

Politika

Politikanët e “Pronto-s” lobonin për ndarjen e Kosovës dhe jo për anëtarësim në NATO/ Bytyçi ka një kërkesë për Kurtin e Osmanin

Nga: M.L. Më: 27 maj 2022 Në ora: 09:05
Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë janë ngjallur shqetësime për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kosova në vazhdimësi është në shënjestër të kërcënimeve nga Serbia e cila është pajisur edhe me artileri të rëndë ushtarake.

Kjo ka nxitur nevojën që vendi ynë të anëtarësohet në NATO. Institucionet shtetërore tashmë e kanë parashtruar kërkesën për këtë.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka thënë në një intervistë për REL se aleanca veri-atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Image
Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith.

Smith po ashtu ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet evropiane apo euroatlantike. Ne besojmë se vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin dhe anëtarësimin e tyre. Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të Partneritetit për Paqe”, ka thënë Smith, duke përkujtuar se vendimi për anëtarësimin e ndonjë vendi në këtë program, sikurse në vetë NATO-n, merret me konsensus të 30 vendeve anëtare.

Nuk ka votim me shumicë të kualifikuar. Këtu të gjitha vendimet merren mes nesh, 30 anëtarëve. Ky është termi që ne përdorim, ku të 30 shtetet duhet të pajtohen për këtë. Pra, ky do të jetë një vendim që do të duhet të merret me konsensus nëse Kosova vendos të përpiqet të ecë drejt Partneritetit për Paqe", ka deklaruar ambasadorja.

Politikanët e PRONTO-s lobonin për ndarjen e Kosovës

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi duke komentua deklaratën e ambasadores Smith ka thënë se për vite me radhë, pas luftës askush nuk donte t`ia dinte nëse Kosova është e sigurt.

Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por në Kosovë që prej 12 qershorit 1999 është vetë Aleanca e Atlantikut. Kosova deri sot nuk ka aplikuar që të bëhet as anëtare e Programit të Partneritetit për Paqe, aq anëtare me të drejta të plota në NATO. Me naivitet, politikanët shqiptarë në Kosovë kanë vlerësuar se "Nuk ka çfarë u duhet të jenë në NATO, derisa vetë NATO është në Kosovë"! "Kemi KFOR-in", thonë! Na mbron KFOR-i! Rrini rehat e mos e çani kryet, se na jemi të siguruem, thoshin politikanët e PRONTO-s!

E gjitha zhvillohej në rrethanat e një statukuoje në të cilën vegjetonin konfliktet e vogla me Serbinë, sherret ballkanike, kontrabanda dhe paligjshmëria, vjedhja e grabitja e pronave, nepotizmi, punësimet partiake, kapja e bordeve dhe deri te vjedhja e grabitja e parave në kontot e ministrive. Madje pjesë e kësaj statukuoje ishte edhe lobimi i ministrive të Kosovës për ndarjen e Kosovës. Në këto rrethana askush nuk donte t'ia dinte, nëse Kosova është ose jo e sigurt! Nëse ajo është ose jo e garantuar nga pikëpamja e sovranitetit dhe integritetit territorial! me duart e veta deshën ta cënojnë këtë integritet!”, është shprehur profesori.

Sipas tij, me gjithë deklaratat, institucionet e Kosovës nuk bënë një kërkesë zyrtare dhe me ceremoni për anëtarësim në NATO dhe lobim në këtë drejtim.

“Por ndodhi agresioni rus në Ukrainë dhe si çdo gjë e keqe, edhe kjo e pati një të mirë! Rikujtoi faktin se Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s. Megjithatë kjo thjesht u deklarua. U tha se është bërë edhe kërkesa në Selinë e NATO-s. Por nuk pashë një delegacion të Kosovës që të shihet në atë seli për ta dorëzuar kërkesën me ceremoni e madje për të lobuar fort për ta pranuar kërkesën e përshpejtuar procesin e pranimit të saj në Aleancë”, ka potencuar profesori.

Shembulli i Shqipërisë

Profesori mori shembull rastin e Shqipërisë, duke thënë se nëse ajo nuk do të ishte e anëtarësuar në NATO do të kishte një siguri të cenuar nga rreziku rus.

“Sot Edi Rama bërtet me të madhe se "Ne jemi të sigurt, sepse jemi vend anëtar I NATO-s". Po a do të ishte Shqipëria e sigurt nga rreziku rus, nëse ajo nuk do të ishte anëtare e NATO-s?! Sigurisht që jo! Do të ishte në ankth. Do të ishte në alarm. Do të detyrohej të rikthente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ndoshta që të rikthente edhe stërvitjen e rezervistëve! Qenia në NATO është aset I jashtëzakonshëm, është garanci, është siguri, paqe, stabilitet. Pa këto nuk ka as mirëqenie, as integrime europiane, as gjumë! Por ky Edi Rama nga ana tjetër e denigron atë që realizoi projektin e NATO-s kreun e opozitës!”, ka nënvizuar Bytyçi

Sipas tij, deklarata e ambasadores amerikane. Jilianne Smith, në Aleancën Atlantike është një rast që duhet shfrytëzuar

“E përmenda rastin e Shqipërisë për të kuptuar se sa domethënëse dhe e rëndësishme është për Kosovën të jetë anëtare e NATO-0-s. Deklarata e ambasadores amerikane. Jilianne Smith, në Aleancën Atlantike është një rast që duhet shfrytëzuar. Ajo ka bërë thirrje që të mbështetet Kosova si anëtare e Partneritetit për Paqe. Por kjo nuk do të thotë se vendet anëtare përfshirë dhe SHBA-të janë kundër pranimit direkt në NATO. Lufta në Ukrainë duhet shfrytëzuar që të punohet me vendet anëtare të NATO-s dhe Kosova të jetë pjesë e saj”, është shprehur profesori.

Lobimi

Ai ka deklaruar se krerët e shtetit të Kosovës duhet të lëvizin çdo javë në kryeqytetet e vendeve të Aleancës për t'i bindur ato që të pranojnë hyrjen e Kosovës në Aleancë.

“Jo vetëm duhet bërë kërkesë zyrtare të miratuar në parlamentin e vendit, por krerët e shtetit duhet të lëvizin çdo javë në kryeqytetet e vendeve të Aleancës për t'i bindur ato që të pranojnë hyrjen e Kosovës në Aleancë. Duke kërkuar pranimin me të drejta të plota, së paku garanton në një kohë të shkurtër pranimin si anëtare e Partneritetit për Paqe. Kjo do të thotë se duhet punuar sidomos me vendet anëtare të Aleancës, të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Profesor Bytyçi ka potencuar se të katër këto vende e kanë pranuar Kosovën si shtet, derisa kanë njohur dokumentet e udhëtimit dhe bëjnë tregti e marrëdhënie të tjera normalisht si me çdo shtet tjetër anëtar të OKB-së.

“Formalisht mungon nota e njohjes dhe kaq. Prandaj dhe është e kuptueshme se as Greqia, as Spanja, as Rumania e Sllovakia nuk do të bllokonin pranimin e Kosovës në NATO, aq më pak në Partneritetin për Paqe. Kundrejt Aleancës Kosovës nuk i duhet kurrfarë Funotës!", ka pwrfunduar profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat