Në anën e kujt është Isa Mustafa, kur akuzon institucionet se me dhunë policore po bisedojnë me serbët?

Politika

Në anën e kujt është Isa Mustafa, kur akuzon institucionet se me dhunë policore po bisedojnë me serbët?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 qershor 2022 Në ora: 15:04
Isa Mustafa

Pak ditë më parë, ish-kryeministri Isa Mustafa ka kritikuar kryeministrin aktual, Albin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani, për mënyrën e komunikimit të tyre, me qytetarët serbë.

Mustafa thotë se Osmani e Kurti mënyrën e vetme për të komunikuar me serbët në veri janë duke e bërë përmes njësive speciale të policië. Pra, sipas tij, po komunikojnë vetëm nëpërmjet dhunës.

“Do duhej të bëhen përpjekje për të komunikuar me institucione dhe qytetarë në veri dhe jo vetëm aty. Edhe në komunat në brendësi të vendit ku ka serbë. Me gjuhën, diskursin dhe metodat me të cilat po shërbehen Presidentja dhe Kryeministri nuk shoh mundësi që kjo të ndodhë. Kanë zgjedhë rrugë të gabuar, që me serbet të komunikojnë përmes njësive speciale”, ka thënë Mustafa.

Isa Mustafa duket se po thotë prerazi se serbët po shtypen nga institucionet aktuale, pavarësisht nëse aksionet kishin të bënin me arrestimin e të dyshuarve për krime, madje disa të kërkuar janë të akuzuar nga SHBA-të për krime ndërkombëtare, për çka edhe janë vënë në listën e zezë, sikurse Millan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviç.

Në këtë mënyrë ai po i mbron serbët që kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, përfshirë edhe ata që për ditë me radhë e sulmonin me armë zjarri policinë e Kosovës.

Sipas kësaj deklarate, çfarë mesazhi po përcjellë Isa Mustafa, me kritikën se Vjosa dhe Albini, në vend të dialogut me njësi speciale po bisedojnë me serbët? A po ofrohet Isa Mustafa para bashkësisë ndërkombëtare, që t'i jepet shansi për kompromise të reja me Serbinë?

Mulliqi: Mustafa dialogoi me presidentin serb, Aleksander Vuҫiq, si deshti Serbia, e cila edhe i caktoi agjendat e këtyre bisedimeve

Image
Njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi

Lidhur me këtë ҫështje ka folur njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi i cili thotë se, nëse dikush më se keqi ka punuar për LDK-në dhe për Kosovën, është Isa Mustafa. Ka punuar keq si shef i financave të tre përqindëshit të kohës të luftës.

“Thuhet se ka keqpërdor këto mjete dedikuar luftës çlirimtare së bashku me Bujar Bukoshin. Ka dështuar me LDK-në, të cilën nga partia më e madhe sa ishte gjallë lideri historik i saj, Dr.Ibrahim Rugova, e ka pru qëllimisht në parti minore pa peshë politike. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe punën e keqe dhe të dëmshme të Mustafës edhe si kryeministër i Kosovës, i cili nënshkroi së bashku me Hashim Thaҫin marrëveshjen më të dëmshme për Kosovën, Demarkacionin me Mal të Zi, me kauzë të rreme të tij, ku Kosova humbi 8200 hektarë tokë, pastaj kemi marrëveshjen tjetër të dëmshme, Asociacionin me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. Dialogoi me presidentin serb, Aleksander Vuҫiq, si deshti Serbia, e cila edhe i caktoi agjendat e këtyre bisedimeve, duke i zbritur ato në nivelin më të ulët për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, thotë ai.

Mulliqi thotë se këto dështime politike të Mustafës, por që ka edhe shumë dështime të tjera, të cilat nuk i japin atij të drejtë të bëjë kritika ndaj presidentes, Vjosa Osmani dhe ndaj kryeministrit, Albin Kurti, të cilët po punojnë mirë sidomos në planin e jashtëm politik.

“Kryeministri Kurti për herë të parë po zhvillon dialog të nivelit të barabartë me Serbinë, duke e defaktorizuar atë, dhe duke i treguar Vuҫiqit se shteti i tij, ka qenë agresori. Kurti po vë rend dhe ligj në veri të vendit, dhe kjo sigurisht se po e pengon Mustafën. Kryeministri i Kosovës, po dialogon me Serbinë, shumë më ndryshe se sa paraardhësit e tij, duke i kthyer bisedimet në favor të Kosovës. Kurti nuk pranoi që të zhvillohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Duket se Mustafa e ka inatin e madh me Osmanin dhe Kurtin, duke i anashkaluar me këtë inat interesat vitale të Kosovës. Është shumë cinike të pohosh siҫ e bëri Mustafa në një intervistë kur thotë, “Albin Kurti ka frikë, sepse ҫdo njëri që hynë aty nuk mund të del prej dialogut si hero, në qoftë se hyn në dialog dhe ulesh në tavolinë që të bisedosh me Serbinë, atëherë është e pamundur që vetëm ti si palë t’i realizosh kërkesat e tua, pa i realizuar edhe pala tjetër kërkesat e veta”, thekson Mulliqi.

Burjani: Dialogu fund e krye u bë në Bruksel, por jo me serbët kosovarë

Image
Profesori Blerim Burjani

Ndërkaq, profesori Blerim Burjani thotë se reagimi i Isa Musatafës, është thjesht një reagim politik. Ndërsa sipas tij, po bëhet më shumë se një vit pa ndonjë zhvillim.

Sipas Burjanit është krejtësisht e qartë se policia ka shkuar në veri për të bllokuar kontrabandën në kufi me Serbinë.

“Thjeshtë është reagim politik, dihet pse ka shku Policia e Kosovës në veri për të ndal kontrabandën. Dialogu ende nuk ka filluar, ky kryeministër ta bëj, përkundër paralajmërimeve të mëhershme shumë, pra tash bëhet më shumë se një vjet pa ndonjë zhvillim fare më tepër. Dialogu fund e krye u bë në Bruksel por jo me serbët kosovarë”, thekson ai për ‘Bota sot’.

Ndërsa, Mulliqi duke iu rikthyer edhe njëherë pohimeve të Mustafës thotë se ai është pohim nënshtrues, kur dihet se Serbia ka qenë dhe është shtet pushtues, dhe është shtet që ka shkaktuar gjenocid mbi shqiptarët.

“Kjo është më tepër se marri për ish liderin e LDK-së. Minoriteti serb ka më shumë të drejta se ҫdo minoritet tjetër në botë, e këtë gjë sikur po e harron Mustafa. Gjatë zhvillimit të bisedimeve duhet që Serbia ta njohë pavarësinë, ose në të kundërtën, të ndërpriten bisedimet siҫ thotë edhe Janosh Bugajski në një shkrim autorial. Sikur të ishte Isa Mustafa duke i zhvilluar këto bisedime me Serbinë, jam i bindur se ato do të kishin një përfundim të keq për Kosovën, me arsyetimet më banale se gjoja kështu e ka “kërkuar Amerika dhe Evropa”, dhe arsyetime të tjera të rreme politike”, thotë analisti Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat