Vrasjet e aktivistëve të LDK-së/ Fatmir Limaj heshti për vite të tëra – çfarë e nxiti atë të fliste tani!?

Politika

Vrasjet e aktivistëve të LDK-së/ Fatmir Limaj heshti për vite të tëra – çfarë e nxiti atë të fliste tani!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 maj 2022 Në ora: 09:48
Foto ilustrim - "Bota sot"

Edhe 23 vite pas përfundimit të luftës ende nuk është zbuluar asgjë në lidhje me vrasjet politike të pasluftës.

Ku shumica e vrasësve kishin cak aktivistë dhe intelektualë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Të gjitha qeveritë e pasluftës dështuan, apo më mirë të themi i anashkaluan këto vrasje dhe nuk u hetuan kurrë ato.

Së fundmi, ishte kreu i Nismës, Fatmir Limaj i cili riktheu sërish në vëmendje këtë çështje.

Ditë më parë, ai foli për disa vrasje të pasluftës ku kanë pësuar zyrtarët e LDK-së.

Limaj në “Personale” thotë se kushdo që i ka bërë ato vrasje ka pasur qëllime anti-shtet dhe anti-shqiptare.

“Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë. Por dikush qëllimisht nuk ka dashur t’i hetojë ato raste në mënyrë që ajo të mbetet temë qendrore. Pastaj qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje, paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj”.

“Unë nuk kam asnjë dilemë që ato vrasje kanë motive anti-shqiptare, anti-shtet dhe për të krijuar përçarje”, ka thënë ai.

Mirëpo, është interesante dhe e çuditshme, fakti se Limaj këtë deklaratë e bëri pas më shumë se 2 dekadave.

E në lidhje me këtë çështje për “Bota sot” folën ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi dhe analisti politik, Faton Mehmeti.

Latifi: Si rrjedhojë, vrasjet e pa zbardhura dhe vënia e kriminelëve para drejtësisë, janë gur i rënd n‘qafen e Kosovës

Image
Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër

Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se është obligim ligjor dhe moral i institucioneve të drejtësisë që t’i zbardhin të gjitha vrasjet e pasluftës.

Ai përmendi disa nga vrasjet që tash e sa vite ende vrasësit e tyre janë enigmë.

“Mendoj se është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të drejtësisë, të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve, politikanëve dhe ushtarakëve që dhanë kontribut për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Dhe se ndërgjegjja kolektive e shtet-ndërtimit nuk duhet të pushojë së kërkuari dhe së ndëshkuari siç janë vrasjet: e Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Shaban Manajt, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt, Ukë Bytyqit, Ismet Rracit, Haki Imerit, Ekrem Rexhës, gazetarëve Shefki Popovës, Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit e vrasjet të tjera, ku disa prej tyre ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Këto raste janë vetëm disa nga vrasjet politike të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë, por vrasësit e tyre ende janë enigma”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Latifi kërkoi nga të gjitha partitë politike ta pranojnë këtë realitet të hidhur, dhe të filloj shtensionimi i raporteve të brendshme politike.

“Dihet se cak i sulmeve dhe atentateve ishte edhe Presidenti i ndjerë historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë i quante si sulme kundër Pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.

Natyrisht, është koha që të gjithë pa dallim në të gjitha subjektet politike, figura të tjera të luftës ta pranojnë këtë realitet të hidhur, dhe të filloj shtensionimi i raporteve të brendshme politike”, theksoi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër.

Në vazhdim, ai ka thënë se po mungon vullneti i institucioneve të drejtësisë për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

Megjithatë, Latifi kërkoi që vrasësit të zbulohen dhe të nxirren para drejtësisë.

“Për fat të keq gjerë më tani, përveç akademive përkujtimore, të cilat po mbahen pothuajse çdo vit në përkujtim të vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së dhe figurave tjera politike dhe ushtarake, institucioneve kosovare vazhdon t’iu mungojë vullneti politik për zgjidhjen e këtyre rasteve.

Një drejtësi vendore e pandikuar nga politika, duhet t’i zbulojë vrasjet pa dallim dhe autorët e nxitësit e tyre të vihen para drejtësisë”, nënvizoi Latifi.

Më tej, ish-kryetari i degës së LDK-së në Zvicër hodhi disa dyshime te shërbimet anti-shqiptare dhe bashkëpunëtorët e tyre.

“Zbulimi dhe ndëshkimi i autorëve të atyre vrasjeve, duhet të jetë dhe bëhet kauzë kombëtare dhe shtetërore dhe jo vetëm të jetë brengë e familjarëve të viktimave dhe e LDK-së”, potencoi ai.

Ndër të tjera, vlerësoi se mos zbardhja e këtyre vrasjeve politike vazhdon të jetë një gur i rëndë në ‘qafën’ e shtetit të Kosovës.

“Si rrjedhojë, vrasjet e pa zbardhura dhe vënia e kriminelëve para drejtësisë, janë gur i rënd n ‘qafen e Kosovës. Ata të cilët kërkojnë heshtjen e këtyre vrasjeve, me ose pa dashje, bëhet pjesë e krimit dhe në shërbim të kriminelëve dhe kundërshtarëve të Pavarësisë së Kosovës”, përfundoi Latifi për “Bota sot”.

Mehmeti: Fatmir Limaj është “dhelpër” e di se tani po u vjen fundi të gjithë atyre që kanë vrarë për të ardhur në pushtet

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me gazeta “Bota sot”, Fatmir Limajn e cilësoi si një ‘dhelpër’.

Ai u shpreh se kreu i Nismës i ndërron mendimet në bazë të rrethanave dhe jo guximit.

“Fatmir Limaj është “dhelpër” e di se tani po u vjen fundi të gjithë atyre që kanë vrarë për të ardhur në pushtet, Limaj kthehet në mendime sipas situatave, nuk është njeri i parimeve dhe guximit”, deklaroi analisti.

Sipas Mehmetit, Limaj këtë deklaratë do duhej ta thoshte shumë kohë më parë dhe jo tani.

Ai beson se nuk do të ketë paqe në politikën e Kosovës, nëse nuk zbardhen të gjitha vrasjet e pas luftës.

“Ku ishte deri tani që nuk foli, pse u deshtë që të vjen puna tek Specialja për të pranuar vrasjet, të cilat i kanë mohuar për më shumë se 20 vjet. Limaj, i përmendur në vrasjet e pasluftës, tani flet një gjë të cilën është dashur ta thoshte qysh moti. Pa zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të LDK, dhe të gjithë pas luftës, s’mund të këtë paqe në politikën e vendit tonë”, theksoi ai

Më tej, analisti vlerësoi se tani më nuk kanë shumë peshë deklaratat e Limajt, pasi Gjykata Speciale po merret me këto raste.

“Pak rëndësi ka tani a e pranon apo jo Limaj një gjë të tillë, është specialja ajo që do t’i zbardhi të gjitha krimet e pasluftës, Limaj nëse nuk ka gisht në këtë punë të rrijë i qetë, përndryshe s’ka asnjë ndikim më fjala e tij. Fjala që nuk thuhen në kohën e duhur më s’kanë peshë dhe vlerë”, thotë Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat