Raportet Kurti-Rama të krisura / Çfarë pritet të ndodhë në mbledhjen e dy qeverive shqiptare!?

Politika

Raportet Kurti-Rama të krisura / Çfarë pritet të ndodhë në mbledhjen e dy qeverive shqiptare!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 qershor 2022 Në ora: 22:14
Albin Kurti dhe Edi Rama

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e tetë të përbashkët të hënën në Prishtinë.

Ndërmjet tyre pritet të nënshkruhen disa marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike.

Pavarësisht mospajtimeve me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Qeveria e Kosovës thotë se mbledhja e përbashkët është dëshmia më e mirë e bashkëpunimit mes dy vendeve vëllazërore.

Në nëntor të vitit 2021 kemi pasur një mbledhje të përbashkët në Elbasan, në qershor të vitit 2022 po mbajmë një mbledhje në Prishtinë. Herën e kaluar kemi nënshkruar 13 marrëveshje, shumica e tyre kanë gjetur tashmë zbatim. Këtë mbledhje po synojmë të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që synim kanë bashkëpunimin dhe lehtësimin e qytetarëve të dy vendeve. Kjo është dëshmia më e mirë e nivelit të bashkëpunimit, pavarësisht mospajtimeve për çështje të caktuara”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Kujtojmë se marrëdhëniet mes krerëve shtetëror të dy shteteve shqiptare, Albin Kurtit dhe Edi Ramës janë të tensionuara.

Kësisoj mbetet të shihet se sa produktive dhe efikase do të jenë marrëveshjet e nënshkruara nga dy qeveritë shqiptare.

Ahmeti: Kurti dhe Rama të lënë inatet politike anash e të kenë në fokus qytetarët

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot” komentoi mbledhjen e dy qeverive shqiptare.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai kërkoi nga kryeministrat, Kurti dhe Rama t’i lënë anash inatet dhe të fokusohen në çështjet që kanë rëndësi për qytetarët e dy vendeve.

Dy qeveritë duhet të jenë konstruktive në çështjet imediate që i lidhin qytetarët e dy shteteve. Duhet të lënë inatet politike anash e të kenë në fokus qytetarët dhe mundësinë në bashkëpunimit reciprok në çështjet ku mund ta lehtësojnë jetën e qytetarëve të dyja vendeve”, deklaroi analisti.

Sipas tij, gjatë kësaj mbledhje do të ketë marrëveshje produktive, por kërkoi që ato të jenë efektive dhe jo vetëm formale.

Besoj që do të ketë marrëveshje produktive, por zbatimi tyre duhet të jetë më efikas dhe efektiv e jo të mbeten vetëm si marrëveshje formale”, theksoi Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Kapiti: Kryeministri i Shqipërisë është njeriu më i dëmshëm kombëtarisht dhe njeriu më i refuzuar dhe më i papranuar nga shqiptarët

Ndërsa, opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti në një bashkëbisedim me “Bota sot” derisa foli për mbledhjen e dy qeverive shqiptare, kritikoi qëndrimet politike të Ramës karshi Kosovës.

Image
Skënder Kapiti

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e tetë të përbashkët të hënën e ardhshme në Prishtinë. Kjo mbledhje do të jetë në vazhdën e atyre mbledhjeve siç i ka quajtur dikur “simbolike”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama”, deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, Kapiti politikat e Ramës i krahasoi me Enver Hoxhën, duke thënë se e përbashkëta e tyre është keqpërdorimi dhe manipulimi me interesat e kombit për interesa personale.

Edi Rama i ka “talentet” e tij mashtrimet, dukjet, zhurmat, simbolikat, reklamat e retoriket publike e mediatike. Ai do që të ulet si shpëtimtari, vizionari dhe protagonisti për vepra e ngjarje të mëdha për t’u dikur si aktori e faktori kryesor dhe më i rëndësishëm ndër shqiptarë, por madje e gënjen mendja se dikur mburrej si kryeministër i Ballkanit, si lider ndërkombëtar e lloj-lloj fantazish ngjashëm me idhullin e tij shpirtëror Enver Hoxhën si udhëheqës i madh e largpamës, si udhëheqës jo vetëm i shqiptarëve, por edhe udhëheqës botëror revolucionar e proletar. Si Hoxha dhe Rama kanë të përbashkët edhe keqpërdorimin dhe manipulimin me interesat e kombit për interesa personale, aq sa dikur Hoxha u lidh si mishi me kockën me tito-jugosllavët, kundër kosovarëve e gati sa edhe Shqipërinë ia bashkëngjiti Jugosllavisë, dhe po kështu edhe “Open Ballkani” i Edi Ramës po i njëjti projekt “modern” është”, theksoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti e vlerësoi Ramën si një nga politikanët shqiptarë më pak të pëlqyer.

Ai potencoi se kryeministri i Shqipërisë nuk i intereson Kosova, prandaj edhe insiston në projektin serbo-rus “Ballkanin e Hapur”.

Sot, politikani kryeministër i Shqipërisë është njeriu më i dëmshëm kombëtarisht dhe njeriu më i refuzuar dhe më i papranuar nga shqiptarët në përgjithësi dhe nga ata të Kosovës në veçanti. Këtë ai e di shumë mirë pasi janë veprat e tij që e bëjnë atë që ta meritojë këtë. Takimet e radhës mund të jenë mbledhje rutinore që premtojnë për mirë, por që do të mbetet ashtu si të tjerat vetëm premtime të radhës, sepse Rama i qëndron besnik atyre që ka thënë e cila është ajo se nuk ka minishengen shqiptaro-shqiptar para atij të Ballkanit Perëndimor (Open Ballkan). Dikur të tjerët në Tiranë dhe Rama thoshin se bashkimin kombëtar do e arrijmë në Bashkimin Europian, tani na del plani se në “Ballkanin e hapur” ku lider është Serbia duhet të përfshihet edhe Kosova të cilën nuk e njeh si shtet Serbia, gjë e cila tregon se Ramës nuk i intereson Kosova, por pushteti dhe interesi politik i tij”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat