“SHIK-u, policia sekrete e Rexhep Selimit dhe grupet e vëllezërve Haradinaj”/ Akuza të rënda për Fatmir Limajn dhe...

Politika

“SHIK-u, policia sekrete e Rexhep Selimit dhe grupet e vëllezërve Haradinaj”/ Akuza të rënda për Fatmir Limajn dhe...

Nga: P.R Më: 27 maj 2022 Në ora: 21:17
Intelektualët e vrarë për motive politike

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës si komandant “Çeliku”, i cili shumë herë ka qenë i akuzuar se është i përfshirë në vrasjet politike, në njërën nga intervistat e tij e ka pranuar më në fund se janë kryer vrasjet ndaj anëtarëve të LDK-së, por qëllimisht nuk u hetuan

“Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë. Por dikush qëllimisht nuk ka dashur t’i hetojë ato raste në mënyrë që ajo të mbetet temë qendrore. Pastaj qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje, paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj. Unë nuk kam asnjë dilemë që ato vrasje kanë motive anti-shqiptare, anti-shtet dhe për të krijuar përçarje”, tha Fatmir Limaj.

E këtë deklaratë të Limajt, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri po e sheh si pozitive, por sipas tij, Fatmir Limaj e di se kush i ka kryer vrasjet politike.

Image
Nexhat Haziri

“Deklarata e kreut të NISMA-s dhe ish- komandant “Çelikut“, Fatmir Limaj për vrasjet politike të aktivistëve dhe zyrtarëve të LDK-së, dhe pranimi i ekzistimit të tyre, është një reflektim i pozitiv i Limajt sa i përket kësaj çështje. Por, ai nuk mund t’na luaji budallain se gjoja nuk e di se kush i bëri këto vrasje dhe cili ishte motivi kryesor për këto vrasje”, thotë Haziri, i cili hedh akuza direkte ndaj atyre, që sipas tyre qëndrojnë prapa vrasjeve të anëtarëve të LDK-së.

“Aktivistët e LDK-së nuk i vrau reja e as ndonjë shërbim i caktuar nga jashtë, por një strukturë e organizuar brenda UÇK-së gjatë periudhës së luftës, që u përcollë më pas nga SHIK-u, policia sekrete e Rexhep Selimit dhe grupet e vëllezërve Haradinaj pas mbarimit të luftës, dhe motivi kryesor ishte lufta për pushtet përmes dobësimit të LDK-së dhe autoritetit të presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës”, shprehet Nexhat Haziri.

Më tej, ai thotë se vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit është bëtë më urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, shtab ky që drejtohej nga Azem Syla.

“Limaj e di fare mirë se UÇK-ja ka pasur një listë me zyrtar të lartë të LDK-së duke filluar me ish-presidentin Rugova, për t‘i likuiduar dhe ekzistimin e kësaj liste e kanë pranuar edhe ish-eksponent të UÇK-së. Shembull, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit është bërë me urdhër të SHP të UÇK-së në Tiranë në bashkëpunim edhe me strukturat e sigurisë së shtetit shqiptar si me policinë dhe SHISH-n e Fatos Klosit. Vrasja e pjesëtarëve të UÇK-së që e njihnin autoritetin e Ibrahim Rugova si president, siç është rasti i vrasjes së mësuesit dhe intelektualit Ismet Rrahmanit gjatë luftës, etj”, thekson Haziri.

Poashtu, sipas Hazirit, Fatmir Limaj është përgjegjës edhe për rastin e vrasjes së Ramiz Hoxhes dhe Selman Binishit, si dhe ekzistimin e burgut të Kleçkës.

“Limaj nuk duhet të na e luaj të paditurin për rastin e vrasjes së Ramiz Hoxhes dhe Selman Binishit për të cilët edhe ishte akuzuar, dhe nëse nuk ka qenë i implikuar duhet ta dijë se kush i vrau, pasi ky rast ka ndodhur në territorin ku ka komanduar si komandant zone i UÇK-së. Pastaj për burgun e Kleçkës ku është mbajtur i arrestuar dhe i dënuar me pushkatim politikani Blerim Kuqi dhe fati i tij që ai jeton sot, ishin fillimet e bombardimeve të NATO-së”, shprehet Haziri.

“Por si duket komandantët akoma po i qëndrojnë besnik asaj marrëveshjes në mes tyre nëse mund ta quajmë kështu e cila thotë: As unë për ty, e as ti për mua“ apo „nëse fundosëm unë, fundosësh edhe ti“ , kështu që po heshtin sa i përket asaj se kush i urdhëronte për këto vrasje”, shton analisti Haziri për “Bota sot”.

Por pse deri më tani akoma nuk janë zbardhur vrasje politike që kanë nodhur në Kosovë? Lidhur më këtë, Haziri tregon arsyet.

“Janë një sërë faktorësh, si mungesa e vullnetit politik qysh nga koha e UNMIK-ut ku për këtë administratë ndërkombëtare me rendësi ishte ruajtja e një stabiliteti politik me çdo kusht, se sa kapja e autorëve apo zbardhja e vrasjeve politike, për arsyen e vetme se planifikuesit apo urdhërdhënësit e këtyre krimeve të qonin te politikan të fuqishëm të skenës politike që udhëhiqnin apo ishin zyrtarë të lartë të partive të të ashtuquajturit “krahu i luftës“ dhe sipas vlerësimit të tyre në atë kohë kjo do të sillte një destabilitet të brendshëm politik dhe te sigurisë”.

“Ndërsa pas vitit 2008, kur sistemi i drejtësisë ishte i tëri nën diktatin e politikës dhe grupeve parapolitike të financuara dhe mbështetura nga lider politik e shtetëror, ku gjykatës e prokuror i emëronte SHIK-u, ishte dhe është utopike të mendohet që ky sistem i drejtësisë të kishte guxim për t‘i zbardhur vrasjet politike gjate dhe pas mbarimit të luftës”, shpjegon Haziri.

Më tej, fajtore për mos zbardhjen e vrasjeve politike, analisti Haziri e bën edhe LDK-në.

“Në këtë drejtim të dështimit për zbardhjen e vrasjeve politike ka dështuar edhe vet LDK-ja, që më shumë i përdori si kauza politike për përfitime elektorale se sa ishte këmbëngulëse kur qeveriste në pushtetin qendror, për të krijuar kushte për një sistem të pavarur të drejtësisë që do të merrej me trajtimin e vrasjeve politike në Kosovë”, deklaron Haziri.

Për fund, ai thotë se e vetmja shpresë për zbulimin e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, është Gjykata Speciale.

“Andaj e vetmja shpresë për të sjellë drejtësi për këto raste është Gjykata Speciale dhe kjo po duket se po ndodhë”, përfundon për “Bota sot” analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat